“Diktat” i Teutës, në Kavajë ndalet Vllaznia. Xhafaj: Fitoj bastin me veten dhe Maganin

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Tetor 7, 2013 | 12:45

“Diktat” i Teutës, në Kavajë ndalet Vllaznia. Xhafaj: Fitoj bastin me veten dhe Maganin

Teuta 1TEUTA-VLLAZNIA 3-2
GOLAT Xhafaj 18′, 85′, Nika 75’/ Bushiç 54′, 62′
TEUTA: Rizvani, Idrizaj (Mancaku 73′), Osmani, Jakupi, Da Silva (Deliallisi 86′), Nika, Dosti, Hodo, Ahmataj, Murriqi (Mustafaj 63′), Xhafaj. Trajner: Gugash Magani
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Gocaj, Beqiri (Bardulla 46′), Semina, Sykaj, Belisha, Tafili, (Dema 87′), Kruja, Shtubina, Hajdari (Boci 76′), Bushiç. Trajner: Agim Canaj
KARTONË TË VERDHË: Mancaku 80’/ Bardulla 67′ Sykaj 86′
VËZHGUES: Astrit Mema
DELEGAT: Enton Lita
GJYQTARET: Kridens Meta/ R.Avdo dhe G.Qirici

MINUTAT
13′ Da Silva shmang një mbrojtës, godet nga brenda zonës, grushton Vujadinoviç.
15′ Hajdari provon nga distanca, në ecje e sipër, por topi përfundon jashtë.
18′ Xhafaj brenda zonës fiton dyluftimin me Beqirin, gjuan, duke shënuar golin e parë, 1-0.
30′ Dosti ekzekuton mjeshtërisht një goditje dënimi, por portieri mik grushton përsëri.
40′ Protagonist sërish Vujadinoviç, i cili grushton me shumë vështirësi një top të fortë të gjuajtur nga Murriqi.
44′ Kros në zonë, Tafili arrin të godasë me kokë, por jashtë.
54′ Bushiç shfrytëzon mjeshtërisht një krosim në zonë dhe me kokë arrin të shënojë, 1-1.
62′ Gafë e Jakupit dhe Rizavanit. Mbrojtësi ia kthen topin portierit. Ky i fundit nuk e kupton veprimin e mbrojtësit dhe aty Bushiç ia vjedh topin dhe arrin të shënojë dopietën e tij, 1-2.
67′ Bushiç fiton dyluftimin me Jakupin, godet, por Rizvani në dy kohë pret.
75′ Mancaku kalibron një harkore në zonë dhe aty Nika fluturimthi godet fort e bukur dhe i barazon shifrat, 2-2.
79′ Daniel Xhafaj i vidhet një mbrojtësi, godet, por Vujadinoviç grushton.
85′ Nika kroson nga e djathta e sulmit në zonën kuqeblu, Xhafaj në shtyllë të dytë vjen nga pas krahëve të mbrojtësit, duke e devijuar topin në rrjetë, 3-2.

