CHAMPIONS/ Ndeshje historike për Apoloninë U-19, sot sfidon kazakët e Astanës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2022 | 12:23

CHAMPIONS/ Ndeshje historike për Apoloninë U-19, sot sfidon kazakët e Astanës

Në Fier janë me “sy e veshë” tek Apolonia U-19. Kampionët e Shqipërisë kanë udhëtuar prej ditës së martë drejt Kazakistanit, për të nisur zyrtarisht rrugëtimin e tyre në UEFA Youth League. Atje i pret Astana, për të luajtur të parën ndeshje për raundin e parë.

apolonia u19

Stafi teknik ka grumbulluar për këtë ndeshje portierët Henri Bega dhe Divaldo Zema, mbrojtësit Florian Cakaj, Arlind Kurti, Aristotel Borova, Albi Pali, Neki Fejzulla, Enea Borova, mesfushorët Enea Topi, Mikael Rakipaj, Klejdi Hoxha, Gledis Zoga, Xhoel Lutaj, Alvi Mezani, si dhe sulmuesit Redi Kaçanolli, Erald Maksuti e Xhovalin Trifoni.

Ndeshja nis në orën 15:00 dhe do të luhet në stadiumin “Astana Arena”. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Bledar Borova shfaqet optimist për këtë duel. Ai paralajmëron se të rinjtë do të tentojnë kualifikimin.

“Më 31 gusht është hedhur shorti i Champions-it, përmes të cilit kemi njohur kundërshtarin tonë. Ne i kishim filluar përgatitjet shumë shpejt, në mënyrë që të jemi në lartësinë e duhur para këtyre ndeshjeve europiane. Në futboll kurrë mos thuaj kurrë, sado e vështirë të jetë përballja asnjëherë nuk ekziston fjala e pamundur. Hyjmë si të barabartë e me kokën lart, që më 5 tetor të tentojmë kualifikimin dhe realizuar ëndrrën”, tha fillimisht tekniku i 19-vjeçarëve.

Më tej ai foli edhe për ekipin e parë. “Të them të drejtën, skuadra po rritet dita-ditës dhe po shkon drejt gjendjes fizike optimale. Shoh që Klevis Dalipi është shumë kërkues, i qartë në atë që do nga skuadra dhe mbi të gjitha beson dhe i mbështet shumë lojtarët e rinj. Këto veçori më bëjnë të mendoj se është zgjedhja e duhur për pankinën. Më vjen mirë që pjesë e ekipit të parë, janë edhe lojtarë të U-19. I kam stërvitur prej vitesh dhe jam i vetëdijshëm për aftësitë e cilësitë që kanë. Ata do jenë protagonistë shumë shpejt. Mbrojtësit Kurti e Ndubuisi, mesfushorët Topi e Mezani, gjithashtu sulmuesi Maksuti kanë treguar se janë një vlerë e shtuar për Apoloninë e sezonit të ri”, përfundoi Borova.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"