BASKET FEMRA/ Flamurtari kampion i Shqipërisë, vlonjatet thyejnë Partizanin dhe festojnë në kryeqytet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2023 | 21:14

BASKET FEMRA/ Flamurtari kampion i Shqipërisë, vlonjatet thyejnë Partizanin dhe festojnë në kryeqytet

Flamurtari vazhdon dominimin absolut në basketbollin e femrave në Shqipëri. Vlonjatet janë shpallur kampione për edicionin 2022-2023, teksa kanë mundur Partizanin në finalen e katërt në “Asllan Rusi” me rezultatin 73-80 (23-18, 16-19, 15-20, 19-23), për ta mbyllur kështu serinë 3-1 me ndeshje.

flamurtari basket femra

Finalja e katërt ishte mjafte bukur dhe e luftuar, ndërsa vlonjatet e bënë diferencën në fundin e periodës së tretë dhe në fillim të së katërtës, me një seri 3-pikëshash që rezultuan vendimtarë për fatet e takimit. Kështu gjithçka mbyllet me festën e vajzave të Flamurtarit, me kapitenen Tea Memushi që ngre lart trofeun e merituar.

Kujtojmë që ky është titulli i 25-të në histori për vlonjatet, i treti radhazi dhe i 16-ti në 18-të kampionatet e fundit. Shifra që janë treguesi më i qartë i superfuqisë së bregdetareve në sportin e koshit gjatë dy dekadave të fundit. Kujtojmë që Flamurtari në këtë sezon ka fituar gjithashtu edhe Superkupën Mbarëkombëtare, Superkupën e Shqipërisë, Kupën e Shqipërisë dhe Kupën e FSHB-së.

I vetmi kompeticion që nuk mundën ta fitonin ishte Liga Unike, teksa u mundën në Vlorë në finale pikërisht nga Partizani, kështu që triumfi në kampionat mund të konsiderohet edhe si një lloj hakmarrjeje ndaj të kuqeve për vajzat e trajneres Elona Hasanaj.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"