Afrimet e Partizanit pa vazhdimësi, zbardhet misteri… Da Silva

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2022 | 14:32

Afrimet e Partizanit pa vazhdimësi, zbardhet misteri… Da Silva

Viktor da Silva ishte padyshim afrimi më i rëndësishëm i verës për Partizanin.

VIKTOR DA SILVA

Braziliani vinte pas dy sezonesh shumë të mira te Vllaznia dhe u bë pjesë e të kuqve pas një historie të gjatë në verë me një mosmarrëveshje mes ish-trajnerit Mehmeti dhe drejtorit Marini, të cilët kishin opinione të ndryshme në lidhje me transferimin e 27-vjeçarit. Por pas largimit të Mehmetit, Da Silva u bashkua me Partizanin, edhe pse ai kishte firmosur më parë në Qipro

. Me të ardhur, ai e zuri shpejt vendin në formacion, por dëmtimet i ka pasur të njëpasnjëshme. Braziliani ka herë pas here probleme fizike dhe i duhet të punojë në një pjesë të madhe të kohës me program të veçuar.

“MISTERI” – Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Kolela nuk dha shumë detaje mbi gjendjen e Da Silvës, teksa më pas ai nuk e aktivizoi në asnjë ndeshje miqësore në Turqi.

Burime për gazetën bëjnë me dije se fantazisti është stërvitur normalisht me grupin në ditët e para të fazës përgatitore në Antalia, por më pas ai ka reklamuar sërish probleme muskulore.

Kjo i ka detyruar mjekët të hartojnë një program individual për rehabilitimin e problemit të brazilianit, çka e ka detyruar edhe trajnerin të mos e llogarisë për testet me Nasaxhi Mazandarën, Sivasporin dhe së fundmi me Umraniesporin.

Gjendja e Da Silvës aktualisht është më e mirë, por shanset më të mëdha janë që ai të mos jetë i gatshëm për të dielën me Erzenin. Matondo është rikuperuar plotësisht dhe është gati.

AFRIMET DHE DËMTIMET – Partizani në merkaton e verës arriti të peshkojë disa lojtarë të spikatur dhe plot talent, por problemi i vetëm është se gjendja fizike e tyre duket se nuk është studiuar shumë në momentin e përzgjedhjes nga drejtuesit.

Më lart po flisnim për Da Silvën, i cili ka humbur disa ndeshje për shkak dëmtimesh dhe vuan që nga 30 tetori një shqetësim muskulor.

Para pak ditësh klubi largoi Romeron, i cili nuk arriti asnjëherë në gjendjen për të luajtur një ndeshje të plotë, dhe Cvetanoskin, i cili erdhi i dëmtuar dhe iu desh kohë të rikuperohej.

Nga ana tjetër edhe Engjëll Hoti, Marcelino Preka apo Bruno Telushi, kanë hasur probleme fizike.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"