Ekskluzive/ Anësori Tartari me 3 të qepura: Ju tregoj dhunën në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2018 | 23:59

Ekskluzive/ Anësori Tartari me 3 të qepura: Ju tregoj dhunën në Vlorë

Ilir Tartari nuk ka bërë ndoshta ndeshjen perfekte në Vlorë, por kurrë nuk e kishte menduar se prej aty do të dilte me tre të qepura në vetull. Situata është tensionuar tej mase në fund të takimit dhe anësori i ndeshjes Flamurtari-Vllznia 1-1 ka përfunduar në spital, pasi e kanë goditur disa herë në fytyrë. Ai akuzon administratorin e Flamurtarit, Sinan Idrizin, për shkaktarin e dhunës dhe nxitës të saj.

Flamurtari-Vllaznia

Në një prononcim për “Panorama Sport” pas ndeshjes, ai mohon që të ketë sharë dhe të ketë fyer ndokënd, ashtu sikundër pretendon administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi.

Tartari, çfarë ndodhi pas ndeshjes?

Pasi përfundoi ndeshja, ne si procedurë, pra asistenti i parë e ka për detyrë të futet në tunel midis dy dhomave të ndeshjes. Në këtë moment, kur unë po prisja që të vinin të gjithë futbollistët brenda, mbrapa derës së xhamit që është te stadiumi, futet Sinan Idrizi duke sharë dhe duke ofenduar dhe Sinani vetë kërcënoi edhe policët që ishin aty, duke u thënë “mos veproni dhe mos bëni asnjë lloj gjëje”.

Në këtë moment, duke parë që isha i hutuar vjen dikush dhe më godet me grusht. Nuk e mora vesh kush ishte. U bë rrëmujë totale dhe unë u nisa për në dhomë, por duke shkuar për aty më goditi sërish dikush tjetër. Një djalë i gjatë me aq sa mbaj mend… Vendosa të kthehem mbrapa, por në atë moment shoh Sinan Idrizin që tenton të më godasë me shkelma. Po më shante mua, presidentin e FSHF-së dhe të gjithë ne që ishim aty. Vetëm policët nuk po i shante. Tentoi më pas të godiste edhe arbitrin kryesor, por nuk ia doli. Ne më pas, me ndihmën e policëve hymë në dhomat e zhveshjes.

94e595ce-fb9d-451c-8cb4-60b8ea5239c8

Po ju a e ofenduat Idrizin, a shatë njeri aty në stadium?

Jo, fare. Po si mund të shanim ne aty, kur ne po goditeshim nga të gjitha anët.

Sa të qepura keni?

Kam tre të qepura. Por ju lutem, këto detaje mos i publikoni sepse ne jemi familjarë. Nuk është mirë që të alarmohen familjarët dhe të përjetojnë edhe ata stresin tonë.

A keni shkuar ju në polici pas ngjarjes?

Ne kemi qëndruar në dhomë, bëmë kallëzimin në prani të oficerit të policisë gjyqësore. Më mori policia më pas dhe më çoi në spital. Shkuam atje, mora mjekimin e duhur…

Çfarë ndodhi në spital?

Më qepën plagën dhe më bënë dy gjilpëra.

Po më pas?

Më pas u nisa drejt Fierit dhe policia na shoqëroi deri në dalje të Vlorës. Kjo është e gjitha.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"