Çfarë “thrilleri” turk, por kualifikohet Reali

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2013 | 9:06

Çfarë “thrilleri” turk, por kualifikohet Reali

cristiano-ronaldo-656-second-goal-in-galatasaray-3-2-real-madrid-in-2013Mrekullitë në futboll ekzistojnë dhe kjo frazë ka nisur të jetë në modë në vitet e fundit, por as në “Ali Sami Jen” nuk u vërtetua një e tillë. Fatih Terim dhe skuadra e tij tentuan të bëjnë diçka magjike, besuan se mund ta bënin këtë kur në minutën e 73-të e panë veten në avantazh 3-1 (u duhej minimalisht fitorja 5-1 për të kaluar), por në fund Reali i Madridit parakalon në Stamboll, me disa drithërima, por pa plagë të rënda. Pjesa e parë sheh protagonist vetëm Ronaldon, ndërsa e dyta është e denjë për skenarin e një thrilleri, që fatmirësisht nuk transformohet në horror, por në fund Zhoze Murinjo dhe të tijtë marrin frymë lirshëm, pasi munden 3-2, por pa harruar që shëtitja e parë 3-0 në Madrid kishte vulosur biletën e gjysmëfinaleve.

GALLATASARAJI-REAL MADRID 3-2
GOLAT:
Eboue 57′, Shnajder 72′, Drogba 73′ / Ronaldo 8′, 93′
GALLATASARAJ (4-4-2) Muslera; Eboue (80′ Elmander), Zan, Kaja, Riera; Inan, Melo, Altintop (46′ Amrabat), Shnajder; Drogba, Bulut. Trajner: Fatih Terim REAL MADRID (4-2-3-1) Lopez; Koentrao, Varane, Pepe, Esien (30′ Arbeloa); Khedira, Modriç; Ozil, Di Maria, Ronaldo; Higuain (73′ Benzema). Trajner: Zhoze Murinjo
KARTONË TË VERDHË: Shnajder 20′, Eboue 45′, Amrabat 94′ / Arbeloa 89′.
I KUQ: Arbeloa 90′
GJYQTAR:  Stefan Lanoi (Francë)

Mjafton Ronaldo Gallatasaraji, e cila duhej të përballej me një mision thuajse të pamundur, e bën totalisht të pamundur kualifikimin, vetëm pas 8 minutash lojë, kur Ronaldo, i vetmi që kishte dëshirë të luante dje nga skuadra e tij, finalizon siç duhet një aksion të nisur nga Ozili. Kaq mjafton dhe Gallatasaraji bie në tapet, sepse vërtet të zotët e shtëpisë vizitojnë shpesh zonën kundërshtare, por gjakftohtësia dhe kthjelltësia mungojnë totalisht në sulm. Të vetmet raste që frikësojnë realisht Realin është kontakti në zonë mes Koentraos dhe Ebouese, me gjithë turqit që kërkojnë penallti dhe në të 40-ën, kur Bulut rrotullohet bukur në zonë, por gjuajtja e tij është pak milimetra mbi traversë dhe pjesa e parë shuhet pa shumë zhurmë në shifrat minimale 1-0.
Përmbysje “e çmendur” Gallatasarajit i duheshin pesë gola për të kaluar dhe diçka e tillë në 45 minuta është thuajse e pamundur, duke qenë se përballë ke Realin e Madridit, por duke mos pasur asgjë për të humbur, të zotët e shtëpisë luajnë pa frikë. Në minutën e 12-të ndodh diçka fantastike: Ronaldo i lëshuar në zonë bën gafën më të madhe të karrierës, duke shpërdoruar një gol të sigurt, pas asistit perfekt të Di Marias, por në kundërsulmin që pason Shnajder fton Ebouenë të godasë në hyrje të zonës dhe “predha” e afrikanit është e pakapshme për Lopezin. Reali nuk tronditet dhe vazhdon të mbajë një ritëm të ulët, por Murinjo dhe skuadra e tij tmerrohen mes minutës së 72-të dhe të 73-të, duke pësuar dy gola të menjëhershëm. I pari është një supergol i Shnajderit që, pasi zbret nga e majta, driblon Varanen dhe në hyrje të zonës ngushton diferencën. Por kalojnë vetëm pak sekonda dhe Drogba ndez fjalën në stadium, kur një krosim në zonë të Amrabat e transformon në gol, pasi godet me thembër. E mahnitshme, një ndeshje e vdekur merr jetë brenda një minute, por Murinjo nuk vonon të marrë masat, me Benzemanë për Higuainin dhe me Albiolin në vend të Ozilit dhe ndeshja stabilizohet, ndërsa Gallatasaraji nis të luajë me topa të gjatë dhe humb ritmin. Në të 90-ën minutë spanjollët mbeten me 10 lojtarë, pasi Arbeloa merr të verdhën e dytë, por Ronaldo mbyll llogaritë duke tundur rrjetën për herë të dytë dhe Zhoze Murinjo feston gjysmëfinalen e 7 në karrierë.

