Bind Teuta, presion Skënderbeut. Bylis dorëzohet pas pesë rezultateve pozitive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2012 | 14:18

Bind Teuta, presion Skënderbeut. Bylis dorëzohet pas pesë rezultateve pozitive

TEUTA – BYLISI  3-0
GOLAT: Sakaj 6′, Nika 86′, Xhafaj 87′
TEUTA: Rizvani, Sakaj, Jakupi, Memini, Da Silva (Hoxha 80′), Tahiri, Veliaj, Mancaku, (Hyshmeri 58′) Eminhazeri (Delliallisi 46′), Nika, Xhafaj. Trajner: Gentian Begeja
BYLISI: Haxho, Da Silva, Ristevski (Xhejms 90′), Idrizaj (Gega 82′), Kelmendi, Teqja, Arifaj, Izuçuku, Meto, Bakiasi, Arbri (F.Xhafaj 64′). Trajner: Agim Canaj
KARTONË TË VERDHË: Jakupi 39′
VËZHGUES: Dhori Prifti
DELEGAT: Uvil Zajmi
GJYQTARET: Bardhyl Pashaj/ Redi Avdo dhe Ergin Doda

MINUTAT
6′ Goditje dënimi për Teutën, ekzekuton Xhafaj, topi përplaset në duart e portierit Hoxha, përfiton Sakaj dhe 1-0.
19′ Tahiri humbet një top në hyrje të zonës së tij, Idrizaj provon nga larg, por topi përfundon shumë larg portës.
27′ Meto ekzekuton një goditje dënimi të fituar në hyrje të zonës durrsake, por sërish jashtë.
46′ Izuçuku përfiton nga një rrëmujë në zonë, gjuan dy herë, por ndalet në të dyja goditjet nga Rizvani.
76′ Izuçuku shfaqet kudo në zonën durrsake, godet, por Rizvani i thotë jo për herë të dytë.
80′ Veliaj gjen me një kros perfekt Xhafajn, i cili godet me kokë, por topi përfundon larg portës.
82′ Xhafaj fiton një top në zonën kundërshtare, godet fort, por topi kalon ngjitur me shtyllën.
84′ Është sërish Xhafaj që ka të gjitha mundësitë për të shënuar, por gjuajtja e tij ishte për t’u harruar.
86′ Hyshmeri merr krahun nga e majta, futet në zonë, pason për Nikën, i cili nuk fal dhe shënon një eurogol.
87′ E njëjta skemë, sërish Hyshmeri merr krahun, futet në zonë, pason për Xhafajn, që godet fort dhe 3-0.

Teuta ka mundur 3-0 Bylisin në “Niko Dovana” dhe është ngjitur në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit. Ndonëse jo me një lojë të mirë, “djemtë e detit” arrijnë që me një gol të Sakajt në minutën e 6-të të ndeshjes dhe dy të tjerë në pjesën e dytë, me autor Nikën në të 86-ën dhe Xhafajn një minutë më vonë, të vulosin takimin. Skuadrat janë paraqitur mirë në fushë, ndërsa i kishin kushtuar shumë rëndësi anës taktike, ku lojtarët e të dyja skuadrave më shumë mundoheshin të mos e humbisnin topin sesa mendonin për të sulmuar kundërshtarin.
Pjesa e parë – 45- minutëshi i parë ka nisur mirë për Teutën e cila, pas një rrëmuje në zonën kundërshtare, arriti ta zhbllokonte rezultatin në minutën e 6-të me anë të mbrojtësit vlonjat Artan Sakaj. Me pësimin e golit miqtë nisin ta përmirësojnë lojën dhe pothuajse për minuta të tëra e kontrollojnë lojën, sikur të ishin ata të zotët e shtëpisë. Pjesa e parë ka pasur shumë pak raste në të dy portat ku, përveç golit, nuk kishte diçka për t’u përmendur. Ballshiotët janë munduar disa herë në 45- minutëshin e pjesës së parë të ndeshjes për të barazuar rezultatin, por lojtarët miq nuk janë treguar të ftohtë përpara portës dhe kanë shpërdoruar shumë. Kështu pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 1-0.
Pjesa e dytë – Ende pa nisur mirë fraksioni i dytë i ndeshjes ballshiotët kërkojnë golin e barazimit dhe në minutën e dytë Izuxhuku ka rastin ideal për t’i barazuar shifrat, por nuk ka mundur dot të mposhtë portierin Rizvani, i cili zhvilloi një ndeshje të madhe dhe me eksperiencën e tij e shpëtoi Teutën nga pësimi i golit. Begeja kupton që skuadra po humbte terren dhe bëri zëvendësimin e parë, duke larguar nga loja një sulmues si Eminhazeri, ndërsa në vendin e tij futi mesfushorin Deljallisi. Por, edhe pas këtij zëvendësimi, nuk ndryshon asgjë në lojën e Teutës, e cila vuan presionin e kundërshtarit që kërkonte golin e barazimit. Bylisi vijon të sulmojë dhe t’i bëjë presion kundërshtarit, duke i mbyllur për minuta të tëra vendësit në gjysmëfushën e tyre.
Golat – Ballshiotët krijojnë disa raste dhe është lojtari më i mirë për ta, Izuçuku, i cili sërish përballë portierit Rizvani nuk ka mundur dot ta dërgojë dot topin në rrjetë, pasi dy goditjet e tij u ndalën sërish nga ky i fundit. Tekniku ballshiot mendoi të përforconte sulmin, duke hedhur në fushë Fjodor Xhafajn, por me gjithë eksperiencën e tij vlonjati nuk mund të ndryshonte diçka. Me kalimin e minutave Teuta po humbte terren edhe më tepër dhe po rrezikonte shumë për ta humbur takimin. Duke kuptuar që nuk mund të mbrohej deri në fund, tekniku durrsak kreu dy zëvendësime të tjera, duke futur në fushë mesfushorët: Hyshmerin dhe Altin Hoxhën. Me futjen e tyre në fushë Teuta freskohet, ndërsa kundërshtarit i bien “bateritë”. Hyshmeri merr përsipër një aksion personal nga krahu i djathtë dhe, pasi ka vrapuar së bashku me topin për më shumë se 25 metra, gjen të lirë Nikën, i cili me një goditje të bukur shënoi golin e dytë. Miqtë dorëzohen dhe këtu përfiton sërish Hyshmeri, i cili kryen të njëjtin veprim, pason për Xhafajn, i cili me një “predhë” e vulos takimin 3-0.

