45 gola në 32 javë, Juventusi më i dobët i 25 viteve të fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2024 | 16:59

45 gola në 32 javë, Juventusi më i dobët i 25 viteve të fundit

Ndihmë, sulmi ësh të ngushtuar. Ky nuk është një lajm i bukur për Juventusin që është ende në ndjekje të shënjestrës së madhe, kualifikimit zyrtar në Ligën e Kampioneve. Barazimi pa gola në derbi ishte një tjetër sinjal i frikshëm nga ana e “Zonjës së Vjetër”, por fatmirësisht edhe Bolonja u ndal, kështu që nuk përfitoi për t’iu afruar sërish bardhezinjve, ndonëse për Masimiliano Alegrin dhe ekipin e tij, transferta me Kaljarin bëhet jetike. Dhe kjo sepse sa më shumë kalojnë javët dhe aq më pak sulmi i Juventusit po shënon.

juventus

Deri tani shifrat thonë vetëm 45 gola të shënuar pas 32 javëve kampionat, numra këto që e bëjnë këtë aktualisht repartin ofensiv më të dobët të 25 viteve të fundit (në 1999- 2000). Me keq sesa kaq Juventusi kishte bërë vetëm një herë tjetër në historinë e tij, 38 gola pas 32 javësh, në sezonin 1998-1999, i cili bëri Marçelo Lipin që të japë dorëheqjen dhe të zëvendësohej nga Karlo Ançeloti. Ajo skuadër atëherë kishte ngecur në mënyrë të pabesueshme, sepse edhe duke pasur njerëz të kalibrit të Del Pieros, Inzagit e Zidanit, u pushtua nga dëmtimet e panumërta, duke u detyruar që në janar të blinte Esnaiderin dhe Henrinë. Përfundimi i atij sezoni, eliminim në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve dhe e 7-ta në Serinë A, e detyruar që të luajë Kupën Intertoto për t’u kualifikuar në Kupën UEFA, pasi humbi “play off”-in me Udinezen. Një krahasim i tillë nuk fton aspak optimizëm, ndonëse ai Juventus ka pak analogji me këtë të sotmin, duke qenë se vinte nga 2 tituj kampionë radhazi, madje nga 3 kampionate në 4 sezone dhe 4 finale europiane, nga të cilat një e fituar (Champions-i vitit 1996).

Gjithsesi, Masimiliano Alegri as që ka ndërmend të ndjekë shembullin e Marçelo Lipit në atë sezon (të MILIONË dorëhiqet), përkundrazi është entuziast për kualifikimin në Champions, por pse jo edhe për fitimin e Kupës së Italisë. Po për këto 2 objektiva duhet të sulmuesit e tij të rindizen. Dushan Vlahoviç është vërtet golashënuesi i dytë më i mirë i Serisë A me 15 realizime (pas 23 golave të Lautaros), por kundër Torinos, sërish në një tjetër ndeshje të madhe, ai stonon, duke humbur ashtu dy raste të arta, njësoj si ndaj Napolit, apo edhe Interit. Sulmuesi serb u zhbllokua në Kupën e Italisë, por në Serinë A nuk shënon thuajse prej 2 muajs (25 shkurt, dopietë kundër Frozinones). Pa kontributin e Vlahoviçit, “Zonja e Vjetër” numëron mizerjen e 4 golave të shënuar në 6 ndeshjet e fundit, nga të cilët vetëm 2 prej sulmuesve në dispozicion të Alegrit: Kieza ndaj Napolit dhe Milik kundër Atalantës.

NUMRAT E TJERË- Kriza e repartit ofensiv është e pajustifikueshme, evidente dhe janë disa të dhëna të tjera që e konfirmojnë këtë. Juventusi është sulmi më i dobët i gjashtë skuadrave të para të renditjes për gola të shënuar (45, njësoj si Bolonja, që renditet e katërta në renditje). Statistikat e Ligës së Serisë A (që kanë mbetur të frenuara në javën e 31-të, duke qenë se java e 32-të nuk u mbyll, prej shtyrjes së Udinezes me Romën) nënvizojnë se Juventusi është i katërti në renditjen e goditjeve drejt portës rivale, pas Napolit, Interit dhe Milanit, por ndërkohë janë në vend të fundit të Serisë A me 28.5 për qind për goditje të dërguara në kuadrat.

Në këtë renditje kryeson Milani me 39 për qind të gjuajtjeve në total në kuadrat, përpara Atalantës, Interit dhe Bolonjës. Kush kërkon zonën Champions shkon dhe e kërkon shpesh gjuajtjen, ndërsa Juventusi është skuadra që shfrytëzon goditjet standarde, shpikjet individuale ose kundërsulmet. Dhe mbi të gjitha i falet më shumë se kushdo tjetër sulmuesit të saj më të mirë, Dushan Vlahoviçit, i cili ka shënuar 10 gola, më shumë se kushdo tjetër, në vitin 2024. Por edhe atij mund t’i kërkohet më shumë sesa ka bërë, ndonëse serbi mund të quhet i justifikuar duke qenë se nëse reparti sulmues mban peshën e 57 për qind të golave në total, Dushan i vetëm ka shënuar 64 për qind të golave të realizuar vetëm nga reparti ofensiv. Dhe kjo nuk është pak, nëse mund të zbusë pak krizën…

KIEZA DHE… BOSHLLËKU- Nuk është një rastësi gjithashtu që bomberi i tretë më i mirë i skuadrës, pas Vlahoviçit (15) dhe Kiezës (7) të jetë një mbrojtës si Gati, apo edhe një mesfushor si Rabio, që të dy në kuotën 4 gola. Sulmuesit e tjerë të Alegrit kanë rezultuar një dështim total, duke qenë se tre të tjerë kanë mundur të shënojnë vetëm 4 gola: tre Milik, një Jildiz dhe Ken zero. Sigurisht që objeksione mund të ketë edhe pse shifrat janë të pamohueshme, por kur mendon se në këtë sezon Juventusi ishte edhe pa stresin dhe sforcot e kompeticioneve UEFA në mesjavë, atëherë ose moduli 3-5- 2 nuk bën më për këtë skuadër, ose duhet gjetur menjëherë kura për të dalë nga kjo krizë e repartit ofensiv që as Zoti i futbollit nuk mund ta justifikojë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"