Luftëtari thyhet nga fierakët
Luftëtari nuk ia ka dalë të fitojë përballë Apolonisë në shtëpi, teksa është mundur me rezultatin 2-1. Edhe pse ishte një test miqësor për bluzinjtë, interesimi i sportdashësve gjirokastritë nuk mungoi në shkallët e stadiumit “Gjirokastra”. Numri një i pankinës së Luftëtarit, Arjan Bellai, rreshtoi në 45 minutat e para formacionin e tij më të mirë, ashtu si dhe homologu, trajneri i Apolonisë, Elidon Demiraj. Të parët që kanë shënuar kanë qenë fierakët me anë të Papës, ndërsa ka barazuar nga pika e bardhë K.Arbri, i cili ishte i vetëm i deklaruar në majë të sulmit. Nga krahët vepronin Braho dhe Nora. Rezultati përfundimtar është vulosur nga prurja më e re e Apolonisë, Vasilievski, i cili po tregohet deciziv në miqësoret e zhvilluara deri më tani. Ndërkohë, gjatë ndeshjes nuk ka munguar nervozizmi, teksa fieraku Mone, i cili po provohet te Luftëtari, është ndëshkuar me të kuqe pas një ndërhyrjeje të rëndë.
Luftëtari – Apolonia 1-2
GOLAT: Arbri 56′ (11-m) / Papa 52, Vasilievski 70′
LUFTËTARI: Thano, Zholi, Këndella, Devolli, Mone, Duka, Çunaj, Stoja, Braho, Nora, Arbri; (U aktivizuan: Isaraj, Boci, Shurdhi, Biraçi, Batha, Hoxha, Lamnica, Baholli, Thimjo, Gaba, Llaka, J.Brahimi, M.Brahimi). Trajner: A.Bellai
APOLONIA: Mico, Nako, A.Prifti, Adekule, Albi Prifti, Papa, Rama, Atanda, Tripunovski, Vasilievski, Brashko; (U aktivizuan: Cako, Sako, Dakavelli, Dautaj, Azizi, Hasa, Fili). Trajner: E.Demiraj
GJYQTARË: R.Shosha , P.Puto, G.Bimi (Gjirokastër) KARTONË TË VERDHË: Hoxha 78′ KARTONË TË KUQ: Mone 68′
Ndeshja Pjesa e parë foli e gjitha për bluzinjtë, ndërkohë që miqtë ishin të rrezikshëm në kundërsulm, por jo efikas. Gjirokastritët e Ballit shpërdoruan raste të pastra shënimi në pjesën e parë, me protagonist të rrezikshmin Klodian Arbri, këmbëshpejtin Florian Braho, si dhe me ish-kapitenin, Arlind Nora. 14′, 28′ dhe 39′ ishin minutat e sfumura nga ana e bluzinjve në drejtim të gjetjes së golit. Miqtë nga Fieri, edhe pse zbrisnin rrallë, ishin kërcënues potent, por pa tundur portën e mbrojtur nga Thano. Me rezultatin e bardhë, skuadrat do të shkonin në dhomat e zhveshjes. Ndërkaq, fraksioni i dytë nisi më i mirë për miqtë, pavarësisht zëvendësimeve të kryera nga të dy trajnerët. Në minutën e 48-të, Luftëtari mund dhe duhet të kishte shënuar me Kendellën, por gjuajtja me kokë e tij ndalet nga mbrojtja mike. Atë që nuk e bëjnë dot bluzinjtë, e bëjnë fierakët në minutën e 52-të, me protagonist Papën, i cili qetësisht përcjell sferën në kuadratin e Thanos. Në minutën e 56-të janë vendësit, me të mirënjohurin Klodian Arbëri, i cili harkon bukur në zonën mike për Brahon. Por mesfushori do të pengohet nga mbrojtësi i krahut të djathtë Brashko dhe për gjyqtarin ka 11-metërsh. Ekzekutimin nga pika e bardhë e merr përsipër K.Arbri, i cili e shndërron në gol. Këtu duket se përfundon dhe bukuria e kësaj miqësore, pasi të dy trajnerët provojnë të gjithë lojtarët në dispozicion. Megjithatë, miqtë shfrytëzojnë kundërsulmin e shpejt pas kombinimit Papa- Vasilievski dhe ky i fundit shënon golin e fitores për formacionin bardhejeshil. 20 minutat e fundit nuk sjellin ndryshim të rezultatit.
Bellai: Për lojtarët vendos pas Albpetrolit
Arjan Bellai, numri një i pankinës së Luftëtarit, pas përfundimit të takimit miqësor u shpreh: “Si çdo takim miqësor dhe ky i sotmi (dje) na shërbeu për të parë konkretisht lojën e ekipit. Luajtëm një pjesë të parë mjaft të mirë, nga e cila mbetem i kënaqur për atë çka futbollistët treguan në fushë. Zëvendësimet e kryera i realizuam për të parë futbollistët e afruar këto ditë, për të cilët mund të them se do të më duhet dhe ndeshja me Albpetrolin në mesjavë për të dhënë verdiktin. Pas rezultatit 1-0 reaguam shpejt, duke barazuar shifrat. Megjithatë, kemi punë për të bërë në drejtim të formatimit të ekipit ideal”.
TOMOR SHEHU













