Breshër te Flamurtari, pezullohet Bedri Greca

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2016 | 9:31

Breshër te Flamurtari, pezullohet Bedri Greca

Zbardhet fusha e stadiumit “Flamurtari” dhe terreni stërvitor te Pylli i Sodës. Si rrallë ndonjëherë vlonjatët kanë pasur dje mundësinë t’i shikojnë të bardha fushat e blerta. Kjo për shkak të breshrit që ra dje në Vlorë.greca bedriRreth orës 10:20, qyteti u përfshi nga një stuhi e fuqishme dhe në një hark kohor të shkurtër deri në 4 minuta, kokrrat e breshrit zbardhën tapetin e stadiumit “Flamurtari” dhe fushën stërvitore. Lojtarët e shfrytëzuan këtë mundësi për të bërë foto, duke treguar edhe breshrin e madh që ra dje në Vlorë.

Pezullimi i Grecës- Flamurtari ka pezulluar mesfushorin Bedri Greca. Futbollisti nuk është grumbulluar për ndeshjen e sotme me Kukësin, pasi stafi teknik e ka pezulluar. Burime pranë klubit bënë me dije për “Panorama Sport” se Greca nuk ka qenë dakord me vendimet e trajnerit.

Lojtari ka kërkuar llogari për qëndrimin e tij në stol, por kjo gjë duket se nuk i ka pëlqyer trajnerit Ramadani, i cili ka vendosur pezullimin e tij. Madje, trajneri e ka konfirmuar një gjë të tillë edhe për “Panorama Sport”, por pa dhënë detaje për shkaqet e pezullimit.

“Greca është pezulluar për shkaqe të disiplinës. Nuk mund të them më shumë, ndoshta flasim pas ndeshjes për këtë çështje”, tha trajneri Ramadani para nisjes së ekipit për transfertën e Kukësit. Trajneri Ramadani- Flamurtari nuk ka fituar asnjëherë në Kukës, por Zekirija Ramadani mendon se mund të thyejë tabunë.

“Ndeshja mes Kukësit dhe Flamurtarit do të jetë një derbi. Do të jemi përballë një skuadre, e cila ka vlera të mëdha në futbollin shqiptar dhe ka futbollistë mjaft cilësorë. Ne shkojmë të qetë në këtë ndeshje, ndërsa presioni është mbi Kukësin.

Flamurtari shkon vetëm për të marrë maksimumin dhe besojmë se do ta arrijmë këtë. Kur them maksimumin e kam fjalën për të marrë fitoren, por do të jem i kënaqur edhe me barazimin. Gjithsesi, le të shikojmë se si do të shkojë loja dhe më pas të flasim për rezultatin.

Sot unë mendoj vetëm fitoren në këtë ndeshje. Nuk jemi aspak në presion, por për pozitat që kemi në klasifikim, na duhen pikë”, u shpreh trajneri i Flamurtarit, Zekirija Ramadani.

Kundërshtari – “Ne e vlerësojmë shumë kundërshtarin, por nuk i trembemi. Besojmë te vetja dhe te kualitetet tona. Kemi respektin maksimal për Kukësin, ekip që ka bërë mirë deri tani dhe është një vlerë e futbollit shqiptar.

Pavarësisht të gjitha këtyre, ne nuk trembemi. Ne jemi Flamurtari dhe kemi vlerat, kualitetet dhe meritat tona. Besojmë se do të bëjmë më të mirën në Kukës, pasi kemi ekip më të plotë. Ekipi është i qetë dhe ka vetëbesim”, përfundoi Ramadani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"