Triumfon sërish Teuta e Gugash Maganit, që nuk ka lejuar të lëshojë terren në lidhje me kreun. Daniel Xhafaj, kryegolashënuesi i Superiores me 6 gola, mund rivalin kuqeblu, Bushiç, me një gol më pak, duke bindur në një farë mënyre edhe më skeptikët karshi tij. Dy dopieta, për secilën skuadër, me autorë këta dy futbollistë të spikatur në kampionatin shqiptar, por me “djemtë e detit” që dalin sërish me pikë të plota nga fusha e Kavajës (luajnë aty për shkak të rikonstruksionit të stadiumit “Niko Dovana”). Ndërkohë, pika kyçe e ndeshjes mund të konsiderohet aktivizimi i Mancakut nga trajneri Magani, në kohën kur rezultati ishte 2-1 për kuqeblutë. Nga këmbët e veteranit durrsak gatuhen dy golat e përmbysjes, fillimisht përmes një krosimi perfekt nga e majta e sulmit, për te shkodrani Nika, që në ecje e sipër godet rreptë dhe barazon shifrat, pastaj në pasimin e zgjuar për tek autori i golit të dytë durrsak, që bën të njëjtën gjë në asistimin e Daniel Xhafajt. Vlonjati vulos fitoren rokamboleske të “djemve të detit” në minutën e 83-të, duke mos lejuar që skuadra e tij të dilte me vetëm një pikë nga ndeshja e javës së 7-të.
Ndeshja Durrsakët e nisin ndeshjen në sulm, duke ushtruar presion në portën e Vllaznisë që në minutat e para. Janë disa goditje rresht të Dostit, Da Silvës, të cilat Vujadinoviç diti t’i neutralizonte. Për të ardhur te minuta e 18-të, kur Daniel Xhafaj fiton një dyluftim me Beqirin dhe arrin të shënojë golin e avantazhit. Goli zgjon menjëherë Vllazninë, e cila kërkon të shohë përpara. Miqtë nisin ta qarkullojnë topin më mirë falë Belishës e Tafilit dhe Vllaznia nis të rrezikojë. Është Hajdari që ngacmon, më pas edhe Bushiç, por përtej lojës Vllaznia nuk gjen dot golin e barazimit. Teuta shkon në pushimin 15- minutësh mes dy pjesëve në avantazhin minimal. Udhëzimet e trajnerit Canaj kanë ndryshuar shumë gjëra te Vllaznia, e cila del me mendje të mbledhur në pjesën e dytë. Shkodranët e spostojnë lojën në gjysmëfushën durrsake, duke mundësuar edhe barazimin në minutën e 54-t. Është pikërisht sulmuesi Bushiç, ai që e dërgon topin në rrjetën e Rizvanit, duke rihapur gjithçka. Nuk vonon shumë dhe i njëjti lojtar e kalon Vllazninë në avantazh, Bushiç në minutën e 62-të, duke i goditur jo pak psikologjikisht durrsakët.
Përmbysja Me këtë përmbysje gjithsesi Teuta nuk hutohet dhe ndërrimet e Maganit bëjnë efektin e tyre. Do të jetë Mancaku, ai që “gatuan” golin e dytë, teksa jep një harkore ideale për Nikën, i cili i përgjigjet akoma më bukur kur në ajër shtrin këmbën dhe barazon. Nga ky moment Teuta beson se do fitojë dhe nis sulmet drejt portës kundërshtare. Në minutën e 85-të është Xhafaj që, si askush tjetër, u vidhet mbrojtësve dhe te shtylla pingule godet dhe e kalon Teutën në avantazh. Ekipi, tifozët dhe stafi kalojnë në ekstazë të merituar, kjo pasi pas pësimit të golit të disavantazhit shumë pak besonin te përmbysja e “djemve të detit”. Janë gola m’u nën “hundët” e mbrojtësve shkodranë që me të drejtë Agim Canaj i gjykon si shkaktarë të humbjes. Elvin Beqiri në pjesën e parë (gabim te goli i parë) dhe më pas Sykaj e Semina te dy golat e tjerë tregojnë pasditen e dobët të repartit defensiv të kuqebluve. Natyrisht, këtu s’duhet harruar kurrë aftësia dhe vlerat e sulmuesve durrsakë, sidomos Xhafajt, që di të gjendet në kohën dhe në momentin e duhur. Një fitore kjo e Teutës, që ngjit bregdetarët në krye të klasifikimit.

MË I MIRI
Daniel Xhafaj dhe Bushiç ishin më të mirët në fushën e lojës. Që të dy sulmuesit bënë diferencën në krahasim me lojtarët e tjerë të të dyja skuadrave në fushë, kjo jo vetëm për faktin se shënuan nga një dopietë secili, porse janë sulmues dhe nuhatës të vërtetë goli. Mjafton të shikosh të dy golat e dytë, si të Bushiç dhe Xhafajt, për t’u bindur për aftësitë e këtyre dy lojtarëve.

