Dëmtimi në tendinë dhe kofshë, Argent Halilaj mbyll vitin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2016 | 11:24

Dëmtimi në tendinë dhe kofshë, Argent Halilaj mbyll vitin

Argent Halilaj mbyll vitin. Portieri vlonjat i Flamurtarit i jep fund këtij viti për shkak të dëmtimit që pësoi në ndeshjen me Vllazninë e Shkodrës që u luajt në Vlorë ditën e premte të javës së kaluar. Dëmtimi ka rezultuar mjaft problematik dhe shumë i rëndë, duke e lënë për shumë kohë jashtë fushe portierin Halilaj. Portieri vlonjat i Flamurtarit, Argent Halilaj, në minutat e fundit të ndeshjes me Vllazninë, pësoi një dëmtim të rëndë.

flamurtari halilaj

Nga ekzaminimet paraprake rezulton se “gardiani” ka dëmtim të tendinës. Por, sikur të mos mjaftonte kjo, portieri Halilaj ka pësuar edhe një tjetër dëmtim në muskulin e kofshës. Sipas mjekëve, si pasojë e këtyre dëmtimeve, Argent Halilaj pritet që të mungojë në fushën e blertë nga 6 deri në 8 javë. Në këto kushte, sipas përllogaritjeve, portieri i bie që të rikthehet vetëm në muajin shkurt të vitit që vjen.

Pritet që Halilaj gjatë këtyre ditëve të kryejë edhe një rezonancë për të mësuar edhe më mirë shkallën e dëmtimit. Por, paraprakisht, mjekët kanë arritur në konkluzionin që nuk kemi të bëjmë me një dëmtim të lehtë, por me një dëmtim që do ta lërë larg fushave portierin, për tetë javë.

Keqardhja

Portieri Argent Halilaj shpreh keqardhjen e tij për kohën e gjatë që i duhet që të qëndrojë larg fushës. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Halilaj tha se gjendet në Tiranë për shkak se është duke kryer kontrollet përkatëse si pasojë e dëmtimit. Portieri shpreson që të rikthehet sa më shpejt, por e gjithë kjo do të varet nga shkalla e dëmtimit. Halialj thotë se, për shkak të dëmtimit, ndien dhembje në këmbë.

“Më vjen shumë keq që më ndodhi ky dëmtim. Shpreh keqardhjen time që më duhet të qëndroj larg fushave, por nga ana tjetër uroj që të rikthehem sa më shpejt. Për momentin ndodhem në Tiranë për shkak se po kryej ekzaminimet dhe do të kryej edhe një rezonancë për të përcaktuar më mirë edhe shkallën e dëmtimit.

Aktualisht ndiej shumë dhembje. Nuk di se çfarë të them më tepër, përveçse keqardhje për dëmtimin dhe urimit që të mos jetë një dëmtim i rëndë, por do të thosha se edhe i lehtë nuk është dhe rikthimi im, do të varet edhe nga terapia që do të bëj”, u shpreh Halilaj.

Shansi

Argent Halilaj ishte titullar i padiskutueshëm në portën vlonjate. Në të gjitha ndeshjet që Flamurtari ka luajtur deri më tani, ai ka qenë që nga minuta e parë. Por, dëmtimi i tij pritet që të jetë një shans edhe për portierin tjetër Stivi Frashëri. Portieri Frashëri deri më tani nuk e ka pasur mundësinë që të tregojë veten te Flamurtari për shkak të minutave jo të mjaftueshme që ka marrë.

Në kushtet kur Halilaj është dëmtuar, Frashërit i del që të jetë titullar për një kohë të gjatë. Portieri korçar, që u bashkua me Flamurtarin në nisje të këtij sezoni, që pas ndeshjes miqësore me Apoloninë në Fier, duhet që tani të tregojë se sa vlen, ndërsa kjo periudhë do të shërbejë edhe si një test për të.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"