12 km për të bindur Rejan, maratonomaku Uzuni në pritje të ftesës kuqezi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2019 | 19:55

12 km për të bindur Rejan, maratonomaku Uzuni në pritje të ftesës kuqezi

Çdo zile apo mesazh që vjen në telefonin e tij bën me krahë Myrto Uzunin. Ndoshta mund të jetë Edi Reja apo ndonjë tjetër nga stafi i Kombëtares shqiptare për ta grumbulluar. Ai festim me telefon pas golit të fundit që shënoi në Kroaci sigurisht që mund t’i sjellë fat.

Uzuni festa

Uzuni pret, sepse kaq mund të bëjë për momentin. Trajneri kuqezi e ka përfshirë në listën e pritjes, çka do të thotë se nga momenti në moment mund ta grumbullojë (për Turqinë është e vështirë), por për Moldavinë…

Maratonomak – Sikur të mos mjaftonte goli i shënuar në fundjavën që lamë pas, Myrto Uzuni ka një tjetër statistikë me vete për të joshur trajnerin e Kombëtares shqiptare. Në sfidën e barazuar 1-1 në transfertën me Rijekën, shqiptari ka vrapuar afro 12 kilometra, ekzaktësisht 11.89 kilometra. Janë të rrallë futbollistët që vrapojnë kaq shumë, por Uzuni nuk kursehet kurrë sa herë zbret në fushën e lojës.

Uzuni 12 km

E bën me pasion dhe çdoherë luan si të ishte ndeshja e fundit e jetës. Askush nga skuadra e Lokomotivës nuk e arrinte këtë shifër dhe sulmuesi kuqezi tregon se po kalon një formë të shkëlqyer.

Trajneri Edi Reja do të ketë pasur arsyet e tij për të mos e grumbulluar Uzunin, pasi dyshja Manaj-Cikalleshi bindi në ndeshjen kundër Islandës dhe me shumë mundësi ata do të jenë të paprekshëm për këto dy sfida eliminatore. 24-vjeçari Uzuni ka luajtur 8 ndeshje me Kombëtaren shqiptare, por për fatin e tij të keq nuk ia ka dalë asnjëherë që ta gjejë rrugën e rrjetës.

Megjithatë, ai nuk e ka humbur ende shpresën dhe besimin për t’u rikthyer. Sigurisht që do t’ia dalë, nëse jo për këto dy ndeshje, për të ardhmen është e sigurt. Gjatë këtyre ditëve do të vazhdojë ta shikojë telefonin.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"