MË PAK AKTIVI
Klodian Semina dhe Arsen Sykaj. Që të dy mbrojtësit ishin absolutisht më të dobëtit në fushën e lojës. Tre gola të pësuar, që të tre në qendër të mbrojtjes dhe me gabime gati deri edhe në vendosje. Keq te Vllaznia edhe Elvin Beqiri, i cili jo pa qëllim u la në dhomat e zhveshjes që në pushim të takimit. Sakaq, te Teuta si rrallëherë stonoi mbrojtësi i qendrës, Akil Jakupi.

MaganiMagani: Fitore e veçantë, meritë e ekipit dhe Xhafajt
Gugash Magani, numri një i pankinës së Teutës, në konferencën për shtyp pas përfundimit të takimit u shpreh mjaft i kënaqur për fitoren ndaj Vllaznisë. Sipas tij, meritë për këtë ka i gjithë grupi, i cili tregoi karakter duke përmbysur rezultatin. “Merita e parë për këtë fitore të arritur ndaj Vllaznisë është pa dyshim e të gjithë skuadrës që tregoi karakter në fushë dhe për këtë dua ta falënderoj. Shpesh Teuta ka fituar në pjesën e dytë, por sot (dje) kishte të veçantë diçka tjetër, që edhe gjatë 45 minutave të para kemi dominuar në lojë e raste. Ndryshe fillimi i pjesës së dytë, kur kundërshtari i vendosur shumë mirë nisi të kërkonte rezultatin, duke luajtur në ofensivë. Duke parë këtë, bëra një ndërrim, në mënyrë që ta kapnim në kundërsulm kundërshtarin. Kështu, në minutën e 63-të largova Muriqin nga fusha e lojës dhe në vend të tij futa Mustafajin, për të cilin kam rezervat e mia. Ne e pësuam golin e parë nga një goditje standarde, edhe të dytin po për një gabim tonin. Po ja që futbolli prandaj është i bukur, se edhe gabimet janë pjesë e lojës. Megjithatë, mund ta them me krenari se të gjithë lojtarët meritojnë komplimente, edhe sulmuesi Daniel Xhafaj, i cili është lojtari ynë më i mirë për momentin”, – ka përfunduar numri një i pankinës durrsake, Gugash Magani.

Agim Canaj ne Vllaznia-Laci 3-0Canaj: Bëmë gabime amatoreske, s’na falen
Numri një i pankinës së Vllaznisë, Agim Canaj, pas ndeshjes ka pranuar se ishin të ndërgjegjshëm për vështirësitë që ajo kishte. Ai tha se do ta analizojnë në detaje këtë takim, duke parë golat e shënuar, të cilët, sipas tij, ishin foshnjarakë. Canaj ka shtuar se gabime që u bënë vështirë të kapërdihen, në një kohë që e kishin në dorë situatën. “E dinim se ndeshja do të ishte e vështirë, sepse luanim kundër një skuadre të fortë siç është Teuta. E pësuam golin e parë nga një gabim i yni. Më pas arritëm të marrim mesfushën dhe të krijonim 3-4 raste për shënim. Në 45 minutat e dyta hymë me tjetër psikologji dhe arritëm të shënojmë dy herë, madje mund të shënonim edhe gola të tjerë. Ne pësuam 3 gola në qendër të mbrojtjes nga gabime foshnjarake, të cilat duhet t’i shohim me lupë. Kjo sepse janë gabime që nuk mund të bëhen në një ndeshje futbolli, aq amatoreske ishin. Prandaj do t’i analizojmë me imtësi. Po e përsëris edhe njëherë, se ishin 3 gola amatoreskë dhe nuk e di çfarë mund të thotë një trajner. Gabime të tilla vështirë të kapërdihen nga gjithë qyteti dhe ne si staf teknik. E kishim lojën krejt në dorë, mirëpo na rrëshqiti. U bënë kaq vite trajner, nuk kisha parë ndonjëherë një rast të tillë”, – ka përfunduar trajneri i kuqebluve, Canaj.

