“Dhamë maksimumin”, Gjyla për sezonin e Lushnjes: Nuk jemi në Superiore për faj të gjyqtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2020 | 16:59

“Dhamë maksimumin”, Gjyla për sezonin e Lushnjes: Nuk jemi në Superiore për faj të gjyqtarëve

Lushnja e mbylli sezonin e treta dhe për rrjedhojë do i duhet që të qëndrojë edhe një tjetër vit në Kategorinë e Parë. Ilir Gjyla priste ngjitjen, e megjithatë ndeshja e fundit “shoi” çdo mundësi. Në një bisedë me gazetën “Panorama Sport”, trajneri analizon krejt kampionatin dhe hapur e thotë që nuk ka asnjë pishman.

gjyla

“Që të hysh në Superiore, duhet të jesh i pranueshëm dhe unë këtë e kam thënë me mijëra herë. Megjithatë, ajo çfarë iku, iku. Ne jemi të qetë sot. Një analizë të detajuar mund ta jepnim edhe më vonë. Por, edhe sot (dje) mund të nxjerr disa konkluzione. Mendoj, që ne i kemi marrë skuadrës maksimumin. Për këtë nuk kam asnjë dyshim në vetvete. Nëse nuk jemi të parët ose të dytët, kjo ndodhi jo vetëm prej fajit tonë, por edhe të tjetërkujt. Më saktë dhe shqip fare, të gjykimeve. Kemi disa pikë të hequra nga gjyqtarët. Prandaj, them që futbollistëve u kemi marrë maksimumin. Ata kanë qenë seriozë gjatë gjithë kohës. Kemi punuar dhe jemi skuadra e vetme që kemi filluar stërvitjen në datën 1 korrik të vitit 2019. Jemi e vetmja skuadër në Kategorinë e Parë që kemi bërë fazë përgatitore verore dhe dimërore. Ashtu siç do të bëjmë prapë edhe tani. Këto i them sepse kemi qenë grup i përgatitur fizikisht e teknikisht. Ndaj e them, ekipit ia kemi marrë të gjitha. Kjo skuadër më shumë se kaq nuk mund të bënte dot”, ka thënë fillimisht tekniku lushnjar, i cili është konfirmuar nga presidenti i klubit Fatos Tushe edhe për sezonin 2020-2021.
lushnjaaaa

Në lidhje me të ardhmen, Ilir Gjyla shprehet: “Nuk e kam idenë akoma. Ne i kemi lënë futbollistët pushim. Unë i mblodha të hënën dhe i falënderova për atë çfarë kanë dhënë gjatë kampionatit. Këto fjalë që po i them në ‘Panorama Sport’, ua thashë edhe atyre. Përtej ndonjë gabimi, bënë mirë. Në veçanti vlerësoj jabanxhinjtë, që sakrifikonin vajtje-ardhje. Do të thoni ju anën financiare e kishin, por pak rëndësi ka kjo. Për ecurinë, unë me të vërtetë jam konfirmuar. Do të mblidhemi me stafin ose presidencën, për të vënë pikat mbi ‘i’ se çfarë objektivi do të kemi për vitin tjetër. Kemi kohë dhe nuk mund të flasim sot se çfarë do të bëhet. Ne nuk dimë kur fillon kampionati. Janë shumë pikëpyetje, ndaj nuk mund të flas dot tani. Pasi ndërton skuadrën, flet për vitin tjetër. Do të ulemi me presidencën për sezonin e ri, ndërsa me shefin e klubit kemi biseduar”, përfundoi numri një i pankinës së Lushnjës.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"