Alikaj transferohet te Skënderbeu, por lë akuza pas: Trajneri Shensoji prishi Kukësin

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Janar 31, 2014 | 12:59

Alikaj transferohet te Skënderbeu, por lë akuza pas: Trajneri Shensoji prishi Kukësin

AlikajEnkel Alikaj ka zyrtarizuar dje largimin nga Kukësi, teksa ka marrë edhe dokumentacionin nga klubi verior, pas takimit kokë më kokë me presidentin Safet Gjici. Palët kanë zgjidhur kontratën në mënyrë konsensuale, ndërkohë që sot mesfushori ka zyrtarizuar transferimin te kampionët në fuqi të Skënderbeut. Partizani, Kastrioti, por jo vetëm, i kanë bërë një ofertë lojtarit, por ky i fundit ka pranuar për “Panorama Sport” se më tepër e joshte klubi korçar. Alikaj ka takuar presidentin Ardjan Takaj dhe ka vendosur të firmosë për bardhekuqtë. Gjithsesi, në një intervistë për gazetën, 32- vjeçari i tregon të gjitha, që nga largimi me polemika nga Kukësi e deri tek ofertat. Ai akuzon trajnerin Naxhi Shensoji për prishje të klimës në skuadrën veriore, teksa thekson se ka lënë një Kukës të trazuar. Për më tepër, ja si u shpreh mesfushori tiranas:
Enkel, një ditë pas largimit nga Kukësi, zërat e merkatos ju dërgojnë te Skënderbeu. Si është e vërteta?
E vërteta është se jam në bisedime me klubin e Skënderbeut, por nesër (sot) pres të flas më konkretisht me presidentin Ardjan Takaj për të konkretizuar marrëveshjen (kjo është bërë realitet, e konfirmuar nga klubi kampion i Shqipërisë).
Cilat janë alternativat e tjera?
Ofertë interesante kam marrë nga Partizani, por për hir të së vërtetës kam pasur edhe disa variante të tjera në këtë fund merkatoje. Megjithatë, nuk mund ta mohoj se Skënderbeu më josh më tepër se klubet e tjera, por gjithsesi le të presim edhe pak.
Të kalojmë te Kukësi, pse kërkuat largimin?
Që në momentin që bëra një debat me trajnerin Shensoji në stërvitje, gjërat për mua te Kukësi nuk shkuan mirë. Në këto kushte, ishte e kotë që unë të vazhdoja të qëndroja. Aktivizimi ka qenë i paktë në pjesën e parë të sezonit dhe sigurisht asnjë futbollist nuk është i kënaqur të qëndrojë në stol. Çdo trajner ka preferencat e veta për sa u përket përzgjedhjes së lojtarëve, por mënyra e sjelljes së Shensojit ishte tendencioze ndaj meje që në fillim kur ai mori drejtimin e Kukësit.
Pse Shensoji duhet të ishte tendencioz pikërisht me ty? Unë mendoj se më shumë sesa trajner, Shensoji me mua është sjellë si një menaxher lojtarësh. Ka bërë një rol të tillë, duke më mënjanuar mua si mesfushor qendre dhe arritur ato qëllime që ai ka pasur me lojtarë të tjerë që ka sjellë te Kukësi.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Ky është realiteti, sepse Shensoji u bë shkak për të larguar disa lojtarë me shumë peshë te Kukësi, pra ata që arritën me këtë skuadër një sukses të paparë ndonjëherë. Ai largoi emra si Popoviç e të tjerë, por ishalla këto zgjedhjet e fundit që ka bërë, mbase i japin të drejtë me rezultate. Ajo që unë di të them, është se kam lënë një Kukës shumë të trazuar prej trajnerit aktual. Nuk është më ai grup i sezonit të kaluar, që ishte në harmoni të plotë.
Po me drejtuesit e klubit si u ndatë?
Në mënyrën më të mirë. Meqë më jepet rasti, falënderoj presidentin e klubit, Safet Gjici, për trajtimin që më ka bërë gjatë 1 viti e gjysmë qëndrimi te Kukësi. Që në momentin e parë që e takova për t’i kërkuar largimin, zoti Gjici nuk më krijoi asnjë pengesë. Gjithashtu më duhet të falënderoj shokët e skuadrës, pasi kalova një periudhë të mrekullueshme. Në veçanti përshëndes tifozët kuksianë, të cilët më kanë mbështetur shumë. U jam mirënjohës për gjithë përkrahjen që më kanë bërë te Kukësi.

“Zbutet” Takaj: Morina nuk është në planet tona
“Zbutet” presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, në lidhje me çështjen e sulmuesit Mario Morina, i cili pret OK-in e tij për t’u transferuar te Tirana. Dje, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, kreu i klubit korçar deklaroi: “Vazhdoj të theksoj se ende nuk kam marrë asnjë kontakt nga drejtuesit e Tiranës për të diskutuar rreth Morinës. Por, mund të them se sulmuesi tashmë nuk është në planet tona. Fakti që Morina nuk erdhi me ne në fazën përgatitore në Portugali dhe Spanjë, e tregon fare qartë që nuk është një lojtar që e kemi në plane. Është edhe një ditë merkatoje përpara dhe mund të them se kemi mundësi që të ndodhë diçka. Nuk e përjashtoj se mund të gjejmë gjuhën e përbashkët me Tiranën për të arritur në një kompromis për kalimin e Morinës, përderisa vetë lojtari ka afërsisht një muaj që stërvitet me Tiranën”. Ndërkohë, për një transferim të Gilman Likës, dje presidenti Takaj sqaroi: “Nuk kemi asnjë të re për momentin, por janë edhe 24 orë merkatoje, ndoshta mund të ndodhë diçka në minutat e fundit.”
JORGIS MEMO






www.minuta90.com