“Dinamon e trajtuan si borgjezët”, Sejdini analizon kampionatin: Po shënohen shumë gola duke ‘vjedhur’

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2020 | 22:40

“Dinamon e trajtuan si borgjezët”, Sejdini analizon kampionatin: Po shënohen shumë gola duke ‘vjedhur’

Faruk Sejdini tregon se është diçka pozitive që po shënohet më shumë pas pandemisë, sesa përpara saj. Në një analizë për “Panorama Sport”, “Xhaxhi” flet për Superioren, zhdukjen nga harta të ekipeve historike, çfarë po ndodh me arbitrat dhe turpin që po bëhet me Dinamon.
faruk sejdini

Ish-trajneri analizon edhe fazën finale ku është futur kampionati, duke shpjeguar edhe se çfarë duhet të bëjë Tirana për t’ia dalë që ta ruajë diferencën me ndjekëset, apo se çfarë e rrezikon në këto momente.

Si e lexoni fundin e kampionatit në këtë fazë të katërt?
Në këtë fazë, Tirana është në kushte shumë delikate. Nga eksperienca që kam, them se është në pozita të tilla pasi Tirana do të futet në një trysni. Të kuptohemi, në këto javë ka ecur siç duhet, ka bërë gjithçka mirë, me harmoninë e brendshme, lojën, golat e gjithçka. Por, në fund kampionati kur pëson disfata të tilla, fillojnë kontradiktat, fillojnë llafet, fillon trysnia dhe të dridhen këmbët.
Tirana festa e golit logo
Por është gjashtë pikë para dhe ishte veç një humbje pas 17 rezultatesh pozitive…
Po e di. Tirana duhet të jetë jashtëzakonisht pragmatiste. Vetëm kështu mund t’ia dalë që ta ruajë kryesimin për të marrë titullin. E ka të vështirë, pasi ajo ka gjëra për të humbur, jo të tjerat. Dhe tek e fundit, dy ndeshje është diferenca…

Profesor, si e keni parë futbollin në këto javë të para pas pushimit të gjatë prej pandemisë?
Sigurisht që pas një pushimi të tillë aq të gjatë, do të reflektojë ana fizike. Mirëpo, deri më tani, më duket se e kanë justifikuar pasi edhe pas një pushimi të gjatë, po sakrifikojnë goxha. Është normale që na vjen keq se po luhet pa tifozë, por kësaj nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Të paktën të mbarojë.
Goli i Brojes Partizani
Sejdini, vihet re që në 3 javët pas pandemisë është shënuar më shumë sesa në 3 të fundit para ndërprerjes së futbollit. Si e shpjegoni?
Kjo vjen si pasojë e faktit që mungesa e përgatitjes së duhur fizike, për të gjitha rrethanat që dihen, bën të mundur që të vihet në punë inteligjenca. Unë mendoj se është logjike që të ketë më shumë gola. Këtë e shohim edhe në kampionate të tjera që kanë filluar, në të cilat ka gola. Kjo sepse të gjithë lojtarët mundohen që të vendosin në maksimum inteligjencën në përdorim. Goli do inteligjencë dhe po shënohet sepse edhe mbrojtësit në këtë rast kanë atë pamjaftueshmërinë që thamë të pjesës fizike. Sulmuesit apo ndonjë mesfushor përdor momentin e “vjedhjes”. Duke “vjedhur”, po shënohen gola. Në fakt, është gjë e bukur nga ana vizuale kur ndjek ndeshjet, pasi goli i jep bukurinë një takimi. Është mirë kur shënohet shumë.

Fatkeqësisht, edhe me këtë ritëm, s’janë shmangur gabimet arbitrare…
Arbitrat duhet të kenë shumë kujdes në këtë fazë kampionati, pasi është fund i kampionatit dhe nuk ka më kohë rikuperimi. Unë do të ndalesha në Kategorinë e Parë, jo se në Superiore nuk ka. Më ka bërë shumë përshtypje ndeshja mes Apolonisë dhe Lushnjës. Në atë ndeshje, ka dhënë një penallti ai arbitri (Blerim Ziri) që çdo gjë mund të ishte, vetëm 11-metërsh jo. Arbitrat duhet të jenë shumë të kujdesshëm në këto momente, pasi ka ekipe që luajnë për Kupat e Europës, për titullin kampion, për rënie apo ngjitje kategorie etj. mirëpo, një gabim në këtë moment, kushton shumë sepse nuk ka kohë për t’u korrigjuar më. Sindroma “arbitër” këtu te ne do të mbetet.

