Meksika vishet në Ar, Brazili thyhet në finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2012 | 18:02

Meksika vishet në Ar, Brazili thyhet në finale

BRAZIL – MEKSIKË   1-2
Golat: Hulk 90+1’ / Peralta 1’, 75’
BRAZIL (4-2-3-1): Gabriel, Rafael (Lukas 85’), Tiago Silva, Huan, Sandro (Pato 71’), Marselo, Romulo, Leandro Damiao, Oskar, Nejmar, Aleks Sandro (Hulk 32’). Trajner: M.Menezes
MEKSIKË (4-4-1-1): Korona, Jiminez (Vidrio 81’), Salçido, Mier, Çavez, Herrera, Fabian, Peralta (R.Jiminez 86’), Akuino (Ponce 57’), Rejes, Enrikez. Trajner: F.Tena
Arbitër: M.Klatenburg (ANG)
Kartonë të verdhë: Marselo 42’, Leandro Damiao 90+1’ / I.Jimenez 58’, Rejes 46’, Vidrio 89’
Spektatorë: 86162

U kuotuan favoritë, por dhe kësaj here Lojërat Olimpike shndërrohen në mallkim për Kombëtaren braziliane. Në “Londër 2012”, “Seleçao” nuk është në gjendje t’i shtojë palmaresit të tij një medalje olimpike, ndërsa në finalen e djeshme, të luajtur në stadiumin e Uemblit, ata që bëjnë histori dhe fitojnë medaljen e artë janë meksikanët, falë suksesit 2-1. Me dopietën e Peraltas, dje heroi i finales londineze, amerikano- qendrorët bënë realitet atë që pakkush mund ta besonte në fillimin e Lojërave të 30-ta Verore Olimpike. Goli i nderit për Brazilin në të 91’-n pati për protagonist Hulkun, por që goditjen fatale ia dha të tijve, pesë herë kampionë të botës, Oskar. Rekrutimi i ri i skuadrës së Çelsit bëri të pamundurën në minutën e 94-t. Kur të gjithë thuajse thirrën gol, çka do të barazonte shifrat në 2-2 duke e çuar ndeshjen në kohë shtesë, gjuajtja me kokë e Oskar për fatin e keq të brazilianëve përfundon mbi traun e portës së mbrojtur nga Korona. Përfundimisht festa i takon Meksikës, ndërsa super-skuadra, me futbollistë si Hulk, Tiago Silva apo Nejmar pëson “nokaut”-in e tretë olimpik në histori, pas atij në 1984 ndaj Francës (0-2) dhe ndaj ish-Bashkimit Sovjetik në 1988-n (1-2). Në duart e verdheartëve ka vetëm medalje argjendi. Brazili i “Londër 2012”, një skuadër me tepër individualitet e thjeshtësi të madhe.
Ndeshja Vetëm 30 sekonda nga starti i finales, dhe Meksika e pa veten në avantazh. Pakujdesi e mbrojtjes nga Rafael, ndërsa Peralta tregohet i vëmendshëm, që me një gjuajtje nga jashtë zonës, e para në këtë sfidë, tund rrjetën e Gabrielit. Në minutën e 32- të, kreu i pankinës braziliane luan kartën Hulk. Brazili rritet, por mungon finalizimi. Në minutën e 63-të, Meksika është shumë pranë dyfishimit, por akrobacia e Fabian godet shtyllën. Në minutën e 71-të ka hapësirë në këtë epilog të Lojërave Olimpike edhe për Pato, i cili zëvendëson Sandro. Ndërkohë vjen edhe goli i dytë për Meksikën, në të 75’-n. Sërish Peralta, i cili thuajse i harruar në goditjen e dënimit nga mbrojtja braziliane, gjuan me kokë dhe nuk gabon. Në minutën e 91- të Brazili shkurton diferencën me Hulk, i cili në një aksion personal në pozicion diagonal e kalon topin me të djathtë nën këmbët e Koronës. Dhe në minutën e fundit, Oskar “hedh” në erë një rast të artë për të barazuar rezultatin, vetëm pak metra nga kuadrati rival.

“Me titullin, të harrojmë hallet”
Luis Fernando Tena ishte shumë i lumtur me medaljen e artë të fituar në finalen olimpike. “Unë shpresoj që të gjithë të jenë të lumtur për atë që bëmë sot. Kjo ishte ajo që dëshironim, ajo çfarë u thashë djemve përpara takimit: t’u japim mundësinë njerëzve që të gëzohen. Kjo nuk do t’i zgjidhë problemet e vendit tonë, por të paktën do t’i harrojmë problemet për pak kohë”, deklaroi kreu i pankinës meksikane, i cili theksoi se kjo medalje është kontribut i të gjithë futbollistëve. “Ishte ajo që ëndërronim, të fitonim në Uembli”. Në fund, Tena theksoi se kjo fitore i dedikohet edhe David Kabrerës, i cili mungoi prej dëmtimit. “Nuk ka emocion më të madh sesa të këndosh himnin dhe të varësh medalje. Jam i lumtur me 18 luftëtarët e mi, por i them edhe Kabrerës që të festojë me ne”.

Menez: Rafael, jo “kokë turku”
Trajneri i Kombëtares së Brazilit, Mano Menezes, tha pas humbjes në finalen olimpike se kurrsesi nuk duhet bërë Rafael da Silva si “kokë turku”. Braziliani u fishkëllye nga tifozët në Uembli pas gabimit të tij që çoi edhe në ndëshkimin nga sulmuesi Oribe Peralta që në 30 sekondat e para. Por Menezes është i bindur se gabimi i 22-vjeçarit nuk ishte arsyeja e vetme për humbjen e Brazilit, por fajtore ka qenë e gjithë skuadra. “Ne kemi kulturën kombëtare të gjetjes së një ‘koke turku’ kur gjërat nuk shkojnë mirë. Gabime individuale u bënë mjaft dhe më fatali ishte ai i 30 sekondave të para, por ne kemi pasur 89 minuta në dispozicion për të rikuperuar. Humbëm të gjithë, jo vetëm një lojtar. Për fat të keq, nuk ishim në gjendje të reagonim pas atij aksidenti në minutën e parë”.

 “Menezes bën zgjedhje të gabuara”
Legjenda braziliane, Romario, ka kritikuar ashpër trajnerin Menezes pas humbjes 2-1 ndaj Meksikës në finalen e Lojërave Olimpike. Romario, i cili ka marrë pjesë në Olimpiadën e 1988-s në Seul hodhi akuza për dështimin në “Londër 2012”. “Ai është një trajner, i cili nuk është në gjendje që të bëjë zgjedhjen e duhur dhe korrekte për kombëtaren. Duhet ta pranojmë që ai nuk di të grumbullojë ata futbollistë që i vlejnë kombëtares sonë. Fatmirësisht, ne po shohim sot ndeshjen e tij të fundit në krye të përfaqësueses”, deklaroi Romario për “TV Record”. Ndërkohë përfaqësuesja e Seleçaos i rikthehet arenës ndërkombëtare ditën e mërkurë, me miqësoren kundër Suedisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"