XhafajXhafaj: Fitoj bastin me veten e Maganin
Daniel Xhafaj po përjeton një rini të dytë. Në këto javë të para të kampionatit, tashmë është bërë të themi që: sa herë shënon Teuta, të thuhet Xhafaj, pasi është ai që vendos. Dhe këtu nuk bën përjashtim as sfida e djeshme me Vllazninë, ku goleadori i durrsakëve realizoi atë dopietë duke e çuar ekipin drejt fitores. Xhafaj jo vetëm që po bëhet protagonist me golat e tij, por është i kudondodhur në fushë, duke vrapuar përgjatë 90 minutave. Në lidhje me këtë formë fizike, Daniel Xhafaj është shprehur se gjithçka ia dedikon stërvitjes së verës. Pas përfundimit të ndeshjes, në një bisedë për “Panorama Sport”, ai është shprehur se po fiton bastin me veten, por edhe trajnerin Gugash Magani. “Sigurisht që i keni dëgjuar zërat në verë se Xhafaj tashmë po mbyll karrierën. I pashë, i lexova e i dëgjova dhe bëra një betim me veten, që ia shpreha edhe trajnerit Gugash Magani. Do të stërvitem dyfish si asnjëherë më parë, të dëshmoj të kundërtën. Dhe në fakt, po ia arrij më së miri nga ndeshja në ndeshje dhe për këtë jam i kënaqur. Kjo pasi po arrij të fitoj atë që thashë edhe më sipër, bastin me veten, për të qenë golashënuesi i Teutës”. Përtej këtij basti, bomberi Daniel Xhafaj ka edhe diçka si të veçantë për këta gola të shënuar: “Sigurisht që e para mbetet familja, e cila është gjithnjë një mbështetje e madhe, kuptohet shokët dhe veçanërisht trajneri Magani. E dini ju që edhe shtyllat e portës së stadiumit ‘Besa’ më njohin dhe i pranojnë më me gëzim golat e mi (qesh). Nuk jam supersticioz, por nganjëherë përtej djersës është edhe çështje fati. Ju e dini që kam luajtur me skuadrën e Besës dhe kam shënuar jo pak. Me sa duket, ajo klimë vijon edhe tani, pra gola po në këtë stadium”, – ka përfunduar sulmuesi i Teutës, Daniel Xhafaj, i cili kryeson listën e golashënuesve me 6 gola të realizuar deri më tani.

Bushiç: Jemi të gjithë fajtorë për humbjen
Tomislav Bushiç, sulmuesi kroat i Vllaznisë, në përfundim të takimit me Teutën ka shprehur keqardhje që golat e tij nuk i dhuruan pikë skuadrës. Sipas tij, të gjithë ishin fajtorë për këtë dështim. Megjithatë, ai ka premtuar se do të vazhdojë të shënojë gola të tjerë në ndeshjet e ardhshme të kampionatit, me shpresën se do të jenë decizivë. “Më vjen keq që golat e mi nuk i dhuruan pikë Vllaznisë. Mendoj se me lojën që zhvilluam nuk meritonim humbjen”. I pyetur se cilët janë faktorët, sipas tij, që çuan në humbje, Bushiç me modesti përgjigjet: “Për mua gabuam të gjithë, ndaj të gjithë jemi fajtorë për këtë dështim. Mirëpo, unë do vazhdoj të shënoj dhe shpresoj që gola të tjerë të dhurojnë pikë, jo si në takimin e sotëm (dje)”, – u shpreh kroati i kuqebluve, Bushiç.

