Apolonia merr fitoren e parë, Partizani pa “busull”. Duro: Humbja s’është fundi i botës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2014 | 17:04

Apolonia merr fitoren e parë, Partizani pa “busull”. Duro: Humbja s’është fundi i botës

Partizani ekip para ndeshjes me ApolonineAPOLONIA-PARTIZANI  1-0
GOLI: Canka 79′
APOLONIA: Cakoviç, Nako, Atanda, Xhafa, An.Prifti, Hysenshahaj (Mitraj 59′), Gërxho (Broshka 90′), Xhorxheviç, Karakaçi (Rajkoviç 76′), Erkoçeviq, Canka. Trajner: Elidon Demiri.
PARTIZANI: Hoxha, Ibrahimi, Fejzullahu, Dishliev, Cuculi, Mazrekaj, Batha, Nexhipi(Mustafa 46′), Fazliu (Vatnikaj 66′), Vila (Shabani 76′), Raçiç. Trajner: Shpëtim Duro.
KARTONË TË VERDHË: Xhafa 31′, Atanda 66, Mitraj 96’/ Dishliev 16′(61′) Ibrahimi 29′, Batha 34′
KARTON I KUQ: Dishliev 61′
VËZHGUES: Pajtim Aliko (Vlorë)
DELEGAT: Bujar Pregja (Tiranë) 
GJYQTARET: R.Sadiku, A. Mahmutaj(Elbasan), Gj.Bori (Shkodër)

MINUTAT
5′ Gjuan Canka, Partizanit i vjen në ndihmë shtylla e portës, duke e ndalur topin e goditur nga lushnjari.
9′ Fazliu jep një asist për Vilën shumë pranë portës, por goditja nuk është e duhura dhe topi përfundon jashtë.
14′ Cuculi nga e majta top në zonë, por Raçiç nuk arrin ta prekë dhe pret portieri Cakoviç.
22′ Ibrahimi provon nga një distancë e largët, topi përfundon jashtë.
23′ Kombinim mes Vilës dhe Fazliut, në fund gjuan sulmuesi kosovar, topi devijohet nga mbrojtja vendëse.
26′ Gërxho provon nga një distancë mbi 60 metra, por shënjestra është e gabuar, ndonëse portieri Hoxha kishte dalë përpara.
31′ Goditje dënimi për Partizanin. Gjuan Nexhipi, topi preket me dorë nga Xhafaj dhe gjyqtari Sadiku akordon 11-metërsh.
32′ Kapiteni Nexhipi gjuan nga pika e bardhë, Cakoviç e kupton krahun dhe e devijon topin në të djathtë të portës.
35′ Goditje dënimi për Apoloninë, gjuan Gërxho nga distanca, del portieri Hoxha dhe e grushton topin.
36′ Topi i ardhur nga këndi shkakton rrëmujë në portën e Partizanit dhe Karakaçi nuk arrin ta gjuajë si duhet dhe rreziku largohet nga mbrojtja .
44′ Batha provon me një gjuajtje ballore, Cakoviç bën mrekullinë duke e grushtuar topin.
52′ Mazrekaj në pozicion diagonal ekzekuton një gjuajtje standarde, topi përfundon mbi traun e portës.
63′ Goditje dënimi për Apoloninë, gjuan Gërxho, por pa rrezik, topi përfundon jashtë.
65′ Mustafa provon nga 30 metra, por jashtë.
69′ Gërxho merr përsipër të gjuajë një tjetër goditje standarde nga një distancë 30 metra, por topi përplaset në murin mbrojtës.
71′ Mazrekaj bën gjithçka mirë në të majtë, lëshon një top në zonë, por Raçiç ngatërrohet me këmbët e tij dhe topi përfundon jashtë.
79′ Nako nga e djathta lëshon një top të gjatë në zonën e Partizanit për Rajkoviç, i cili me kokë e ul për Cankën, i cili gjuan fort, topi devijohet nga Ibrahimi dhe përfundon në rrjetë, 1-0.
81′ Kundërsulm i Apolonisë me forca të shumta, në fund gabon Mitraj shumë pranë portës.
82′ Rajkoviç nga e majta ka një mundësi shumë të mirë, por topi ndalet nga shtylla pingule.
84′ Goditje dënimi për fierakët. Gjuan Gërxho në pozicion ballor, grushton portieri Hoxha.
89′ Goditje dënimi për të kuqtë. Gjuan Cuculi, Cakoviç bën mrekullinë duke e devijuar trajektoren e topit, që ndalet nga shtylla pingule.

