Zbardhet projekti, 550 milionë lekë për stadiumin e Beratit
Duket se në Berat nuk po mendojnë vetëm për skuadrën dhe një përfaqësim sa më dinjitoz në këtë sezon, por edhe për të ardhmen. Në buxhetin bashkiak të këtij viti jo vetëm janë përcaktuar shpenzimet e klubit të futbollit dhe të shumësportëshit, por po mendohet edhe për infrastrukturën. Stadiumi “Tomori”, një nga më të mëdhenjtë në vend, me një projekt afatshkurtër, synohet të kthehet edhe një ndër impiantet më moderne në vend.

Gjendja aktuale e stadiumit “Tomori”
Ky stadium është inauguruar në vitin 1985 dhe ishte i dyti më i madh në vend, por sigurisht edhe një ndër më modernët. Por, nga ajo kohë, ndërhyrjet në këtë stadium kanë qenë shumë të vogla dhe sot ky impiant nuk ka pamjen që duhet. Për herë të fundit në këtë stadium u ndërhy gjatë vitit 2011 kur Tomori ishte bërë pjesë e Kategorisë Superiore.
U vendos një tapet i ri dhe bashkë me të pati një rikonstruksion të lehtë të stolave në tribunë dhe ambientet e brendshme të stadiumit ku janë vendosur edhe zyrat e klubit. Amortizimi i krijuar e ka lënë stadiumin në një gjendje që kërkon ndërhyrje.
Projekti
Ishte pikërisht kjo pikënisja e Bashkisë Berat si aksioneria e vetme e klubit dhe pronarja e stadiumit për të bërë një rikonstruksion që kërkon ta kthejë stadiumin e Beratit në një vend të preferuar edhe nga ekipet kombëtare, por edhe klubet që luajnë në Europë. Plani do të jetë i ndarë në dy faza ku në të parën që do të nisë në 2017-ën do të bëhet shtrimi i tapetit të ri, i cili këtë herë pritet të jetë me bar sintetik dhe jo natyral.

Gjendja aktuale e stadiumit “Tomori”
Fakti që bari natyral kërkon ndërhyrje të shpeshta, e ka dërguar Bashkinë Berat drejt kësaj zgjedhjeje. Është planifikuar një fond prej 100 milionë lekësh të vjetër për zgjidhjen përfundimtare të fushës së stadiumit dhe vendosjen e një tapeti të ri. Ndërsa nga viti 2018 do të nisë një tjetër projekt, i cili me një fond prej 450 milionë lekësh të vjetër, synon të bëjë një rikonstruksion të stadiumit.
Pas përfundimit të këtyre punimeve, pritet që ky stadium dhe fusha e tij të marrin OK-in edhe nga UEFA për një nivel të caktuar ndeshjesh dhe pse jo ky impiant të kthehet në një nga më modernët në vend. Në këtë projekt, mund të japë ndihmën e vet edhe FSHF. Ndërkaq, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një vizite në Berat disa javë më parë, u ndal për disa minuta edhe në stadiumin “Tomori”. Ai pa nga afër gjendjen e këtij impianti.
Vizita e kreut të qeverisë mund të ketë qenë një pikënisje e projektit që synon ta kthejë stadiumin e Beratit ndër më modernët në vendin tonë. Një infrastrukturë moderne sigurisht që do të nxiste më tej edhe fuqizimin e klubit dhe afrimin e sponsorëve për të bërë të mundur rikthimin e skuadrës në elitën e futbollit shqiptar. Tomori është një klub me histori që i ka dhënë shumë futbollit shqiptar.
ERIS SYLYKU