Gjashtë gola në 2 ndeshje, mbrojtja kuqeblu nën akuzë
Deri para dy javësh ishte një nga më të mirat e kampionatit, ndërsa kanë mjaftuar vetëm dy takime: ndaj Skënderbeut dhe kundër Teutës, që Vllaznia të pësojë gjashtë gola. Kjo tregon edhe për pështjellim që ka pësuar reparti i mbrojtjes së kuqebluve, lojtarët e të cilit kanë bërë gafa të papara. Kujtojmë që në ndeshjen e së enjtes në dy raste mbrojtësit nuk ditën të aplikonin më së miri pozicionin jashtë loje dhe Pejiç i ndëshkoi. Ndërsa dje, që të tre golat e Teutës u shënuan në qendër të mbrojtjes, nga gabime kryesisht të Sykajt, Beqirit dhe Seminës. Kujtojmë gjithashtu se dje trajneri Agim Canaj nuk ka pasur në dispozicion për takimin e djeshëm edhe qendërmbrojtësin malazez Blazho Rajoviç, i cili u dëmtua të enjten në takimin me Skënderbeun. Nëse do të operohet, me shumë gjasa, ai do mungojë të paktën një muaj.

Teuta, 13 pikë për pesë sfida në impiantin e Besës
Stadiumi i Kavajës i ka sjellë goxha fat Teutës së Durrësit, kjo pasi në pesë ndeshje të luajtura gjatë këtij sezoni në këtë impiant ka arritur të marrë 13 pikë. Kështu, durrsakët kanë fituar të gjitha ndeshjet si skuadër pritëse, ndaj Bylisit 2-1, Flamurtarit 2-1, Tiranës 2-0 dhe Vllaznisë 3-2, si dhe kanë barazuar me Besën 2-2. Kjo tregon se edhe pse ka luajtur jo në shtëpi, pra jo në “Niko Dovana”, Teuta sërish ka qenë një skuadër e fortë. Ndërkohë, sipas informacioneve, takimi i parë që Teuta do të luajë në “Niko Dovana”, pas rikonstruksionit të fushës, do të jetë ai i 26 tetorit ndaj Laçit për javën e nëntë të Superiores. Deri atëherë, durrsakët do të luajnë me Skënderbeun në Korçë më datë 19 tetor (java e 8-të) dhe më 23 tetor me Besëlidhjen në Lezhë, për Kupën e Shqipërisë.

Arbitri e fal, Mancaku meritonte të kuq
Nuk ka kaluar as ky takim pa pak moviolë. Edhe pse në tërësi ishte një ndeshje e mirë, me nivel dhe e arbitruar në mesataren e duhur nga ana e gjyqtarit Kridens Meta, sërish pati problematikë, në aspektin e vendimmarrjes konform rregullores. Kështu, në minutën e 80-të, Gocaj ndërhyri në rrëshqitje ndaj Mancakut duke ia larguar topin. Por, në atë dyluftim sulmuesi durrsak e dëmtoi paksa Gocajn me këmbën në bark. Gjithsesi ajo që përbënte rast për karton të kuq ishte mënyra sesi Mancaku reagoi në ato momente, duke e tërhequr këmbën me inat, gati edhe duke i gjuajtur Gocajt. Menjëherë ndërhynë lojtarët e tjerë dhe arbitri dha vetëm karton të verdhë për Mancakun

Duka-Bizhdili, harrohen akuzat e ndërsjella
Takimin e djeshëm në stadiumin e qytetit të Kavajës e ka ndjekur edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka (një ditë më parë pikërisht në këtë stadium ishte trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, i cili ndoqi takimin Besa-Flamurtari 2- 0). Kreu i FSHF-së ka qenë nën shoqërinë e presidentit të Teutës, Edmond Hasanbelliu (një nga drejtuesit më të vjetër në futbollin shqiptar), si dhe ai i Besës, Nexhat Bizhdili. Kujtojmë që ky i fundit ka lëshuar në të shkuarën jo pak herë deklarata akuzuese ndaj Armando Dukës, por gjithsesi dje ishte i ulur pranë këtij të fundit, duke harruar totalisht ato çka deklaruar më përpara. Nuk ka munguar në këtë ndeshje edhe kryetari i Bashkisë së Shkodër, njëkohësisht edhe president i Vllaznisë, Lorenc Luka.
FERIZ FERIZAJ





www.minuta90.com