Dosti: Rezultatet e fundit nuk tregojnë Teutën e vërtetë, në Kukës synojmë fitoren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2017 | 9:52

Dosti: Rezultatet e fundit nuk tregojnë Teutën e vërtetë, në Kukës synojmë fitoren

Teuta udhëton sot drejt Kukësit për t’u përballur me vendësit në “Zeqir Ymeri” në një sfidë delikate për objektivat që kanë durrsakët për këtë sezon. Tri ndeshje pa fitore ka bërë që Teuta të jetë tejet e mobilizuar për këtë takim, ndonëse luan në transfertë përballë kampionëve në fuqi. Pavarësisht se lundrojnë prej tri javësh në rezultate negative, në kampin durrsak nuk mungon besimi. Mesfushori Albi Dosti shprehu optimizëm në deklaratën e tij për “Panorama Sport”:

dosti beqja cyrbja

“Po kalojmë një moment shumë të vështirë. Kemi tri javë që lundrojmë mes rezultateve negative. Jemi disi të mërzitur, por jo të pezmatuar. Jemi të mërzitur për shkak të rezultateve, por loja që kemi zhvilluar në këto ndeshje të para na bën optimist, pasi me këtë lojë shumë shpejt do të vijnë rezultatet pozitive. Humbja me Partizanin, Flamurtarin dhe barazimi me Kamzën janë aksidentale.

Këto rezultate nuk tregojnë Teutën e vërtetë. Teuta e vërtetë është ajo që bën lojë. Por futbolli matet me rezultate dhe duhet të fitojmë sa më shumë pikë në ndeshjet në vazhdim. Sfida me kampionët? Kukësi është skuadra kampione në fuqi dhe të gjitha ekipet motivohen maksimalisht ndaj tij. Pavarësisht se luajmë në transfertë, ne kemi besim dhe do të zbresim në fushë për ta fituar ndeshjen.

Do të jetë një sfidë shumë e vështirë, por ne nuk i trembemi këtij fakti dhe do të kërkojmë fitoren me mënyrën e lojës sonë. Kemi respekt për kundërshtarin, por nuk kemi komplekse dhe as frikë ndaj tij. Kemi besim tek aftësitë tona dhe sot do të japim shpirtin në fushë për të siguruar fitoren. Nuk ka kohë të mendojmë për të shkuarën dhe pikët që kemi lënë.

Tani duhet të përqendrohemi te ndeshja e radhës dhe t’i bëjmë hyzmetin për t’u kthyer me pikë nga Kukësi. Skuadra ka objektiva për këtë sezon, ndaj duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë në sfidat në vazhdim, si brenda ashtu edhe në transfertë. Ne kemi besim se do t’ia dalim”, deklaroi Albi Dosti për “Panorama Sport” para ndeshjes së sotme me Kukësin.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"