“E kemi kaluar krizën, nuk përsëritet më”, kthehet Danaj, flet trajneri i Besëlidhjes: I marrim pikë Besës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2021 | 11:20

“E kemi kaluar krizën, nuk përsëritet më”, kthehet Danaj, flet trajneri i Besëlidhjes: I marrim pikë Besës

Besëlidhja i ka llogaritë të qarta për këtë fundvit. Kur kanë mbetur edhe 180 minuta për të luajtur, mjaftohen me 4 pikë. Për të realizuar këtë mision, duhet që të mos largohen duarbosh sot nga Luzi. Atje i pret Besa që vjen nga dy humbje, ndaj vështirësia dihet. E megjithatë, lezhjanët i kanë marrë masat. Këtë e thotë edhe Alban Bruka për “Panorama Sport”, pak orë para se të luhet kjo transfertë.

alban bruka

“Nuk është se na shkon, por kështu erdhën kushtet. Ndryshe nga vitet e tjera, duam që fundfazën ta mbyllim në tetë vendet e para. Kriza që na kishte mbërthyer jo vetëm që është harruar, por as që nuk përsëritet. Patëm një thyerje në Berat, po erdhi për shkak të shumë mungesave nga titullarët.

E njëjta gjë edhe ndaj Butrintit, por përballë sarandjotëve ia dolëm të fitonim. Tani të gjithë vëmendjen e kemi të përqendruar te Besa. Transfertë që e kemi vlerësuar shumë dhe, për fat, grupin e kam të plotë. Janë rikuperuar dhe kthyer mbrojtësi Redinel Gjikolaj dhe mesfushori Redon Danaj, dy pika të forta në formacionin tonë.

Shpresoj që ndaj Besës të marrim pikë. Kam besim se dy ndeshjet e fundit të kësaj faze do të jenë të suksesshme. Në to ne synojmë të arrijmë pikët e plota, por edhe 4 nuk do ishin keq. Janë të mjaftueshme për të festuar të qetë festat e fundvitit”, përfundoi tekniku lezhjan.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"