10 mijë euro për kokë, gati premio për kuqezinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2014 | 11:45

10 mijë euro për kokë, gati premio për kuqezinjtë

Bala, Jera dhe Duka mbas ndeshjesLojtarët e Kombëtares, kryesisht ata që luajtën si titullarë dje ndaj Portugalisë, pritet të shpërblehen me nga 10 mijë euro për kokë secili për triumfin historik në Aveiro. Lajmi ekskluziv i botuar në “Panorama Sport” javën e kaluar është konfirmuar për gazetën nga vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Ky i fundit, edhe dje pas ndeshjes, në bisedën e shkurtër që pati me lojtarët në dhomat e zhveshjes, deklaroi: “U thashë futbollistëve që gëzimi që i kanë dhënë me këtë fitore popullit shqiptar nuk shpërblehet me para. Megjithatë, përtej kësaj, unë mund t’ju them se do të shpërndajmë një premio, ashtu si u premtuam”.
Shifrat – Gjashtë ditë më parë gazeta publikoi shifrat që në institucionin e futbollit shqiptar po mendohej të akordoheshin për futbollistët e Kombëtares shqiptare, në rast suksesi në Portugali. Një pikë në këtë takim vlente 5 mijë euro shpërblim për secilin nga lojtarët. Nga ana tjetër, në rast të një fitoreje, FSHF ishte e gatshme të shpërndante 10 mijë euro shpërblim për kokë. Në fakt, shuma standarde e premiove gjatë një edicioni është 5 mijë euro për fitoret dhe 3 mijë euro për barazimet, gjithnjë sa u përket ndeshjeve në transfertë të kuqezinjve. Ndërsa për takimet që Shqipëria luan në shtëpi gjatë edicionit eliminator, FSHF jep 1 mijë euro për barazimet dhe 3 mijë euro për fitoret. Këtë herë, duke qenë se fitorja në Portugali është historike, premioja është ekstra për kuqezinjtë, të cilët e nisën edicionin me tri pikë në transfertën e vështirë të Portugalisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"