Apolonia i jep leksion Partizanit në “Loni Papuçiu”, pasi të besuarit e trajnerit Elidon Demiraj fitojnë me rezultatin 1-0 me gol të shënuar nga lushnjari Canka. Përballja e djeshme mes dy skuadrave i pati të gjitha, gol, penallti të humbur, kartonë të verdhë dhe një i kuq për Dishliev, tifozëri e zjarrtë, ndërprerje të ndeshjes, për shkak të sharjeve dhe hedhjeve të sendeve në fushë, dhe në fund është Apolonia që koleksionin trepikëshin e parë për këtë kampionat. Në dallim nga java e shkuar, mbrëmë u panë dy skuadra të transformuara, ku fierakët arritën të bënin autokritikën e humbjes me Tiranën në premierë. Ndërsa nga një Partizan luftarak dhe i qartë në Laç, ndaj Apolonisë “demat” ishin të pafuqishëm, aq sa nuk arritën të shënonin edhe nga pika e bardhë e penalltisë. Pa dyshim meritë kryesore në suksesin e Apolonisë ndaj të kuqve të kryeqytetit ka edhe forma e mirë e portierit Cakoviç, i cili ndaloi 11-metërshin e gjuajtur nga kapiteni Nexhipi, si dhe disa raste të tjera për shënim nga miqtë. Në minutën e 61-të Partizani mbeti me 10 vetë, pasi bullgari Dishliev u ndëshkua me karton të kuq dhe ishte ky episod që ndryshoi edhe rrjedhën e lojës. Pas daljes së mbrojtësit të qendrës, kryeqytetasit krijuan hapësira në prapavijë, ka u dha fierakëve mundësin të krijonin disa raste shënimi, por gjithçka u vendos nga goli i Mikel Cankës në minutën e 79-të, i cili ishte edhe me pak fat, pasi gjuajtja e tij u devijua nga mbrojtësi Labinot Ibrahimi.
Pjesa e parë Takimi nis me një gjuajtje të Cankës që ndalet në shtyllë. Më pas Partizani ka një mundësi shënimi, ku në minutën e nëntë shumë pranë portës Emiljano Vila e dërgon topin jashtë. Pesë minuta më vonë është momenti i Raçiç, por serbi nuk arrin të bëjë devijimin final. Në këtë pjesë të parë Partizani ka epërsi të lehtë ndaj kundërshtarit, por mbrojtja fierake me në krye Atandën dhe portierin Cakoviç mbetet e pakalueshme. Në minutën e 23-të Vila dhe Fazliu ndërtojnë një aksion të bukur sulmues. Në fund gjuan kosovari, por topi devijohet nga mbrojtja fierake. Apolonia e godet portën e Partizanit vetëm nga goditjet standarde. Në minutën e 31-të, Nexhipi ekzekuton një goditje dënimi pranë zonës, topi ndalet nga dora e ngritur e Xhafës dhe gjyqtari akordon penallti. Një minutë më pas kapiteni Nexhipi merr përsipër të godasë topin nga pika e bardhë, por portieri Cakoviç është heroi i takimit, pasi me hedhjen e tij i thotë jo golit të Partizanit. Në minutën e 44-t është sërish portieri i Apolonisë që ndalon mrekullisht gjuajtjen e Bathës dhe pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0.
Pjesa e dytë Ashtu si në Laç, edhe në Fier trajneri Shpëtim Duro e nis lojën me zëvendësim, ku Mustafa hyn në vend të kapitenit Nexhipi. Pjesa e dytë nis më e qetë se e para dhe rreziqet për portat respektive vijnë vetëm nga goditjet standarde. Në minutën e 61- të, Dishliev, si lojtar i fundit, ndalon në mënyrë të parregullt një aksion të vendësve dhe lë ekipin me 10 vetë. Pas këtij momenti, gjithçka shkon në kahun e vendësve, ku zëvendësimet e trajnerit Demiraj, me Mitrajn dhe Rajkoviç i japin freski lojës së fierakëve. Gjithsesi, në minutën e 71-të, Mazrekaj shërben mirë për Raçiç, por serbi ngatërrohet me këmbët e veta. Minuta e 79-të, Nako nga e djathta lëshon një top të gjatë në zonën e Partizanit për Rajkoviç me kokë e ul për Cankën, që gjuan fort, topi devijohet nga Ibrahimi dhe përfundon në rrjetë, 1-0. Pas kësaj minute fierakët kanë edhe 2-3 mundësi të tjera shënimi, por Mitraj dhe Rajkoviç nuk finalizojnë si duhet. Në minutën e 89-të Vilson Cakoviç edhe një herë tregoi vlerat e tij, pasi në mënyrë spektakolare ndal gjuajtjen e Cuculit nga një goditje standarde. Topi i devijuar nga portieri përplaset në shtyllën pingule në krahun e djathtë dhe gjithçka mbyllet me fitoren 1-0 të Apolonisë, e cila shijon fitoren e parë sezonale, ndërsa Partizani mbetet në kuotën e një pike.

