Lorik Cana, lamtumirë Kombëtares: E lë në duar të sigurta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2016 | 23:55

Lorik Cana, lamtumirë Kombëtares: E lë në duar të sigurta

Pas 14 vitesh me fanellën kuqezi, Lorik Cana i ka dhënë fund aventurës me Kombëtaren. Ky ishte grumbullimi i fundit me kuqezinjtë, por ai paralajmëron që mund t’i japë fund edhe karrierës. Problemet fizike që po kalon mund ta detyrojnë të marrë vendimin drastik, por Cana tani është duke menduar për pushimet.

Cana

Numri pesë i Kombëtares tregon edhe pengun e madh të këtij Europiani, por thotë se në fund është krenar dhe do ta ruajë këtë arritje si më të bukurën e karrierës së tij. Në një intervistë për “Supersport”, Cana flet pas eliminimit të Shqipërisë.

Lorik, çfarë u solli shqiptarëve ky Europian?

Shumë njerëz më përpara nuk e dinin ku është Shqipëria dhe çfarë bëjnë shqiptarët. Nga ky Europian na kanë njohur më mirë dhe janë informuar rreth Shqipërisë. Shqipëria nuk është vetëm futboll, por ky sport na ndihmoi për t’u treguar të tjerëve se cilët jemi në të vërtetë.

Rrugët e shumë qyteteve në Francë u mbushën me tifozët shqiptarë. A ju duket vetja lideri i një grupi njerëzish që bën të mos humbasin lidhjen me atdheun e tyre?

Bota është duke u afruar dhe duke u hapur. Tani është shumë e rëndësishme t’i ndajmë idetë tona me të tjerët. Ne jemi pjesë e Europës, por duhet të ruajmë identitetin tonë. Ne kemi gjuhën tonë, kemi kulturën, kemi artin tonë. Kemi Ismail Kadarenë, Inva Mulën dhe shumë të tjerë. Këta persona e zgjerojnë rrethin e punës së tyre edhe për të ndihmuar vendin.

E keni marrë vendimin shumë kohë më parë për t’u larguar nga Kombëtarja. Mos jeni penduar?

Është shumë e vështirë të ndahesh nga këta djem sepse me ta kam jetuar, kam ngrënë bukë, kam fjetur. Ata janë pjesë e familjes sime të madhe dhe ne jemi të gjithë si familje. Jemi miqësuar shumë me njëri-tjetrin, edhe me ata që janë pjesë e stafit të Kombëtares. Nuk e kam zyrtarizuar, por do ta bëj shumë shpejt, sepse vjen një kohë kur njeriu e ndien se e ka bërë atë që duhet të bënte. Do ta lë Kombëtaren në duar të sigurta.

Keni filluar ta ndieni që ky ishte grumbullimi i fundit për ju?

Ishte shumë e veçantë, sepse ishim në një kompeticion që kishte një formulë e cila na mbante me shpresë për të luajtur të paktën edhe një ndeshje. Kam luajtur 14 vite me Kombëtaren dhe nuk është aspak e lehtë. Gjithçka do të shkojë në vendin e vet. Do të jem i pari në çdo ndeshje të ekipit kombëtar për ta mbështetur.

Ju ka mbetur peng fakti që nuk luajtët dot në Marsejë dhe që nuk mund të bënit diçka më shumë?

Për fatin tim të mirë, Europiani u mbyll me një fitore. Ky ishte qëllimi im në karrierë dhe ky është suksesi im më i madh. Në aspektin personal, ndeshja e Marsejës është një peng, por jam krenar për atë që djemtë e Kombëtares kanë bërë. Ky është kujtimi më i bukur i karrierës sime.

Lorik, çfarë do të bëni tani në Kombëtaren shqiptare të futbollit. Keni ndonjë aspiratë dhe a do ta ndihmoni edhe Kosovën?

Do përgjigjem shumë shkurt. Nuk pretendoj asnjë pozicion. Unë do të largohem me pushime dhe do të shoh çfarë do të bëj në karrierë. E kam mbyllur me skuadrën time, por kam disa shqetësime që nuk e di nëse më lejojnë ta vazhdoj futbollin. Do të marr një vendim në verë. Tani që shqiptaria ka dy ekipe sigurisht që shpresoj më të mirën për të dyja. Do ta mbështes edhe Kosovën dhe do t’i shoh ndeshjet e tyre.

 

 

 

Postimi

Më herët, Cana vlerësoi tifozët dhe stafin e Kombëtares për mbështetjen e treguar në finalet e “Euro 2016”. Në një koment të publikuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, Cana shkruan se është krenar për Kombëtaren.

“Gjithë ky rrugëtim ishte për ne, për familjet tona, për gjithë fansat dhe mbi të gjitha për atdheun tonë!!! Kurrë më parë skam qenë kaq krenar të jem pjesë e kësaj kombëtare dhe të luaj me këta djem !!! Flm për gjithçka… O sa mirë me qenë Shqiptar”,-thotë ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"