Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2012 | 14:00

Deklarata e ish-presidentit të Tiranës, Halili, se finalja e kupës në 2009 u shit, ka sjellë reagime në Vlorë. Ish-trajneri i asaj kohe, Eqerem Memushi, i cili momentalisht gjendet në Itali për arsye pune, ka reaguar ndaj kësaj deklarate, duke hedhur poshtë çdo pretendim. “Nuk është aspak e vërtetë. Unë në fakt nuk kam konstatuar asgjë. Mund të them se loja shkoi mirë. Përse fituam në momentet e fundit? Këtu nuk ka asnjë arsye për të menduar që ajo ndeshje është shitur. Por me gjithë respektin që kam për Halilin, më duhet të them se ndoshta ai mund të ketë shitur ndeshje. Superkupën që fitoi, unë e kam cilësuar si ‘Superkupa e Albano Jankut’, pasi ne menjëherë i mundëm në kampionat. Si mund të shitet një ndeshje kur ata ishin në avantazh? Gjithçka u vendos në minutat e fundit. Ne e meritonim atë kupë. Por nëse ai e do atë kupë, atëherë le t’ia japim dhuratë. Një gjë është e sigurt, ne e fituam me meritë atë ndeshje dhe nuk ka më vend për diskutime”, – tha Memushi. Lidhur me këtë gjë ka reaguar edhe ish-zëvendëstrajneri i atëhershëm i Flamurtarit, Latif Gjondeda. Sipas Gjondedës, me këtë deklaratë Halili donte të mbulonte problemet e tij në klub. “Nga e pa ai që u shit ndeshja? Pse nuk e tha para ndeshjes apo pas saj një gjë të tillë? Ai kërkon të justifikojë largimin. Pra, mendoj se është pretendim që e ngre për ta justifikuar. Ndeshja vajti normalisht dhe unë personalisht në prezencë edhe të presidentit Gjika, i thashë presidentit Bamir Topi: ‘President, mos ju ngelet qejfi se kupa na takon ne’. Në 20 minutat e fundit u hodhëm në sulm dhe e merituam atë kupë. Ai i bën këto deklarata për të rritur vlerën e presidencës dhe konfliktet që ka. Është pretekst dhe pretendim për të justifikuar problemet e atëhershme. Goli në minutat e fundit me duket se ndodh në ndeshjet e kampionatit botëror që kalojnë në disavantazh”, – nënvizon Gjondeda. Edhe drejtues të klubit mendojnë se ai takim nuk ka qenë i shitur. “Flamurtari as ka shitur dhe as ka blerë ndeshje. Nuk bëhemi pjesë e këtyre lojërave të ndyra. Ajo ndeshje u fitua me meritë. Nëse do të bënim të tilla lojëra, edhe ne do ta fitonim ndonjëherë kampionatin. Luajmë pastër dhe ndershëm”, – shprehen drejtuesit.

SHPETIM GJIKA
“Halili nuk bën pazare, kështu po na përbalt”
Edhe presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika ka dhënë një prononcim lidhur me deklaratën e Refik Halilit. Kryebashkiaku ka theksuar faktin se Halilin e njeh dhe beson se ai njeri nuk përzihet kurrë me pazare ndeshjesh, por sakaq nuk ka harruar pa i kujtuar faktin se indirekt me deklaratën e tij po përbalt klubin e Flamurtarit. Sipas Gjikës, ai trofe është mëse i merituar dhe i fituar në fushën e lojës. Sakaq, atij nuk i interesojnë problematikat që mund të ketë pasur Tirana brenda familjes jo vetëm në atë ndeshje por edhe në dy sezonet e fundit, me largimin Halilit nga klubi. “Unë e kam mik Refik Halilin. Dhe e dini pse? Sepse ky njeri është nga të vetmit në kampionatin shqiptar që e kam konsideruar binjak me veten time në distancimin nga pazaret dhe allishverishet. E lexova prononcimin që kishte dhënë, por është punë e tij se çfarë i kanë bërë lojtarët e Tiranës. Ju kujtoj se në atë ndeshje kam qenë në krah me Halilin dhe ish-presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi. Për mua dhe gjithë opinionin publik ka qenë një ndeshje shumë e luftuar deri në sekondat e fundit. Ekipi im nuk është palë e pazareve, jo vetëm në atë ndeshje, por kurrë sa jam unë në drejtim të klubit. Halili mund të jetë i dëshpëruar për mënyrën se si po ja trajtojnë kontributet te Tirana, por kjo nuk i jep asnjë të drejtë të përbaltë djersën dhe meritën tonë. Morëm një fitore mëse të merituar në atë finale”, ka pohuar dje nëpërmjet telefonit, presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika.