MË I MIRI
Portieri i Apolonisë, Vilson Cakoviç, është heroi i fitores ndaj “demave të kuq”. Portieri tregoi vlerat e tij në momentin e pritjes së penalltisë së Nexhipit në pjesën e parë, por edhe në disa situata të tjera, siç ishte pritja e gjuajtjes së Cuculit në fund të takimit. Paraqitje të mirë bëri edhe mbrojtësi Atanda, që u bë një mur për të kuqtë. Meritë ka edhe sulmuesi Mikel Canka që me golin e tij i dha Apolonisë tripikëshin e parë për këtë kampionat.

MË PAK AKTIVI
Kapiteni Nderim Nexhipi, nëse do të shënonte penalltinë e minutës së 32-të, mund t’i jepte rrjedhë tjetër takimit, kështu që shqiptari nga Maqedonia ka peshën e tij të fajit në këtë humbje. Gjithashtu, ndëshkues për Partizanin u bë edhe mbrojtësi Ignat Dishliev, që në minutën e 61-të e la ekipin në inferioritet numerik. Të kuqtë dje u treguan anemikë dhe dukej qartë se disa lojtarë ende nuk gëzojnë kondicionin e duhur, siç është rasti i mesfushorit Emiljano Vila.

Demiraj, trajneri i Apolonise“Ndaj Partizanit, u pa fytyra e vërtetë e Apolonisë”
Trajneri Elidon Demiraj ka arritur të bindë futbollistët e Apolonisë se mund t’ia dilnin përballë një kundërshtari me emër e histori si Partizani, i cili ka bërë një merkato cilësore për të qenë pretendent për titull. Ndonëse fierakët vinin pas humbjes me Tiranën në javën e parë, mbrëmë arritën të mposhtin Partizanin dhe të merrnin fitoren e parë para tifozërisë vendëse. Trajneri Demiraj u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës dhe sipas tij, kjo është Apolonia që ai kërkon, ku synimi i tij është rikthimi i klubit në ditët e tij më të mira.”Ndaj Partizanit, Apolonia tregoi vlerat e vërteta dhe këtë duam që të tregojmë gjatë gjithë kampionatit. Ne duam të rikthejmë Apoloninë e madhe që mbushte stadiumin. Dua të falënderoj të gjithë tifozët, sportdashësit dhe faktorët e tjerë që na kanë përkrahur. Jam shumë i kënaqur nga paraqitja e skuadrës në takimin me kryeqytetasit, pasi Apolonia luajti në grup, me grintë, dëshirë dhe e kërkuan fitoren nga minuta e parë deri në të 95-n. Përveç golit të shënuar nga Canka, ekipi pati edhe raste të tjera të pastra shënimi. Gjithsesi, në këtë ndeshje, Apolonia, dua ta theksoj këtë gjë, tregoi vlerat e vërteta, duke luajtur një për të gjithë dhe të gjithë për një dhe me dëshirë të madhe për fitore. Kjo është fytyra e vërtetë e skuadrës që unë drejtoj dhe jo paraqitja që bëmë me Tiranën. Faktikisht, akordimi i penalltisë m’u duk i padrejtë, por gjithsesi nuk dua të kontestoj gjykimin. Gjithashtu nuk dua të na paragjykojnë si një ekip inferior. Apolonia e këtij sezoni do ta thotë fort fjalën e saj. Jo vetëm që nuk do të bëhet fjalë për të rënë nga Kategoria Superiore, por do të synojmë të ngjitemi mes skuadrave më të mira”, u shpreh trajneri i skuadrës fierake Elidon Demiraj pas fitores me Partizanin.

