Bluzat e Kristiano Ronaldos, zbulohet shifra marramendëse që arkëtoi Juventusi në vitin e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2019 | 20:01

Bluzat e Kristiano Ronaldos, zbulohet shifra marramendëse që arkëtoi Juventusi në vitin e parë

Goditja e shekullit. Kështu u quajt nga të gjitha mediat “martesa” e Kristiano Ronaldos me Juventusin. I blerë në moshën 33 vjeç e gjysmë për 117 milionë euro, ndoshta në fund të kontratës së tij me bardhezinjtë, kartoni i tij do të vlejë zero, por afrimi i CR7-ës në Torino nuk ishte vetëm një investim sportiv, por edhe marketingu. Këtë e tregojnë dhe e konfirmojnë shifrat e ofruara nga uebsajti “Calcio e finanza”.

5b174df9484783980574a17533e4e99c

Sigurisht që vetëm me shitjen e fanellave nuk mund të mbulohet një investim aq i madh i bërë nga “Zonja e Vjetër”, duke llogaritur se mes pagës dhe taksave që e paguajnë, Ronaldo u kushton 50 milionë euro në vit bardhezinjve, por gjithsesi shifrat janë në rrugën e duhur, duke qenë se përveçse janë dyfishuar shitjet e bluzave dhe aksesorëve juventinë (këta të fundit kanë kaluar nga 16 milionë në 32 milionë euro brenda vitit të fundit), është edhe kërkesa në rritje e sponsorëve në klub çka që konfirmon se kjo marrëveshje ka qenë një sukses i vërtetë.

2 BLUZA NË MINUTË

Shifrat e bëra publike nga “Calcio e finanza” tregojnë se ritmet e shitjes së fanellave të Kristiano Ronaldos kanë qenë një çmenduri e vërtetë, duke qenë se të paktën në gjashtë muajt e parë, shiteshin mesatarisht 2 fanella në minutë. Pas 12 muajve të parë që Ronaldo “bashkëpunon” me Juventusin, këta të fundit kanë arkëtuar 65 milionë euro dhe ky është vetëm fitimi për sa i përket klubit bardhezi.

1531765921604.jpg--la_nuova_sfida_di_ronaldo___lascero_il_segno_nella_storia_della_juve_

Ta arsyetojmë… Një bluzë apo uniformë me numrin dhe emrin e Kristiano Ronaldos mbi supe kushton mesatarisht 107.45 euro. Përqindja që Juventusi fiton nga kjo shumë është e barabartë me 18 për qind, e thënë ndryshe 19.34 euro. Prandaj, nëse bëjmë një përpjesëtim të shumës së fituar në total me atë që Juventusi fiton nga çdo fanellë, rezultati tregon se në vitin e tij të parë, Ronaldo ka shitur gati 3.5 milionë fanella.

Duke kaluar nga bluzat dhe aksesorët, te sponsorët dhe publiciteti, shifrat tregojnë një rritje prej 18.1 milionë eurosh. Nëse në sezonin 2017-2018, Juventusi arkëtonte 43.32 milionë euro, pas vitit të parë të Ronaldos, fitimet kanë shkuar në 61.42 milionë euro.

Ndërkohë, një shifër që nuk llogaritet, por që edhe nga këtu kanë ardhur miliona të shumta, janë ato që lidhen me klikimet. Pas Ronaldos, të gjitha adresat e klubit bardhezi, në çdo rrjet social të mundshëm, janë rritur me 12-15 milionë “pëlqyes” më shumë. Prandaj, nëse nuk është sukses ky…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"