Zhvillohet Kupa e Shqipërisë, Tirana mbetet superfuqi në mundje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2025 | 11:42

Zhvillohet Kupa e Shqipërisë, Tirana mbetet superfuqi në mundje

Pas pjesëmarrjes me shumë sukses në kompeticionet ndërkombëtare, me dy medalje në Kampionatin Europian, mundja shqiptare u është rikthyer aktiviteteve kombëtare.

Moment nga ndeshjet e Kupës së Shqipërisë FOTO: F. HAZISLLARI

Moment nga ndeshjet e Kupës së Shqipërisë FOTO: F. HAZISLLARI

Në sallën “Farie Hoti” në Tiranë u zhvillua në të dielën Kupa e Shqipërisë për të rritur, një aktivitet që mblodhi mundësit më të mirë të vendit, të cilët matën forcat si zakonisht në stilin greko-roman dhe në atë të lirë. Edhe një herë tjetër ishte skuadra e Tiranës ajo që dominoi, duke nxjerrë edhe numrin më të lartë të fituesve në të dyja stilet. Duke e nisur nga stili greko-roman, bardheblutë fituan Kupën ekipore, duke lënë pas Besëlidhjen në vend të dytë dhe Flamurtarin në të tretin.

Sportisti më i mirë i aktivitetit në këtë stil u shpall Kevin Kupi i Tiranës. Më tej, duke kaluar në stilin e lirë, Tirana mori trofeun ekipor, me Teutën që u rendit e dyta dhe Jonas Wrestling në vendin e tretë. Sportisti më i mirë i kompeticionit në stilin e lirë u shpall Marjus Malko i Teutës. Në Kupë konkurroi edhe Islam Dudaev, i cili humbi garën në Europian për shkak të problemeve shëndetësore. Dudaev bëri detyrën duke triumfuar në kategorinë e peshave 74 kg.

HERONJTË E EUROPIANIT – Gjatë aktivitetit të Kupës, Federata Shqiptare e Mundjes vlerësoi edhe dy medalistët e Kampionatit Europian, që u mbajt disa ditë më parë Sllovaki.

Kampioni i Europës, Chermen Valiev, foli edhe një herë për suksesin e arritur në Bratislavë si dhe për objektivat: “Pas bronzit olimpik, ishte titulli im i parë i madh. Ëndërroja të isha në podium dhe të këndohej himni shqiptar. Shqipëria është shtëpia ime e dytë. Nuk e mendoj episodin e ndodhur gjatë ceremonisë, por po shijoj medaljen e artë. Tani dua titullin botëror dhe natyrisht synimi madhor është medalja e artë në Lojërat Olimpike”, deklaroi ndër të tjera 26- vjeçari nga Osetia Veriore, i cili po bën historinë me ngjyrat e flamurit kuqezi.

Ndërkohë, Europiani pa edhe rikthimin te medaljet të Zelimkhan Abakarovit, kampionit të parë të Botës për Shqipërinë.

“Jam i lumtur që kthehem te medaljet në arenën ndërkombëtare. Është një arritje që më motivon përpara Kampionatit Botëror. Kam qenë kampion Bote për Shqipërinë në vitin 2022 dhe synoj të shpallem sërish”, u shpreh 31-vjeçari.FDSGPANORAMASPORT.AL