MË I MIRI
Ndonëse nuk shënoi gol, Akil Jakupi ka zhvilluar një ndeshje të madhe. Në mungesë të qendërmbrojtësit Arian Sheta, ai ka mbajtur një peshë të madhe në këtë ndeshje në prapavijë. Duhet thënë se u tregua disa herë deciziv. Për t’u vlerësuar gjithashtu është edhe loja e portierit Rizvani, i cili shpëtoi disa herë portën e tij.

MË PAK AKTIVI
Idrizi nuk ishte në ditën e vet më të mirë, ndaj dhe mbeti në hije gjatë gjithë takimit. Ai u kalua disa herë nga kundërshtari dhe në asnjë moment nuk arriti që të ishte pozicional. Sakaq, lojë e dobët edhe nga ana e Klodian Arbrit. Veterani i sulmit të Bylisit nuk mundi që të përballonte presionin që ushtroi mbrojtja vendëse ndaj tij.

Begeja: Fitore e vuajtur, na shpëtoi edhe Rizvani
Trajneri i Teutës, Gentian Begeja, e pranon se skuadra e tij nuk ka prodhuar një lojë të mirë as në ndeshjen e djeshme ndaj Bylisit, pavarësisht se rezultati 3-0 në pamje të parë tregon të kundërtën. Fakt është që durrsakët shënuan shpejt dhe më pas u mbyllën në mbrojtje, pasi dhe dy golat erdhën vetëm në fund të takimit, kjo edhe si rrjedhojë e demoralizimit të mallakastriotëve. “Ishte një ndeshje shumë e vështirë, sepse kishim të bënim me një kundërshtar që në javët e fundit kishte ardhur gjithnjë e më shumë në rritje. E zgjidhëm shpejt sfidën, por ajo që nuk e kuptova dhe për të cilën nuk më erdhi aspak mirë ishte fakti se menjëherë më pas lojtarët e mi u kthyen në mbrojtje të rezultatit. Kjo lloj loje nuk më pëlqen shumë, ndaj dhe ua komunikova lojtarëve. E di mirë që edhe në këtë ndeshje, ashtu si në të tjerat, Teuta nuk ka prodhuar lojë shumë të mirë, por ajo që për mua ka rëndësi për momentin janë pikët. Të mos harrojmë edhe një fakt tjetër që shumë skuadra kur luajnë ndaj nesh na konsiderojnë si nënkampionë të Shqipërisë, kësisoj impenjohen seriozisht dhe mbyllen shumë në mbrojtje, duke mos na lënë as ne që të mund të shpalosim cilësitë tona. Sakaq në ndeshjen e sotme (dje) duhet vlerësuar loja e Rizvanit, i cili me pritjet e tij e shpëtoi portën nga të paktën dy gola të sigurt”, – tha Begeja.

“I gëzuar për 3 pikët, goli për tifozët”
Ai shënoi golin e dytë të ndeshjes dhe vulosi në njëfarë mënyre edhe rezultatin e saj. Sakaq edhe Nika tregohet pragmatist duke theksuar se më të rëndësishme janë pikët sesa loja. “Jam shumë i lumtur që arrita të shënoja, ndonëse jam akoma më i lumtur për fitoren që arritëm të merrnim në këtë përballje. Ishte një sfidë e vështirë, në të cilën kundërshtari na vuri disa herë në vështirësi, por për fatin tonë të mirë në minutat e fundit reaguam dhe siguruam fitoren, duke shënuar tri herë. Golin ua dedikoj tifozëve, të cilët më kanë mbështetur gjatë gjithë kësaj periudhe”, – ka thënë futbollisti shkodran i Teutës.
LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"