Dopietat, shpërthejnë Cikalleshi dhe Gashi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2014 | 9:04

Dopietat, shpërthejnë Cikalleshi dhe Gashi

cikalleshi-620x400Gashi i dha fitoren Bazelit (3-0) ndaj Araut (në këtë ndeshje nuk luajti Taulant Xhaka, pasi vijon të jetë i dëmtuar). Sulmuesi i Kombëtares shqiptare (nuk u grumbullua nga De Biazi në dy ndeshjet e fundit miqësore për arsye teknike) shënoi fillimisht në minutën e 17-të të pjesës së parë. Ishte një krosim nga e djathta e sulmit të Bazelit, mbrojtësi i Araut bën një gafë të pafalshme, duke tentuar ta ndalë me qetësi topin në zonë, pa parë që nga pas i vinte Gashi. Ky i fundit me të majtën lëshon një predhë, e cila pasi prek traun, ulet në rrjetë. Zhbllokohet sfida, kësisoj edhe vendësit e kanë më të lehtë ta administrojnë takimin. Gjithsesi, goli i dytë do të vinte shumë më vonë, vetëm në minutën e 86-të dhe për autor pati sërish Gashin. Një kundërsulm i Bazelit solli këmbënguljen e Gonzalesit nga e djathta, i cili në fundore në hyrje të zonës në rrëshqitje e sipër arriti ta krosonte topin në zonë, aty ku nga gati pika e penalltisë vjen Gashi me të majtën, i cili e dërgon topin në rrjetë. Sakaq, ka kohë edhe për një gol tjetër, këtë herë të shënuar nga Embolo në minutën e dytë shtesë. Kjo ishte dopieta e parë e Shkëlzen Gashit në kampionat (vjet shënoi një dopietë, një tripletë dhe një poker, në total 19 gola), dhe goli i nëntë sezonal. Sakaq, kujtojmë se Gashi ka shënuar edhe një gol në Champions League në fitoren 4-0 ndaj bullgarëve të Ludogorets. Ndërkaq duhet thënë se pas golave të djeshëm Gashi ka rimarrë kryesimin e listës së golashënuesve në kampionatin zviceran, duke lënë pas Berat Sadik e Thunit me 8 gola dhe Çikhaoui, Kiumiento (Zyrih) e Shneuvli (Luzern), me nga 6 gola. Sokol Cikalleshi shënoi dy herë në barazimin e RNK Splitit ndaj NK Zagrebit, duke treguar formën e jashtëzakonshme që po kalon, e demonstruar dukshëm edhe në ndeshjet miqësore me Kombëtaren. Fillimisht ai shënoi në minutën e 33-të me penallti dhe, më pas, në të 52′ tregoi gjithë klasin e tij, teksa ndali bukur një top në hyrje të zonës dhe me të majtën, nga një largësi te 20 metrat lëshoi një predhë, që nuk i la shpëtim portierit mik. Gjithsesi, RNK Spliti i kavajasit nuk arriti që ta ruante këtë rezultat duke u barazuar. Kjo ishte dopieta e dytë e Cikalleshit në kampionat dhe goli i tij i gjashtë (i nënti, nëse marrim parasysh edhe tre të shënuar në Kupën e Kroacisë).
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"