“Arkitekti” Lika vë bast për Teutën: Tirana mbetet Tiranë, por do ta mundim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2012 | 10:26

“Arkitekti” Lika vë bast për Teutën: Tirana mbetet Tiranë, por do ta mundim

Hasan Lika nuk mund ta hedhë asnjëherë poshtë të shkuarën dhe eksperiencën si pjesë e bardhebluve. Por, si profesionist që është, tani kërkon veçse fitore me Teutën e tij, trepikësh që do t’i mbante durrsakët në krye të renditjes. I përkushtuar së tepërmi në stërvitje, me gjithë temperaturat e ulëta, ai ka vijuar edhe dje punën me grupin. Së bashku me kolegët, është përpjekur të ruajë optimizmin në grup në prag të takimit me Tiranën, por ndërkohë u ka bërë thirrje futbollistëve që të ruhen nga dëmtimet dhe epidemia e gripit. Teksa kanë mbetur veçse pak orë nga pragsfida Teuta-Tirana, Hasan Lika gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, ndonëse shfaqet paska nostalgjik, në fund nuk tutet nga objektivi: fitorja.
Si mund ta përshkruani atmosferën që mbizotëron në ekip në prag të kësaj sfide?
Në pamje të parë është e qetë. Ndërsa në brendësi është e kuptueshme që trajtohet me një përgjegjësi të veçantë. Tirana është një emër i madh i futbollit tonë dhe të tundon disi. Djemtë janë stërvitur me ngulm, aq sa kanë jetuar me ndeshjen veçanërisht me fillimin e kësaj jave.
Kemi folur në vijimësi për gjendje gripale e pamundësi të disa futbollistëve për të qenë t gatshëm me grupin. Sa mund të reflektojë kjo në formatimin e formacionit?
Problem sigurisht që të krijojnë. Një gjë e tillë u vu re tek dy miqësoret që u zhvilluan së fundmi nga ne. Nuk kisha në dispozicion Nikën dhe Hyshmerin, por edhe Da Silvën në një nga ndeshjet. Mirëpo, besoj se gjithçka është hedhur pas krahëve dhe lojtarët janë të gatshëm. Nuk ma do mendja të ketë pasoja as te vetë lojtarët dhe as te hartimi i formacionit.
Krahasuar me takimin e parë të këtij edicioni, si e gjen Teutën kjo ndeshje e dytë?
Natyrisht më të fortë e më të sprovuar. Fitorja me Tiranën na dha dorë ta shikonim me optimizëm tërë zhvillimin e fazës së parë. Tiranën nuk është e lehtë ta mundësh as në shtëpinë tënde, jo më në shtëpinë e saj. Meritë e ekipit është se fitoren e javës së parë arritëm ta menaxhojmë, duke shfrytëzuar edhe një humbje të dytë të saj në Peqin.
Përforcimet e merkatos së janarit do të reflektohen në formacionin e së premtes?
Jam ende duke e studiuar me shumë hollësi angazhimin e tyre, nëse duhen aktivizuar që nga minuta e parë apo jo. E kemi deklaruar më shumë se njëherë, që Teuta qarin e ka tek homogjeniteti i grupit, tek bashkëveprimi dhe harmonia reciproke e individit lojtar. Dhe kjo është bërë shumë solide. I druhemi shumë eksperimentit. Vetëm nëse grupi në pjesën e parë mund të krijojë ndonjë lëshim, do të jemi të kujdesshëm në marrjen e masave për të evituar mangësitë.
Nuk besoni se do të jeni të vonuar pas kësaj?
Gjithnjë jemi të ndërvarur nga situatat që do të na krijohen në lojë.
E shihni më të fortë këtë Tiranë, krahasuar me atë të fazës së parë?
Tirana është Tiranë, dhe gjithnjë e tillë do mbetet. Edhe sikur një “dhëmb” t’i mbetet, do të jetë sërish e fortë. Është skuadër me histori të madhe. Por Teuta nuk mbetet pas dhe këtë e kemi dëshmuar ndër vite kundër bardhebluve. Dhe ndeshja e 10 shkurtit as nuk diskutohet që do të jetë në këtë vazhdë.
Si e parashikon rezultatin Lika: 1, X apo 2?
Sigurisht që 1. E gjithë përpjekja jonë e deritanishme këtu synon, tek fitorja.
Teuta e tanishme, a është më e mira nga ajo që keni drejtuar më parë?
Nëse më parë Teuta ka qenë e prirur nga kualitetet, tani nuk ekzistojnë më. Mirëpo, ka një grup të mirëformuar, që e ka bërë atë shumë herë më të fuqishme se më parë.
Nëse fitoni me Tiranën, titulli do të jetë më i sigurt për ju?
Fitoren e matim me 3 pikë dhe e dyta, që frenojmë një rivale. Sa i takon titullit, rruga është e gjatë. Ajo ngjason me një ndërtesë 13-katëshe. 90 minutat e para janë vetëm një kat. Mbeten për t’u luajtur edhe 1080 minuta. Që të gjitha vlejnë të vlerësohen.
Çfarë do të thotë për Likën një fitore e mundshme?
Më shumë besim për të realizuar synimet dhe objektivat e deklaruar. Jemi tepër të motivuar tanimë për të fituar titullin. Dhe kjo, si për të gjithë aktorët që përbëjnë Teutën, do të jetë nga arritjet më spektakolare edhe të karrierës sime. Qytetaria dhe tifozëria durrsake e meritojnë një gjë të tillë.

Fatmir Hima: Pse e lashë futbollin kundër Tiranës
Futbollisti legjendar durrsak, Fatmir Hima, e kujton gjithnjë 14 majin e vitit 1985, ditë kur ai la futbollin e luajtur. Dhe jo pa qëllim zgjodhi ndeshjen kur Tirana luante në Durrës ndaj Lokomotivës së atëhershme. Dhe Hima e shpjegon kështu atë ngjarje: “Mund të ishte edhe një javë më vonë, apo më herët, por zgjodha atë ditë, pasi stadiumi ishte i tejmbushur. E ku më mirë se në këtë mjedis meritoje t’i mbyllje letrat me futbollin? Por kisha edhe një argument tjetër, se përse zgjodha pikërisht Tiranën e jo një ekip tjetër. E kam pëlqyer gjithnjë Tiranën, pasi është ai ekip që luan kurdoherë njëlloj, me të njëjtin mobilizim, me të njëjtin detyrim ndaj fanellës dhe tifozërisë. Kam shumë besim se edhe ndeshja e nesërme Teuta-Tirana do ta pasurojë atë traditë të krijuar me shumë përkushtim nga brezi ynë dhe i të tjerëve para nesh. Suksese kësaj dysheje simpatike të futbollit”.

Entuziazëm në prag të supersfidës
Teuta ka vijuar edhe dje përgatitjet për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, atë kundër Tiranës. Kjo është një sfidë jetike për durrsakët, pasi me një fitore të mundshme mund të konfirmohen edhe njëherë në krye të renditjes, në të kundërt do të rrezikojnë pozitat aktuale. Seanca e djeshme përveçse ka qenë e një karakteri të larmishëm, në të cilën është vënë re rritja e ngarkesave, nuk ka munguar as atmosfera pozitive, ku dominionin të qeshurat e batutat. Ndeshja është në prag, më konkretisht të premten e 10 shkurtit. Kjo supersfidë do të luhet me drita në orën 17:00, në “Niko Dovana”.
BUJAR QESJA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"