Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Partizani i Milinkoviç, tre formacione për sezonin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2025 | 21:48

Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Partizani i Milinkoviç, tre formacione për sezonin

Partizani ka numëruar katër pikë në dy javët e para të Superiores. Askush nuk ka bërë më mirë në këtë fillim, ndërsa Dinamo ka një ndeshje të prapambetur me Teutën për të luajtur.

milinkovic

Vetëm Elbasani numëron po aq pikë. “Demat” fituan takimin e parë me Vorën, ndërsa barazuan më pas ndaj Teutës. Të dy sfidat janë luajtur në stadiumin “Arena e Demave”. Ndeshja e radhës është në Shkodër. Skuadra e Mladen Milinkoviç do të sfidojë Vllazninë në stadiumin “Loro Boriçi”. Dhe pse me mungesa si të Babukar Jatës për shkak të vizës, apo me probleme të shumta dëmtimesh, sërish kanë rënë në sy alternativat e shumta. “Panorama Sport” iu sjell tre variante të përshtatura. Dhe çfarë bie në sy është se te Partizani të gjithë e kanë pasur mundësinë e tyre. Me përjashtim të Amos Nondit, që u dëmtua apo afrimeve të fundit, të cilët pritet të japin kontribut të rëndësishëm për këtë edicion.

VARIANTI I- Në variantin e parë shikohen një pjesë e madhe e alternativave, që deri tani janë preferuar si titullarë. Sigurisht që nuk mund të mungojnë futbollistë si Qirko, Marku, Preka dhe Sembene. Ata do të jenë garancia, ndërsa Partizani në dy sezone ka spikatur për murin e krijuar në mbrojtje. Më pas pjesa e mesfushës apo sulmit nuk mund të shikojë titullarë që nuk diskutohen. Kjo për vetë faktin se konkurrenca është e madhe. Në anën tjetër diferencat jo edhe aq. Dhe pse nuk kanë treguar koma asgjë në kampionat, besimi te eksperienca e Skukës dhe Isgandarlit është i madh. Malaj ishte futbollisti më i spikatur në Europë, për këtë edhe pritshmëritë janë të mëdha. Atanaskoski zhvilloi dy sezone si protagonist te Partizani, por prej rikthimit nuk ka qenë i mëparshmi. Mbetet për t’u parë si do jetë vazhdimësia e tij. Garsia e ka justifikuar deri diku besimin, për minutat e fituara deri tani.

VARIANTI II- Te Partizani ka një variant të dytë, që mjaft mirë mund të përdoret i gjithi nga minuta e parë. Aty janë ndërthyrur afrimet e verës, si edhe futbollistët më me eksperiencë të “demat”. Hoxha dhe Buxhelaj janë emrat që njohin mjaft mirë peshën e fanellës, ndoshta më shumë se kushdo tjetër. Martinez, Janjeva dhe Bytyçi për mbrojtjen do të ishin sërish emra që e kanë treguar veten deri tani. Bytyçi dhe Martinez janë emrat që duket se do luftojnë më tepër për vendin e titullarit në vazhdim. Shanaj, Kote dhe Hjumen do të përbënin repartin e mesfushës në variantin e dytë. Vetëm Hjumen duhet të provojë aftësitë e tij, ndërsa pritshmëritë te Kote mbeten të mëdha. Dhe repartin ofensiv do e udhëhiqnin Da Silva, Gudjufi dhe Bintsuka. Ky i fundit është sulmuesi më efikas që i ka mbetur Partizanit nga dy sezonet e kaluar. Për këtë mbetet luks. Kualiteti i Da Silvës ndërkohë dihet. Gudjufi është preferuar titullar në dy sfidat e para nga Milinkoviç. Me logjikën e thjeshtë, varianti i dytë është konkurrues në maksimum për të parin. Pakkush mund ta ketë vendin e garantuar nga minuta e parë.

VARIANTI III- Ndryshe nga çdo klub tjetër i Superiores, për Partizanin mund të ndërtohet një variant i tretë. Dhe çfarë bie në sy aty janë elementet e rinj, që e kanë pasur mundësinë me ekipin e parë. Qokthi madje është elementi që ka treguar se meriton aktualisht vendin e titullarit, për këtë Milinkoviç nuk është kursyer me aktivizimin e tij. Pjesë e këtij varianti janë përfshirë Keko dhe Nondi, që nëse nuk do të ishin të dëmtuar do të ishin luks për stolin e “demave”. Për fatin e tyre të keq do të qëndrojnë për disa muaj jashtë fushave të blerta. Çipi, Rifa dhe Ogunleje duhet të tregojnë vetën për të fituar besimin e Milinkoviç. Doumbia është futbollisti, i cili që në ditët e para të stërvitjes ka spikatur. Për këtë, 20-vjeçari mund t’i ngjisë më shpejt se pjesa tjetër hapat për t’u aktivizuar. Toma i prezantuar në shtator pret të fitojë minuta si i fundit nën urdhrat e Milinkoviç. Dhe shansi për sulmuesin e Kombëtares U21, do të jetë sidomos në rastet kur Skuka dhe Bintsuka nuk janë në fushë. Himallari dhe Vata mbeten xhevahirët e të kuqtë. Dy 16-vjeçarët kanë rrugë të gjatë përpara, pasi shumë pak ka fatin që në moshën e tyre të ketë kontratë si profesionist. Diego Kontreras dhe Denis Sulo janë dy futbollistë nga ekipi B, që janë stërvitur vazhdimisht me ekipin A. Në rast se do të marrin minuta në ndeshje zyrtare, pas atyre miqësore, nuk do të ishte çudi

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL