Vëzhgimi/ Tirana “e re”, debutuesi Mihana mund… Halilin
Tirana është skuadra më e titulluar e Shqipërisë, por edhe një nga ekipet e cila gjithmonë është munduar t’u japë mundësinë si të rinjve dhe më të vjetërve në fushën e lojës. Emiljano Mihana dhe Serxho Vogli nuk janë vetëm 16- vjeçarët që debutuan këtë sezon me Tiranën, por edhe dy nga lojtarët më të rinj që në histori, kanë veshur fanellën bardheblu.

Kështu, Mihana, me aktivizimin e tij ndaj Bylisit në kampionat është lojtari më i ri debutues me moshën 16 vjeç, 10 muaj e 7 ditë. Anësori ka mundur për katër ditë, një tjetër lojtar të Tiranës, rekord që mbahej prej 2015-ën.
REKORDI I THYER – Grent Halili që deri para pak javësh ishte debutuesi më i ri i Tiranës në Kategorinë Superiore. Asokohe, ka qenë Gugash Magani ai që e ka futur në fushë lojtarin e Tiranës. Futbollisti bardheblu ka debutuar në Superiore më 4 prill 2015 në një sfidë Flamurtari-Tirana.
Halili në atë sfidë ka qenë 16 vjeç, 10 muaj dhe 11 ditë. Në vendin e tretë është Serxho Vogli, i cili luajti pak ditë më parë ndaj Skënderbeut me 16 vite, 11 muaj dhe 1 ditë. Më pas rreshtohen Dijar Nikqi Klevi Qefalija, Ernest Muçi dhe Erion Hoxhallari. Trajnerët që kanë aktivizuar më shumë lojtarë të rinj janë Nevil Dede, Gugash Magani, Orges Shehi Shkëlqim Muça, Mirel Josa.
KONTRASTI – Para pak muajsh Ilion Lika u hapi krahun të rinjve, por gardiani bardheblu është futbollisti më i vjetër i aktivizuar me fanellën e Tiranës. Ndeshjen e fundit, Lika e ka luajtur ndaj Laçit kampionatin e kaluar, ndërsa ka qenë në fushë në moshën 43 vjeç, 4 muaj dhe 16 ditë.
Lika është edhe një nga lojtarët më të vjetër që ka qenë në fushën e lojës si futbollist në Superiore. Në vendin e dytë Bledi Nallbani me rreth 40 vjeç, më pas Arben Minga, Alban Bushi dhe Arian Pisha, që kanë qenë sipër 36 viteve dhe që kanë luajtur për fanellën bardheblu.
Nga ana tjetër, Orges Shehi është trajneri më rezultativ në Superiore, duke filluar nga sezoni 2009-2010. Numri një i stolit bardheblu ka triumfuar ndaj emrave më të mëdhenj të trajningut shqiptar, të shekullit XXI. Me 1.81 pikë për ndeshje, Shehi është në krye të renditjes për mesataren e pikëve për takim. Pas tij janë shumë emra të njohur si Sulejman Starova, Mirel Josa, Shkëlqim Muça dhe në fund Tomas Brdariç.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