“Do fitojmë Champions-in, Drogbaja më sjell fat”
Zhoze Murinjo është shumë i lumtur dhe mjaft optimist sesi do të mbyllet ky sezon i Ligës së Kampioneve, duke qenë se vetë tekniku portugez zbulon një fakt “pikant”. “Sa herë që fitoj kundër ekipeve ku luan Drogba kam fituar Champions, prandaj shpresojmë shumë te ky ogur i mirë. Didier dhe Shnajder? Të dy do mbeten në zemrën time, por Drogba është një person special, aq më shumë që ai më sjell fat në fitimin e Champions-it. Frikë nga eliminimi? Kur luan përballë 50 mijë tifozëve fantastikë, që kanë kaq shumë pasion për futbollin, natyrisht që gjithçka mund të ndodhë. Por, duke parë sesi shkoi loja, realisht nuk kisha kohë të mendoja diçka të tillë, pasi më duhej të punoja edhe unë për të mirën e skuadrës. Ndoshta ia vështirësuam disi më shumë seç duhej gjërat vetes, teksa shifrat shkuan në 3-1, por më pas gjithçka u stabilizua dhe Ronaldo shënoi sërish. Mision i përmbushur. Rivali i ardhshëm? Nuk kam preferenca kundrejt Dortmundit, por edhe Barçës dhe Bajernit që me siguri do na bashkohen. Janë të gjitha ekipe të mëdha, prandaj ia lëmë fatit në dorë zgjedhjen”, – u shpreh portugezi.

“Morëm plagë të kota në Stamboll, mos përsëritet më”
Kristiano Ronaldo ishte nga të vetmit që kishte dëshirë të luante dhe në fund ishte po ai që ia bëri më pak të vështira vuajtjet Realit të Madridit. Ylli portugez vulosi një tjetër dopietë në Champions dhe tashmë sheh me emocione drejt gjysmëfinales, ndonëse lëshon një paralajmërim për shokët e skuadrës. “Jemi shumë të lumtur për kualifikimin, sepse fundja kemi përmbushur misionin tonë, edhe pse gjërat mund të kishin qenë më të lehta. Rivali i ardhshëm? Të presim, e kotë të bësh emra kur në lojë kanë mbetur 4 ekipe, – shprehet portugezi, i cili më pas shfryn: Ajo që nuk më pëlqeu nga kjo ndeshje është se në pjesën e dytë e morëm shumë lehtë. Në futboll nuk duhet t’u dhurosh kurrë asgjë kundërshtarëve dhe fatmirësisht në Stamboll na eci mirë, por tani e në vazhdim nuk dua që të përsëritet një tjetër përballje si kjo. Morëm plagë të kota, personalisht kam pësuar një dëmtim, sepse doja të luftoja, por dikush tjetër më pak sesa unë. Gjithsesi, ndjej që nuk është diçka serioze, e theksoj se të tilla paraqitje nuk duhet t’i ofrojmë kurrë më në Champions”.

“Prekëm parajsën për 15 minuta”
Tifozët e Gallatasarajit e pritën Realin me 40 mijë maska që mbanin fytyrën e Fatih Terimit, por kjo nuk mjaftoi për ta ndalur bandën e Murinjos. “Ishte një natë magjike dhe shpresoj që ta kemi kënaqur publikun tonë, edhe pse në parajsë qëndruam vetëm për 15 minuta. Gjithsesi, ky Real është i fortë, por edhe Murinjo gjithashtu. Ai jo vetëm më përgëzoi mua, por edhe ekipin në dhomat e zhveshjes. Ndeshje si kjo na bëjnë të gjithëve krenarë, sepse më shumë se kaq s’mund të bënim dot”, – tha Terim.

“Tani do bëj tifo për Realin”
Felipe Melo, mesfushori i Gallatasarajit, pranon eliminimin dhe premton të bëjë tifozllëk për Realin: “Bëmë një ndeshje fantastike. Mirëpo, duke parë atë lojë të shëmtuar në Spanjë, nuk mund të demoralizohemi që aventura jonë përfundoi këtu. Në gjysmëfinale shkoi skuadra më e fortë, por që shpresoj gjithashtu që të jetë edhe fituesja e turneut. Në skuadër jemi shumë tifozë të Realit dhe Murinjos, prandaj tani duam t’i shohim të festojnë Champions-in”.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"