VËZHGIMI/ Partizani i Abilaliajt, gjashtë “vrasje” në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2025 | 9:00

VËZHGIMI/ Partizani i Abilaliajt, gjashtë “vrasje” në fund

Partizani konfirmohet si ekipi i minutave të fundit. Skuadra e kuqe siguroi të martën gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë kundër Laçit, madje në një moment kur ishte me 10 lojtarë. Këtë herë, të kuqtë ishin nën drejtimin e Arbër Abilaliajt, që gjithashtu duhet të themi se në minutat e fundit i ka ecur për mbarë.

Partizani

Vlonjati e ka drejtuar Partizanin në tri momente të përkohshme dhe ka arritur të fitojë plot gjashtë ndeshje në minutat e fundit. Ai e ka drejtuar Partizanin në 16 ndeshje në total, duke fituar tetë ndeshje, barazuar gjashtë dhe humbur vetëm dy sfida.

TRIUMFET – Gjithçka nisi më 19 tetor të vitit 2023, kur Abilaliaj vihej në krye të ekipit në vend të Zoran Zekiçit, i larguar në mënyrë të befasishme tek Osijek, që i pagoi Partizanit 100 mijë euro për ta lënë të lirë. Atë ndeshje të kuqtë e fitonin me shifrat 2-1, me një gol të Mensah në minutën e dytë shtesë, si përgjigje për rrjetën e Hasanit në të 90-tën. Me të njëjtin rezultat të kuqtë mposhtnin edhe Erzenin, ku protagonist ishte po ganezi me gol në minutën e fundit të kohës së rregullt.

Në harkun e pak ditëve, vinte edhe një tjetër triumf në minutat e fundit me gol të Kekos në minutën e dytë të shtesës. Fitorja e fundit në aventurën e parë të Abilaliajt vinte kundër Laçit, me një gol të Taipit në minutën e katërt shtesë. Pas kësaj aventure, në krye të skuadrës vinte Orges Shehi.

Durrsaku e linte Partizanin pas ndeshjeve të Europës dhe përkohësisht rikthehej Abilaliaj. Ai humbiste ndeshjen e parë me Vllazninë dhe rikthehej te fitorja po në minutat e fundit kundër Skënderbeut me gol të Mehmetit në minutën e dytë shtesë. E njëjta gjë u përsërit edhe dje në Kupë në sfidën përballë Laçit, me atë gol të Kekos në minutën e 90-të, që siguroi kalimin në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.

E TRETA – Tashmë vlonjatin e pret një seri ndeshjesh vendimtare. Nëse në dy momentet e shkuara e ka marrë ekipin në drejtim në fazat e para të sezonit, këtë herë e merr në fund të sezonit, në momentin më vendimtar.

Në këtë aventurë, ish-sulmuesi do të duhet të ringrejë skuadrën dhe të arrijë trofe. Sfida është e madhe, pasi përveç faktit që fitoi dhe u kualifikua në gjysmëfinale, Abilaliaj është koshient se ka marrë drejtimin e një skuadre që po vuan një krizë loje dhe duhet të gjejë zgjidhje.

Screenshot 2025-02-27 085945

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL