Vështirësitë në repartin mbrojtës, telashi i madh i Partizanit në sezonin që sapo u mbyll
Një nga aspektet që shoqëroi sezonin e Partizanit ishte edhe ecuria e repartit mbrojtës. Të kuqtë e mbyllën kampionatin me 48 gola të pësuar në 36 javë, një shifër që përkthehet në një mesatare prej 1.3 golash të pësuar për ndeshje.

Ky bilanc ishte një nga treguesit më të rëndësishëm të sezonit të skuadrës, e cila në fund u rendit në vendin e pestë të Kategorisë Superiore. Gjatë kampionatit, Partizani pati vështirësi për të ruajtur vazhdimësinë në repartin e prapavijës, ndërsa ndryshimet e shpeshta në organikë ndikuan në ndërtimin e një formacioni të qëndrueshëm. Një rol të rëndësishëm në këtë aspekt luajtën edhe dëmtimet. Marcelino Preka dhe Albion Marku, dy futbollistë që konsideroheshin pjesë e formacionit bazë, munguan për periudha të ndryshme të sezonit për shkak të problemeve fizike.
Mungesa e tyre e detyroi stafin teknik të kërkonte vazhdimisht alternativa të tjera në mbrojtje. Për pasojë, reparti defensiv nuk pati gjithmonë të njëjtët interpretime nga një ndeshje në tjetrën. Probleme fizike gjatë kampionatit hasën gjithashtu edhe Atanaskoski dhe Janjeva. Edhe pse në periudha të ndryshme, mungesat e tyre ndikuan në balancat e skuadrës dhe në zgjedhjet e stafit teknik.
Ndryshimet e vazhdueshme në repartin mbrojtës sollën situata ku Partizani u paraqit me kombinime të ndryshme lojtarësh në prapavijë. Kjo bëri që skuadra të mos kishte gjithmonë të njëjtin ekuilibër nga një javë në tjetrën. Në fund të sezonit, statistikat treguan 48 gola të pësuar në 36 ndeshje, ndërsa problematikat fizike të disa prej lojtarëve kryesorë të mbrojtjes ishin një nga elementet që shoqëruan rrugëtimin e të kuqve gjatë gjithë kampionatit.
PANORAMASPORT.AL













