Bashkëpunimi Shqipëri-Itali/ Manfredi dhe Arena në Tiranë, FSHV-ja vijon projektin me ‘axurrët’

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2023 | 15:14

Bashkëpunimi Shqipëri-Itali/ Manfredi dhe Arena në Tiranë, FSHV-ja vijon projektin me ‘axurrët’

Prej më shumë se dy vitesh Federata Shqiptare e Volejbollit vijon bashkëpunim me një vend lider absolut në këtë sport, siç është Italia. Në kuadër të këtij projekti janë mbajtur trajnime dhe kualifikimi të shumta të trajnerëve dhe lojtarëve tanë, nga pala italiane në Shqipëri, por edhe në anën tjetër të Adriatikut. Më i fundit, ishte ai i zhvilluar më datat 13-15 nëntor në sallën “Feti Borova”, Tiranë, ku u mbajtën trajnime për moshat U-20, djem dhe vajza, me pjesëmarrjen e dy trajnerëve italianë:

VOLEJ 1

Vinçenco Fanica dhe Marko Menkareli, së bashku me ndihmësit e tyre. Me rastin e këtij trajnimi, në Shqipëri erdhën edhe dy drejtues të lartë të volejbollit Europian, Xhuzepe Manfredi (presidenti i federatës italiane) dhe Renato Arena (zv.president i CEV). Manfredi dhe Arena, së bashku me kreun e FSHV-së, Erlind Pëllumbi, zhvilluan dje në Tiranë një konferencë për shtyp, e cila konsistoi me firmosjen e një tjetër marrëveshjeje edhe për vitin 2024.

PËLLUMBI –

Presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi, u shprehu mirënjohjen për asistencën që Italia dhe CEV po i japin sportit të rrjetës në Shqipëri. “Ne sot firmosim një marrëveshje përsëri me Federatën Italiane për vitin e ardhshëm, e cila konsiston në marrjen e eksperiencës që kjo federatë ka në sportin e volejbollit. Pas një viti të suksesshëm në këtë bashkëpunim, ne jemi shumë falënderues për atë ç’ka na kanë ofruar këtë vit dhe për atë që presim të arrijmë në vitin tjetër. Është një bashkëpunim, të cilin do ta kishin ëndërr jo vetëm ne që jemi një federatë e vogël, por çdo lloj federate tjetër, pasi Italia është ndër federatat më të mëdha dhe i mëson volejboll të gjithë botës.

Jemi shumë të lumtur që jemi pjesë dhe kemi hyrë në këtë familje kaq të madhe të volejbollit europian dhe atij botëror. Mbi të gjitha dua të falënderoj z.Renato Arena, pasi iniciativa e tij bëri të mundur këtë lloj bashkëpunimi. Gjithashtu falënderoj shumë edhe presidentin Xhuzepe Manfredi, i cili në një kohë shumë të shkurtër na ka vizituar tre herë, duke na vënë edhe objektivat, të cilat presim ti kurorëzojmë me sukses pas gjithë këtij bashkëpunimi”, deklaroi kreu i FSHV-së.

MANFREDI –

Drejtuesi më i lartë i federatës italiane të volejbollit, Xhuzepe Manfredi, foli me nota pozitive për mënyrën se si volejbolli shqiptar po e përqas këtë projekt: “Së bashku me CEV-in kemi nisur një rrugëtim për të ndihmuar disa vende më të vogla, të cilat janë shumë pranë nesh. Nuk është e thjeshtë, kjo jo për ne për t’u dhënë asistencën tonë të tjerëve, por për vendet që marrin këtë asistencë. Në këtë aspekt, FSHV-ja është treguar e zonja, duke respektuar afatet dhe duke i pranuar këshillat tona, kështu që ne do ta vazhdojmë bashkëpunimin, duke caktuar edhe objektivat.

Kemi verifikuar se këtu ka një pasion dhe dëshirë të madhe, por mbi të gjitha një interes të lartë për këtë projekt. Këtu shohim njerëz të apasionuar që kanë dëshirë të rriten. Shohim që ka interes të lartë për të afruar fëmijët pranë palestrave dhe volejbollit. Kam ndjekur stërvitje të djemve dhe vajza dhe kam vënë re që niveli është mjaftueshëm i kënaqshëm, kështu që ne duam të hedhim bazat për ta rritur sa më shpejt Federatën Shqiptare të Volejbollit. Jam shumë i kënaqur nga ky bashkëpunim, pasi Shqipëria është një prej realiteteve që po na jep më shumë kënaqësi dhe rritja juaj do të thotë se trajnerët tanë po bëjnë një punë të mirë këtu”, u shpreh ndër të tjera Manfredi.

VOLEJ 2

ARENA –

Zv.presidenti i Konfederatës Europiane të Volejbollit, Renato Arena, gjithashtu u shfaq shumë i kënaqur në bilancin e parë të kësaj marrëveshjeje: “Në emër të CEV-it deklaroj se jemi të lumtur dhe të kënaqur nga ky zhvillim i ri që po përjetojnë shumë vende të Europës, nga ky partneritet dhe projekt. Është diçka që nuk është realizuar në të shkuarën, pasi është një risi që po futet në mënyrën më të mirë. Italia është treguar lider në nisjen e këtij procesi, duke firmosur bashkëpunime jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me vende të tjera. Volejbolli po evoluon shumë edhe në vende më të vogla dhe rezultatet e këtyre trajnimeve që ne po realizojmë, janë pozitive”, deklaroi Arena, duke përmendur më tej objektivat konkretë për të ardhmen:

“Gjatë 2-3 viteve të ardhshme është mundësia që këto skuadra të marrin pjesë në kualifikueset europiane për të rritura dhe për të rritur. Pra, kjo do të thotë që, është një projekt që do të sjellë zhvillimin e volejbollit në shumë shtete. E gjitha kjo është shumë e rëndësishme për CEV-in, gjithashtu edhe për Italinë dhe shtete të tjera të forta. Dëshiroj ta përgëzoj z.Pëllumbi për bashkëpunim që po realizojmë me këtë projekt, një projekt që nuk ka nisur sot, por dy vite më parë. Rezultatet janë të dukshme dhe jam i bindur se do të japin frute. Ne tashmë do të udhëtojmë edhe në Kosovë, për ta shtrirë edhe atje këtë projekt, ndërsa shpresojmë që të rikthehemi sërish për një tjetër konferencë shtypi, në të cilën do të flasim për rezultatet”, deklaroi Renato Arena.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"