“Dua të vazhdoj me Shqipërinë”, Edi Reja: Moldavinë nuk e nënvlerësoj, ja cilët do fus në formacion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2019 | 23:10

“Dua të vazhdoj me Shqipërinë”, Edi Reja: Moldavinë nuk e nënvlerësoj, ja cilët do fus në formacion

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, doli në konferencë për shtyp ditën e sotme, para ndeshjes që Shqipëria luan në transfertë nesër ndaj Moldavisë.

bandicam 2019-10-13 18-04-18-951

Në fjalën e tij, Reja u shpreh se kurrsesi nuk e nënvlerëson një ekip si Moldavia, që në Elbasan i hapi goxha punë. Tekniku italian shprehet se lojtarët i ka pothuajse të gjithë në dispozicion, dhe nuk do të bëjë shumë lëvizje në formacion.

Tashmë, përveç lojës që atij i jep një stimul pozitiv, Reja kërkon edhe rezultatet. 74-vjeçari, i cili festoi ditëlindjen vetëm pak ditë më parë, foli gjithashtu edhe për çështjen e rinovimit, ku deklaroi se do t’i pëlqente që të vazhdonte punën me Shqipërinë, por kjo pyetje duhet t’i shtrohet edhe presidentit Armando Duka.

 

KONFERENCA E EDI REJËS

Është kthyer qetësia te ekipi?

Ishim pak nervozë pas ndeshjes me Turqinë. Më shumë për rezultatin se sa për ndeshjen. E rëndësishme është që të mbajmë këtë intensitet. Rezultatet do vijnë. Kemi nevojë që të vijojmë edhe me rezultatet, jo vetëm me lojën.

Do kemi ndryshime në formacion me Moldavinë?

Më duhet akoma pak më shumë kohë për 11-shen titullarë. Nuk mendoj se do bëj ndërrime domethënëse, do bëj pak ndërrime. Nëse i kam të gjithë në formën optimale, nuk do lëviz shumë. Do vendosim nesër. Dua të shoh këtë vazhdimësi për ndeshjen me Moldavinë.

E keni nënvlerësuar Moldavinë?

Skuadrat e mia nuk nënvlerësojnë asnjë kundërshtar. Moldavia është një ekip i mirë. Edhe në Elbasan na vuri në vështirësi. Luajnë topin mirë. Do futemi me të njëjtën vendosmëri në fushë për të bërë maksimumin. Edhe Moldavia mund të na vërë në vështirësi.

Ndaj Moldavisë në transfertë…

Ne e dimë që të luash këtu nuk është e thjeshtë për ne. Ndeshjen e parë na vunë në vështirësi. Shënuam vetëm në fund. Ne do studiojmë si do vendosen në fushë ata, dhe do i përgjigjemi më pas.

Rinovimi me Shqipërinë…

Do më pëlqente të vazhdoja punën me Shqipërinë, por duhet të mbyllim këtë cikël tani. Duhet të studiojmë si shkuan gjërat në këto eliminatore, të shohim dhe pikët. Është një pyetje ku duhet të përfshihet edhe presidenti. Do isha i lumtur për të vazhduar me Shqipërinë. Skuadra më jep stimul dhe përgjigje pozitive. Do doja të vazhdonim këtë rritje dhe vazhdimësi, për të parë se deri kur do arrijmë me këtë ecuri.

Trajneri kundërshtar dhe objektivi…

Të përballem me një eksperiencë si e imja, normale që është e vështirë. Edhe ai do na ketë studiuar, dhe do na ketë ngritur ndonjë grackë. Me rëndësi është që të mos biem në grackë. Nëse jemi këtu në këto pozicione, do të thotë se jemi duke bërë mirë, sepse përndryshe nuk do interesohej kush për ne. Objektivi ynë është vendi i dytë, do luftojmë ccdo ndeshje për pikët maksimale. Ai mbetet objektivi ynë primar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"