Abrashi: Kam oferta, iki nga Zvicra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2015 | 20:02

Abrashi: Kam oferta, iki nga Zvicra

amir-abrashiAmir Abrashi do të largohet nga Grasshopers në fund të këtij sezoni. Lajmi është konfirmuar nga vetë lojtari në një prononcim të dhënë dje për “Telegraf”. Mesfushorit të Kombëtares shqiptare i përfundon kontrata në qershor të këtij viti, ndërkohë që ka konfirmuar se nuk do të rinovojë me klubin zviceran. Ai ka treguar edhe arsyet se përse nuk pranoi që të largohej nga skuadra gjatë merkatos së janarit, ku duhet thënë se pati interesime dhe oferta nga disa skuadra si në Itali dhe Gjermani. Gjasat janë që e ardhmja e Abrashit të jetë mes Serisë A, Bundesligës së Parë dhe Primera Divisionit.

Deklarata

“Të gjithë e prisnin largimin tim gjatë muajit janar, por nuk ika pasi klubi nuk më lejonte. Natyrisht që një tjetër shkak ishte se në verë është më e përshtatshme të ndërrosh klub, pasi ambientohesh më lehtë. Pra, përfundimisht do të largohem në merkaton e verës”, tha fillimisht Abrashi, duke vijuar se klubi aktual Grasshoper po kërkon qëndrimin e tij, duke i ofruar zgjatjen e kontratës. “Grasshoper më ka ofruar kontratë të re, por unë nuk e kam pranuar. Këtu kam kaluar pesë vite të mrekullueshme të karrierës ime, por ka ardhur koha që të bëj hapin e madh dhe të shkoj në ndonjë kampionat më të rëndësishëm. Gjatë janarit kishte interesime të ndryshme nga klube gjermane dhe disa skuadra në Itali, por unë vendosa të qëndroj këtu”, tha mesfushori.

Rinovimi

E pasi mbeti edhe për gjashtë muaj të tjerë, djaloshi nga Gjakova, i cili ka 12 ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë, tregon emrat e disa prej skuadrave të interesuara për të. “Fillimisht është Verder Bremen një mundësi e mirë, por ta shikojmë në verë. Në Itali janë Xhenoa, Kievo, Atalanta dhe Torino, por të shikojmë se çfarë do bëjmë. Dua të them se është edhe një skuadër nga La Liga spanjolle që po më kërkon prej kohësh me ngulm, por që emrin nuk mund t’jua zbuloj. Do të mendohem gjatë se për cilën skuadër do të nënshkruaj në verë”, tha Abrashi.

Ndërkohë, së fundmi, mediat italiane kanë shkruar se për gjakovarin fantastik interesim ka shprehur edhe Lacio e Lorik Canës dhe Etrit Berishës, por që për këtë gjë Abrashi nuk është i informuar.

Kombëtarja

Në fund, ai është ndalur edhe tek ekipi përfaqësues, duke theksuar se me lojën dhe pikët e marra, Shqipëria ka shanse reale për të shkuar për herë të parë në historinë e saj në një event të madh sikundër është kampionati europian. “Ne jemi një grup shumë i mirë lojtarësh. Jemi të lidhur shumë me njëri-tjetrin dhe kjo do të na ndihmojë për të shkuar në europian. Kam besim të madh se do ta realizojmë ëndrrën e të gjithë shqiptarëve. Unë besoj, besoni edhe ju, Shqipëria do të shkojë në ‘Francë 2016′”, deklaroi Abrashi.

Përgatiti: LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"