Cila është kjo sindromë sipas jush dhe çfarë do të mbetet?
Është diçka historikisht e njohur te ne. Unë kam mendimin që, në një formë apo në një tjetër, nuk ka pavarësi të arbitrave. Për të vijuar idenë e asaj ndeshjes në Kategorinë e Parë, vetëm gabim njerëzor nuk mund të quhet ajo që ndodhi atje. Ishte aq flagrante sa të habiste. Përveçse i ndërgjegjshëm që e ka lënë atë penallti, nuk mund të jetë kurrsesi gabim njerëzor. Sepse nuk kish arsye për të gabuar në këtë mënyrë.

Po nëse bëhet një gabim i tillë në përballjen direkte mes dy ekipeve që luajnë ngjitjen në Superiore, si lexohet atëherë?
Ndikohet i gjithë kampionati. Është puna e një viti të tërë, sakrifica, gjithçka që ka ndodhur në një sezon. Është e natyrshme që në fund të kampionatit, trysnia sa vjen dhe shtohet, por arbitrat duhet t’i rezistojnë. Përndryshe, ndeshjet pa përgjegjësi i arbitroj edhe unë pastaj.
Jemini
Lidhur me këtë, mjaft të themi që ish-ndërkombëtari Jemini u hoq me një të rënë të lapsit. Ndaj si mund të ketë arbitra të përgjegjshëm?
E di si e kuptoj unë përgjegjësinë, me atë që ka bërë ai arbitër në atë ndeshje, duhet dënuar patjetër në mënyrën më të rëndë të mundshme: Ik se nuk ke më punë me këtë kampionat. Kur ta falin ta falin, po u desh të falet në të ardhmen. Referuar Jeminit, përderisa e dënon një arbitër që ka një farë reputacioni, që ka kredibilitet, do të thotë se ai nuk i ka shkuar pas avazit dikujt… Edhe këta, kur bëjnë këto lloj gabimesh dhe vazhdojnë prapë të arbitrojnë, deduksioni logjik do të thotë se këta u shkojnë pas avazit atyre që i kanë në dorë. Është e çuditshme…
Luftetari-Flamurtari
Me rënien e Flamurtarit dhe Luftëtarit, hartës së elitës i largohen dy qytete me histori…
Unë mendoj se këto dy ekipe, me të vërtetë janë me traditë futbolli, por tani u bë si praktikë pune, si diçka e rëndomtë. Doli Partizani, Tirana, ka dalë Dinamo pra është bërë si të thuash si rrotacion. Sipas meje, është për të ardhur keq që e prenë shumë shpejt biletën. Dalja e tyre pa u luajtur ende tetë ndeshje bën që të jenë çelësi i kampionatit. Mund ta prishin kampionatin.

Pse po fshihet historia nga harta, pasi skuadrat historike po i shtohen të Parës dhe po ikin nga Superiorja?
Problem në vendin tonë u bë se futbolli ka të bëjë me anën ekonomike. Futbolli varet nga lekët, kush ka financa, reziston, kush nuk ka, del. Le të jetë cilado skuadër. Pra është bërë një biznes, një diktat pak i shëmtuar.
dinamoo-770x355
Ju me të drejtë thoni këtë, po në rastin e një klubi si Dinamo, i kanë marrë edhe selinë, fushat dhe gjithçka…
E dini si më duket historia me Dinamon, si në vitin 1944. Atëherë kur hyri Partia e Punës, ua mori gjithçka atyre që i quajti borgjezë. Janë të tillë, ua kanë pirë gjakun popullit dhe ua morën gjithçka. Edhe Dinamon e trajtuan si borgjezët. E trajtuan pa të drejtë kështu. Së dyti, nuk është se dëmtuan vetëm këtë ekip, por të gjithë futbollin shqiptar. Ajo ishte shkollë, prodhonte dhe ndihmonte futbollin dhe ekipin kombëtar. Qarkullonte lojtarë që i jepnin bukurinë kampionatit dhe sillnin spektatorë në shkallë. Ata me një të rënë të lapsit, e katandisën ashtu. Nuk ka asnjë kuptim. Vetëm në Shqipëri ndodh që të shembet një klub për të bërë zyra, pasi në të gjithë botën shemben zyrat për t’i bërë fusha dhe klube futbolli. Këtu ia morën gjithçka një klubi, e shembën, ndërtojnë zyrat dhe mburren se i kemi ndërtuar kaq milionë. Ky nuk është futboll… Më thoni se mbase unë nuk e di tamam, pasi ai nuk më duket Komiteti Qendror. Por po ndodh si në kohën e Enverit, që po bënte Partia Komitetin Qendror dhe të bëhet ç’të bëhet me të tjerat. Mjaft që po e bën partia. Është turp!

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"