VËZHGIMI/ Partizani, ecuria e plotë që pas rikthimit. Të kuqtë lëshojnë “kreun” pas tre vitesh në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2025 | 8:48

VËZHGIMI/ Partizani, ecuria e plotë që pas rikthimit. Të kuqtë lëshojnë “kreun” pas tre vitesh në Superiore

Partizani i 2025-ës humbi shkëlqimin që kishte në Superiore. “Panorama Sport” ka vëzhguar ecurinë që nga 2014 ku u kalua viti i parë i plotë në elitë, që pas rikthimit. Çfarë bie në sy është se Partizani, po lë pas një moment të errët sa u përket statistikave.

partizani

Bëhet fjalë për 12 vite në total të vëzhguara, dhe ku të kuqtë nuk janë parë me po kaq vështirësi. 2025- Të kuqtë si asnjëherë tjetër kanë përjetuar një vit ku bilanci është negativ. Për periudhën e vëzhguar, janë regjistruar statistika mjaft shqetësuese. Bëhet fjalë për më shumë humbje, pikërisht 14 të tilla në 35 ndeshje të luajtura. Po ashtu golavarazhi është për herë të parë negativ. Vetëm 28 gola të shënuar në total, që nuk japin as mesataren një gol për ndeshje. Plot 40 gola të pësuar ndërkohë, statistikë që në të njëjtën kohë nuk ishte regjistruar asnjëherë në 11 vitet e tjera të vëzhguara. Vetëm 11 fitore në 12 muaj mbeten po ashtu shqetësuese.

Këto shifra janë pasqyruar edhe te numëri i pikëve, që tregon vetëm 43. Kjo ecuri, e vendos Partizanin vetëm mbi Bylisin dhe Tiranën në krahasim me klubet e tjera të Superiores për vitin 2025. Flamurtari dhe Vora nuk merren parasysh, për shkak se në pesë muajt e parë ishin pjesë e Kategorisë së Parë. I vetmi vit që mund t’i përafrohet vështirësive është ai 2020. Asokohe Partizani në pesë muajt e parë mbeti pa Europë, por më pas me Ilir Dajën shtroi rrugën duke luftuar për titullin kampion. Tashmë mund të përmendet vetëm arritja e Europës, edhe pse ekipi u eliminua që në turin e parë. Pozicioni aktual, i gjashti në renditjen e Superiores, është shqetësimi i vetëm për vazhdimësinë.

SHKËLQIMI- Partizani humbi një shkëlqim, që e kishte në tre vitet e kaluara. Nëse për vitin 2025 përmenden statistikat e mësipërme, për vitin 2024, 2023 dhe 2022, askush nuk gëzonte ecuri më të mirë se Partizani në vitet e plota kalendarike të Superiores. Për këtë gjysma e dytë e 2024-ës u pa si shtysë e madhe, nga e cila u sigurua në fund pjesëmarrja në “Final Four” dhe Europë. Ecuria që Partizani tani po kalon tremb, ndërsa duhet një ndryshim i madh nga janari që të shpëtohet sezoni.

SHPJEGIMI I TABELËS- Tabela e ndërtuar përmes pozicioneve, vlen vetëm sa u përket ndeshjeve të Superiores gjatë secilit vit dhe përballë çdo ekipi. Pra logjikisht përfshihet gjysma e dytë një sezoni dhe gjysma e parë e një tjetri për të mbushur një vit kalendarik. Këtu nuk janë përfshirë ndeshjet e “Final Four”, format pa pikë i aplikuar në dy vitet e fundit për të përcaktuar fituesin e kampionatit.SDFGEMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL