Analiza/ Kurthi i Japonisë që nxori Spanjën lakuriq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2022 | 21:42

Analiza/ Kurthi i Japonisë që nxori Spanjën lakuriq

Spanja u përplas kokë më kokë me sistemin mbrojtës të aplikuar nga Japonia, në një humbje që i rrezikoi vendin në 1/8-at e finaleve të kampionatit botëror.

JAPONIA

Japonezët shënuan shumë shpejt dy gola në fillimin e pjesës së dytë dhe e mbrojtën fitoren me një disiplinë taktike të ndërtuar mbi një tërheqje intensive dhe presion të përhershëm në gjysmëfushën e tyre. Skuadra spanjolle, nga ana e saj, u bllokua në sulm.

Më poshtë janë disa nga lëvizjet taktike që shpjegojnë arsyet e humbjes së Spanjës së Luis Enrikes në ndeshjen e fundit në fazën në grupe.

BLLOKIMI I BUSKETS – Rodri luajti si qendërmbrojtës, duke parë se Buskets ishte tërësisht i izoluar dhe jashtë loje, ai bëri detyrën e kapitenit në një pjesë të rëndësishme të lojës. Japonia u mbrojt në gjysmën e saj me një model 5-3-2 në të cilin mesfushorët dhe sulmuesit u grumbulluan në zonën qendrore, duke mos i dhënë asnjë mundësi numrit 5 të Spanjës për të ndërtuar manovrën e lojës së “Furisë së Kuqe”.

PAK HAPËSIRA DHE GRUMBULLIM “TRUPASH” – Japonia e zvogëloi fushën në 20 metra. Me skuadrën e kthyer shumë prapa, por pa u mbyllur e gjitha në zonë, japonezët bënë që Pedri dhe Gavi të “zhdukeshin”, pa pasur hapësirë për të vepruar ndërmjet linjave japoneze, përkatësisht vijës së pesë mbrojtësve dhe vijës së tre mesfushorëve të skuadrës së Morijasut.

Pa sukses rezultuan në manovrën e tyre edhe Dani Olmo e Niko Uilliams. Edhe aktivizimi i mëtejshëm i Ansu Fati dhe Ferran Torres nuk ndryshoi gjë, pasi loja vijoi të luhej në zona mjaft të ngushta, ku ishte shumë e vështirë për kombinacione. Një tregues mjaft domethënës i vështirësive të Spanjës ishte qarkullimi shumë i dendur i topit nga qendërmbrojtësit: Rodri dha 215 pasime dhe Pau Torres 190! Atë që kërkonte Japonia.

MUNGESA E NJË NUMRI 9 – Ndryshimi i Moratës vështirë se perceptohet drejt nga publiku i gjerë. Me një Japoni të mbyllur, Spanja u dënua të punonte nga krahët, por pa Moratën në zonë alternativat ishin të pakta.

Ishte pikërisht ai me kokë që shënoi golin e vetëm për Spanjën ndaj një skuadre që, meqë ra fjala, e vuan jo pak lojën në ajër. Luis Enrike do të ketë arsyet e tij dhe ka më shumë informacion se kushdo, por me çfarë u pa në pjesën e dytë është e vështirë të kuptohet se çfarë e shtyu asturianin të largonte Moratën nga fusha.

DALJA E SPANJËS, RREZIK QË JAPONIA E DINTE – Rivalët duket se kanë nisur të gjejnë pikat e dobëta të Spanjës. Obsesioni i “La Roja”-s për të dalë me topin nga zona u kthye kundër tyre në golin e barazimit. Por në gabimin e Spanjës, doli në pah aftësia e Japonisë, e cila shtoi një marsh më shumë në presingun e saj kur ishte në pozicione të avancuara.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"