Canka-284x300Canka: Goli për skeptikët e mi dhe Apolonisë
Partizani gjithnjë i ka sjellë fat sulmuesit Mikel Canka, pasi i ka ndëshkuar “demat e kuq” edhe më përpara, kur ka qenë pjesë e skuadrës së Lushnjës. Pra, Canka mund të konsiderohet si vrasësi i Partizanit, pasi goli i sulmuesit në minutën e 79-të bëri që Apolonia t’i gëzohej trepikëshit të parë sezonal. Përveç golit të shënuar, ajo që e ka gëzuar shumë lushnjarin është fitorja e ekipit, pasi në këtë mënyrë larguan të gjitha dyshimet që dolën për Apoloninë pas humbjes 3-0 në premierën e kampionatit ndaj Tiranës. “Pa dyshim që jam shumë i lumtur për fitoren që arritëm ndaj Partizanit. Ky sukses ndaj të kuqve është më shumë se një fitore morali për ne. Morëm atë që merituam në fushë, pasi në fakt zhvilluam edhe një lojë shumë të mirë. Ndihem shumë i lumtur që arrita të shënoj, pasi në këtë mënyrë arrita t’i jap ekipit tri pikët e para. Golin ua dedikoj skeptikëve, të cilët nuk kishin besim se do të shënoja dhe do të fitonim si skuadër mbas asaj humbjeje që pësuam me Tiranën. Ishte një fitore e rëndësishme ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Treguam karakter dhe dinjitet e mbi të gjitha shpalosëm vlerat reale të skuadrës sonë. Kam besim se nuk do të ndalojmë këtu, por do të shënojmë dhe gola të tjera. Kjo Apoloni i ka të gjitha forcat dhe mundësitë për të qenë një skuadër e suksesshme në pjesën në vazhdim të kampionatit”, u shpreh autori i golit të fitores për Apoloninë, Mikel Canka. Lushnjari ka qenë përforcimi i parë i skuadrës fierake në merkato dhe rezultoi edhe si lojtari që i dha fitoren e parë Apolonisë në rikthimin në Superiore.