GERI ÇIPI
“Qesharake, u lodhëm me të tilla akuza”
Administratori i klubit të Flamurtarit, Geri Çipi, i ka cilësuar si qesharake akuzat e ish-presidentit të Tiranës, Refik Halili, për ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë të vitit 2009. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, Çipi u shpreh: “Deklarata e Halilit është më shumë se qesharake. I them që të rikujtojë skenat e ndeshjes dhe jo të merret me gjëra pa lidhje. Le ta shikojë edhe një herë kasetën dhe pastaj të nxjerrë konkluzione. Flamurtari ka fituar me meritë të plotë, madje me një gol në kohën shtesë. Mendoj se tashmë deklarata të tilla u bënë shumë të rëndomta në futbollin shqiptar. I bie që çdo ndeshje që fitohet, të shitet. Jemi lodhur me të tilla akuza të pabaza dhe, përpara se Halili të hedhë të tilla shashka, i them të shikojë paràtë e tij, të cilat i fluturuan. Ky zotëri nuk do të përfundonte kështu si tani nëse do të kishte të tjera mendime. Megjithatë, ne si klub pak na intereson, edhe pse është e turpshme që fitorja jonë përbaltet. Nuk është aspak korrekte kjo që ndodh, madje mund t’ju them se edhe dje në Durrës pas ndeshjes kështu na përgojuan. Pra, sa herë që fiton një skuadër, hidhet vetëm baltë dhe mbizotërojnë akuzat e pabaza. Më duken gjëra pa vlerë”, – ka thënë fillimisht Çipi. Sakaq pak ditë më parë, ish-trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça, ka thënë ndër të tjera në një intervistë se nuk është mbështetur nga drejtuesit e klubit në kohën që i drejtonte kuqezinjtë. Për këtë Çipi deklaroi: “Zotit Muça i dorëzuam çelësat e skuadrës dhe i plotësuam atë çfarë deshi, por më pas në mënyrë qesharake thotë që nuk u mbështet nga klubi”.

Nallbani-Dabulla: U luajt pastër, s’e shitëm kupën
Dy ish-futbollistë të Tiranës, Rezart Dabulla dhe Blendi Nallbani, pjesë e ekipit në ndeshjen finale të kupës në 2009-ën ndaj Flamurtarit, pohojnë se në gjykimin e tyre ndeshja nuk ka qenë e shitur. Sakaq, që të dy ish-bardheblutë i largohen polemikës me ish-presidentin Halili, duke theksuar se ata vetë kanë luajtur pastër në atë përballje.
Dabulla – “Personalisht flas për veten time, kam luajtur pastër në atë takim, pasi kuptohet që ishte një ndeshje finale shumë e rëndësishme për ne. Madje, mbaj mend që kam shënuar edhe golin e parë të ndeshjes. Tani nuk do të më pëlqente aspak që të bëj polemika me z.Halili, por mua, me aq sa kam parë në fushë, nuk më është dukur si e shitur. Ne luajtëm lojën tonë, ndërsa Flamurtari gjatë pjesës së dytë e rriti shumë lojën në sulm dhe na barazoi, e shënoi edhe golin e fitores. Gjithsesi, nuk mohoj dhe as konfirmoj atë që ka thënë Halili. Natyrisht, duke qenë president klubi, ai gjithnjë ka ditur diçka më shumë sesa ne si futbollistë. Në këtë këndvështrim, nuk di t’ju jap një sqarim më shumë”, – tha “Dabi”.
Nallbani – “Nuk e mbaj mend shumë atë takim. Megjithëse, po ta dija që ajo ndeshje ka qenë e shitur, do ta kisha luajtur vetë dhe do të kisha bërë ndonjë lekë të paktën. Unë them se nuk është shitur ajo ndeshje, të paktën për aq sa kam unë dijeni. Nuk dua ta paragjykoj Halilin, por them se, edhe pse ishim një skuadër shumë më e mirë sesa Vlora, një ndeshje teke mund ta humbë cilado skuadër, sado e fortë që të jetë. Unë personalisht di t’ju them se ajo ndeshje nuk ishte e shitur”, – ka thënë “Tata”.
Ndeshja – Tirana vinte në atë finale si kryesuese e Superiores, ndërsa Flamurtari renditej në vend të 7-të, me një skuadër realisht pa shumë pretendime për organikën që kishte në dispozicion. Madje, nëse vëren me kujdes edhe formacionet, duket qartë se Tirana ishte superiore, thuajse në të gjitha aspektet. Kështu nisi edhe kjo përballje, me Tiranën që për minuta të tëra ushtroi presion në pjesën e parë drejt portës së mbrojtur nga Moçka. Për të ardhur te minuta e 42-të. Kapiteni Devi Muka ekzekutoi një goditje të lirë në afërsi të këndit, harkimi ishte i lartë në zonë dhe aty mbrojtësi 29-vjeçar (asokohe), Rezart Dabulla, kërceu fuqishëm mbi Çaushajn, duke shënuar me kokë golin e parë. Kështu përfundoi pjesa e parë. Gjatë fraksionit të dytë të ndeshjes, Tirana e uli ndjeshëm lojën sulmuese, paçka se në fushë kishte lojtarë si Muzaka, Agolli, Muka, Daniel Xhafa dhe Memelli. Për të ardhur te minuta e 65-të. Zeqiri i shpëtoi mbulimit të Dabullës, më pas shmangu edhe ndërhyrjen e Abrahamit, Nallbani doli nga porta në mënyrë gati aventureske dhe, në këtë çast, lojtari i Flamurtarit i dhuroi pasin e artë sulmuesit Devis Mema. Ky i fundit, i lirë para kuadratit të portës, bëri golin më të lehtë, duke e shtyrë topin në rrjetë. Flamurtari vazhdon të besojë dhe, në minutën e dytë shtesë, Hair Zeqiri galopoi drejt zonës bardheblu, duke poshtëruar Nallbanin me topin e kaluar mes këmbëve dhe duke vulosur përfundimisht rezultatin 2-1.

