Veliu ikën nga Flamurtari pas 9 vitesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2015 | 12:25

Veliu ikën nga Flamurtari pas 9 vitesh

Veliu-vesh-kepucet-e-sportit-ne-Turqi

Kapiteni i Flamurtarit, Franc Veliu, largohet pas nëntë vitesh aktivizim me fanellën kuqezi.

Që prej sezonit 2006-2007, kur debutoi me vlonjatët, mbrojtësi nuk ka ndryshuar asnjëherë skuadër. Megjithatë, tashmë duket gjithçka e mbyllur, edhe pse për “Panorama Sport” lojtari zor se ia thotë goja fjalën largim.

“Nuk pres që të takohem me njeri. Edhe pritja e ka një kufi”, ka deklaruar dje Veliu, duke konfirmuar “divorcin”. 26-vjeçari nuk ka dashur të ndalet tek ajo që po lë pas, por tek e ardhmja e tij.

Veliu tregon se ka marrë një ofertë joshëse nga Bylisi, mirëpo sipas të gjitha gjasave, karriera e tij do të vazhdojë jashtë Shqipërisë.

“Ditët e fundit kam pasur një ofertë nga klubi ballshiot. Drejtuesit e Bylisit më kanë ofruar një kontratë që, në fakt, është tunduese dhe unë i falënderoj për kët vlerësim që më bënë. Më kanë ofruar plot 90 mijë euro, por me gjithë respektin që kam për drejtuesit e Bylisit, unë e kam refuzuar këtë ofertë. Kam të tjera plane për të ardhmen”, tregon Veliu. Së bashku me ballshiotët, për mbrojtësin vlonjat janë interesuar edhe dy klubet e kryeqytetit, Tirana dhe Partizani. Me gjithatë, Veliu pranon se, me shumë gjasa, do ta vijojë karrierën jashtë vendit.

“Mundësitë janë që të luaj jashtë Shqipërisë në sezonin e ri. Kam oferta konkrete nga klube në Zvicër e Turqi. Jam duke i shqyrtuar, por nuk mund të jap më shumë detaje. Do të vendos për të ardhmen time në ditët në vazhdim”, theksoi 26- vjeçari.

Polemikat

Veliu mbylli ndoshta sezonin më të errët në karrierën e tij me Flamurtarin. Kapiteni kuqezi u pezullua nga klubi disa javë para përfundimit të kampionatit. Drejtuesit kuqezi lanë të kuptohej se nuk e kishin më në plane, ndërsa mbrojtësi u irritua pa masë nga kjo situatë. Për “Panorama Sport”, pak ditë më parë, ai deklaroi: “Nga Flamurtari nuk më largon dot njeri. Po dëgjoj lart e poshtë nëpër Vlorë se duan të më largojnë. Jo, jo nuk më largon njeri mua kaq kollaj. Kam dhënë kontributin tim që fëmijë, çka do të thotë shumë. I kam dhënë gjakun dhe shpirtin tim asaj fanelle. Nuk më largon dot askush, vetëm nëse iki vetë”. Ermal Si