Cakovic, portieri serb i Apolonise“E parandjeva pritjen e penalltisë së Nexhipit”
Goli i Mikel Cankës në minutën e 79-të u konvertua në trepikësh për Apoloninë. Por, nëse nuk do të ishte paraqitja e mirë e portierit Cakoviç, goli i lushnjarit mund të kishte mbetur sa për statistikë. Pa dyshim portieri serb është heroi i takimit të djeshëm, pasi me pritjet e tij Vilson Cakoviç udhëhoqi Apoloninë drejt suksesit. Portieri i skuadrës fierake u tregua i gatshëm në çdo moment. Kulmi ishte në minutën e 32-të, kur priti penalltinë e gjuajtur nga Nderim Nexhipi, si dhe pritja spektakolare e gjuajtjes së Cuculit në minutën e 89-të. Në rrëfimin e tij pas ndeshjes me Partizanin portieri nuk e fsheh gëzimin e fitores dhe pohon se kishte shumë besim në vetvete gjatë gjithë ndeshjes. Ai pohon se rastin e penalltisë së gjuajtur nga kapiteni i të kuqve e ka pritur me qetësi dhe, sipas tij, në këtë sfidë e ka bërë si duhet detyrën e tij, çka pati ndikim në suksesin e Apolonisë. “Apolonia arriti të bënte autokritikën e humbjes me Tiranën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mposhtur Partizanin. Jam shumë i gëzuar që arritëm të fitonim një ndeshje ndaj një skuadre të madhe, me emër dhe që ka bërë përforcime të shumta e cilësore në merkato. Skuadra luajti në grup, zhvilloi një lojë mjaft të bukur dhe pa dyshim e merituam fitoren ndaj Partizanit. Penalltia? Pas momentit që u akordua 11-metërshi, e ndjeva që nuk do të lejoja prekjen e rrjetës dhe t’ju them të drejtën kisha një besim të plotë te vetvetja dhe ashtu ndodhi. Kuptova krahun, u hodha dhe grushtova. Duke i bashkuar kësaj edhe ndërhyrjet e tjera gjatë ndeshjes, mendoj se e kreva si duhet detyrën time. Megjithatë, merita nuk është vetëm e imja, por dhe e repartit të mbrojtjes që u tregua në lartësinë e duhur”, u shpreh portieri Vilson Cakoviç pas ndeshjes. Serbi kërkon që këtë paraqitje ai dhe ekipi ta ruajnë edhe në javët në vijim.

Duro ShpetimDuro: Humbja s’është fundi i botës
Trajneri Shpëtim Duro priste që, pas paraqitjes së mirë në transfertën e Laçit, në Fier skuadra të merrte suksesin e parë sezonal, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Ndoshta trajneri kishte parandjenjë se mund t’i ndodhte kjo gjë, pasi në konferencën për shtyp të ditës së enjte deklaroi: “Në Fier nuk pres asgjë më shumë se sa ajo që treguam në Laç. Ndaj Apolonisë do të kërkojmë fitoren, por në futboll nuk ka dështim. Kampionati është i gjatë. Futbolli i ka të gjithë situatat, të papriturat, rezultatet surprizë dhe shumë gjëra të tjera. Unë them se ne do të shkojmë në Fier për fitore dhe se si do të dalim, do të flasim pas ndeshjes”. Por pas ndeshja ka rezervuar një shije të hidhur për trajnerin e Partizanit, pasi skuadra e tij u ndëshkua në “Loni Papuçiu”. Trajneri Shpëtim Duro ka kërkuar që kjo humbje të mos dramatizohet. Megjithëse është e rëndë për momentin, s’duhet të konsiderohet si fundi i botës. Sipas Duros, në disfatën e djeshme ndikuan disa faktorë, siç ishte humbja e penalltisë së kapitenit Nexhipi, apo edhe dalja me karton të kuq e mbrojtësit Ignat Dishliev. “Nuk më intereson loja e bukur që zhvilluam në ndeshjen ndaj Apolonisë, pasi për momentin na intereson rezultati. Pa dyshim se në rezultatin final ndikuan dy-tre momente decizive, siç ishte penalltia e humbur në pjesën e parë, apo edhe dalja me karton të kuq e Dishliev. Largimi i mbrojtësit në minutën e 61-të i prishi ekuilibrat e lojtarëve në fushë, gjë e cila na shtoi shumë punë për të arritur rezultatin. Kjo humbje në këtë moment është shumë e rëndë për Partizanin. Duke u nisur nga loja që zhvilluam në Laç, ne erdhëm në Fier për të marr tripikëshin e parë për këtë kampionat, por në fund u ndëshkuam. Ky është futbolli, ne e pranojmë këtë humbje, pasi nuk është fundi i botës. Kështu që nuk dua që këtë humbje aksidentale në Fier, ta kthejmë në tragjedi”, u shpreh trajneri i të kuqve të kryeqytetit pas ndeshjes me Apoloninë. Pa dyshim humbja me Apoloninë e zhvlerëson paraqitjen e mirë që Partizani i trajnerit Duro bëri në start ndaj Laçit.
MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"