AKUZA E ISH-PRESIDENTIT
Halili: Tirana e shiti finalen e kupës me Vlonjatët

Refik Halili ka nxjerrë në dritë një prapaskenë të frikshme, që ka ndodhur në vitin 2009, kur Tirana humbi finalen e Kupës së Shqipërisë. “Ajo ndeshje ishte e shitur. E shitën lojtarët,” – ka thënë ish-presidenti i Tiranës për “Ora News”.
Ish-kreu i klubit bardheblu nuk ka dhënë argumenta dhe nuk ka përmendur emra futbollistësh, por ka deklaruar me vendosmëri se ajo ndeshje ka qenë e manipuluar, duke ua faturuar futbollistëve dështimin dhe përgjegjësinë. ”Kur nuk vdiqa atëherë, nuk mendoj se do të vdes ndonjëherë nga futbolli. Isha tmerrësisht i stresuar pas ndeshjes, sepse u hapën llafe, duke aluduar se Refik Halili kishte prona në Vlorë dhe kishte ndonjë interes që të bënte dallavere. E turpshme! Kisha investuar qindra-miliona lekë për të fituar titullin dhe Kupën dhe duhej t’i hidhja në erë ato pikërisht në fund?! E kuptoni ju se çfarë kostoje ishte ajo, apo jo? Sigurisht, tifozët dhe gazetarët e dinë mirë atë punë dhe si shkoi ajo ndeshje. Unë mendoj se ishte e shitur. Po ju them se kisha vënë 48 milionë lekë shpërblim për skuadrën në rast se fitonte Kupën dhe kur e pashë atë që ndodhi në fushën e lojës, u dëshpërova shumë,” – ka deklaruar ish-drejtuesi i klubit bardheblu.
Financat Halili më pas ka kritikuar edhe njerëzit që menaxhojnë klubin “Tirana” dhe ata që qëndrojnë pranë kryebashkiakut Lulzim Basha. Ish-presidenti ka delaruar se Basha është i vetmi person që mund ta zgjidhë ngërcin aktual, por ai është pak k informuar mbi gjendjen, ose i keqinformuar. “Kurrë në këto 22 vite Tirana nuk ka vuajtur kaq shumë nga financat. Unë mendoj se kjo është e zgjidhshme, madje zdhidhet shpejt e saktë. Mjafton që të afrohen disa donatorë që të mund të investojnë dhe merr fund kjo punë. Një ndër donatorët e interesuar jam edhe unë, por ama neve, apo kushdo që të afrohet, duhet t’u njihen kontributet, sepse nuk mund të hedhim para kot duke mos marrë asnjë përfimtim. Unë kam respekt për kohën kur kam bashkëpunuar me donatorët e tjerë, por mendoj se ata u treguan disi më të zgjuar, sepse e panë se kjo punë nuk kishte zgjidhje dhe se klubit i duhej shumë kohë për t’u shndërruar në shoqëri aksionare, ndaj u tërhoqën. Unë financova deri në fund dhe nuk jam bërë pishman, por ama edhe kështu nuk mund të qëndroja,” – ka deklaruar Halili.

Finalja e Kupës së Shqipërisë (06.05.2009)
Tirana-Flamurtari 1-2

Golat: Dabulla 42’ / Zeqiri 65’, Mema 92’
Tirana: Nallbani, Osmani (Muzaka 46’), Dabulla, Pezo, Abraham, Muka, Patushi (Sefa 78’), Agolli, Memelli, D.Xhafa. Trajner: Agustin Kola
Flamurtari: Mocka, Begaj, Panic, Beqiri, Veliu, Kuqi, Strati (Shehaj 54’), Alvizh (Brajkovic 70’), Zeqiri, Caushj, Mema. Trajner: Eqerem Memushi


NDIQE LIVE "PANORAMA TV"