Apolonia “fut ujë” në mbrojtje, ndërprerja vjen si me porosi. Ekipi i trajneri Mërgjyshi ka humbur efikasitetin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2024 | 21:10

Apolonia “fut ujë” në mbrojtje, ndërprerja vjen si me porosi. Ekipi i trajneri Mërgjyshi ka humbur efikasitetin

Barazimi 1-1 me Korabin në “Loni Papuçiu” rikonfirmon momentin jo të mirë që po kalon Apolonia, e cila vijon të mos ketë vazhdimësi në kampionat prej së paku tri muajsh. Skuadra fierake, për fat të mirë, nuk humbi vendin e pestë në klasifikim pasi ka golaverazh më të mirë edhe pse me pikë të barabarta me Korabin.

apolonia

Ekipi i drejtuar nga trajneri i Artan Mërgjyshit ka humbur efikasitetin, duke lënë pikë të vyera në objektivin për t’i mbyllur 33 javët e kampionatit në vendin e 3-të ose të 4-t. Ndërprerja e kampionatit në këtë moment delikat, duket se është një asist i mirë për Apoloninë, që ka kohën e duhur për të rikuperuar lojtarët e dëmtuar, si dhe për të afirmuar lojtarët e ardhur në merkaton e dimrit. Kjo ndalesë e kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, pritet t’i shërbejë fierakëve edhe për të analizuar defektet në repartin difensiv.

Mbrojtja e Apolonisë “fut ujë”, pasi ekipi pëson gol thuajse në çdo ndeshje dhe ky repart shihet si më difektozi në mbarëvajtjen e rezultateve. Viti 2024 ka prodhuar rezultate jo të kënaqshme për fierakët, të cilët në 9 ndeshje kanë hipotekuar 2 fitore, 4 barazime dhe 3 humbje. Me 10 pikë të grumbulluara nga 27 të mundshme, viti i ri ka rikonfirmuar momentin “jo” dhe mungesën e vazhdimësisë së Apolonisë në kampionat. Përtej atmosferës së javëve të fundit, teorikisht në letër java e 26-të i rezervon një kundërshtar të lehtë si Tomori, ku synohen 3 pikët.

Fitorja me beratasit do të garantonte ruajtjen e vendit të pestë, por edhe një frymëmarrje për ekipin për pjesën e mbetur të sezonit. Për Apoloninë kanë mbetur edhe 8 takime për të siguruar “play off”-in, si mundësinë e dytë për t’u ngjitur në elitë. Pengesa e katërt në këtë fazë të tretë është Tomori, i cili po humbet shpresat për të mbijetuar sepse vijon të pozicionohet në vendin e fundit. Në këto kushte, trajneri Artan Mërgjyshi do të mundohet të motivojë të tijtë për të mos rrezikuar objektivat e fillim të sezonit.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"