Ultimatum për pankinën te Flamurtari, Ferko: Tifozët meritojnë rezultate të mëdha
Në Vlorë presin vetëm fitoren të dielën me Egnatian. Në emër të presidencës, objektivin e panegociueshëm për ndeshjen e parë në shtëpi e “vulos” publikisht sekretari i klubit, Alfred Ferko.

Në fakt “Panorama Sport” i zbuloi për publikun pritshmëritë e kupolës drejtuese dy ditë më parë. Në rast dështimi do të ndahen rrugët me trajnerin Karlos Garsia. Në prononcimi për mediat sekretari Ferko tregohet diplomat dhe nuk flet për “prerje kokash”. Ai është i bindur se Flamurtari do të ndryshojë fytyrë dhe në fund të kësaj jave do të shijojë në shtëpi fitoren e parë.
“Vlonjatët përveç stadiumit janë shumë entuziastë edhe për ekipin. Ata presin nga të gjithë ne, nga skuadra e Flamurtarit shumë më tepër në lojë dhe në rezultate. Por si çdo vlonjat edhe ne si drejtues të klubit këtë presim. Unë jam shumë i bindur se Flamurtari do ta ndryshojë fytyrën e tij shpejt dhe do të kthehemi tek fitorja në ndeshjen me Egnatian, përpara tifozëve tanë”, shprehet Ferko.
PËR TIFOZËT – Sekretari i përgjithshëm i klubit, Alfred Ferko i premton tifozëve se Flamurtari është rikthyer në Superiore për të bërë gjëra të mëdha. “Jam i bindur që qytetari vlonjat është i ambientuar me Superioren. Janë vite të tëra që Flamurtari i mungoi elitës. Është një histori e tërë. Më në fund shkuam aty ku e kemi vendin tonë. Jemi kthyer për të bërë gjëra shumë të mira dhe për të arritur rezultate të mëdha.
Presidenti Sinan Idrizi e tha që në fillim kur ne bëmë këtë investim në këtë impiant të mrekullueshëm që me rikthimin në Superiore do t’u japim qytetarëve vlonjatë edhe një stadium krejt ndryshe dhe modern. Por kjo nuk mjafton. Presidenti ka thënë se ne duam që t’u japim tifozëve edhe një ekip të fortë, sepse ata që do të vijnë për të parë stadiumin, më tepër vijnë për të ndjekur skuadrën e Flamurtarit. Unë besoj se do të kënaqen dhe kjo është e rëndësishme”, thotë sekretari përgjithshëm.
STADIUMI I RI – Flamurtari rikthehet në shtëpi. Me Egnatian do të luhet në Vlorë. Të dielën në orën 19:00 do të inagurohet edhe investimi në stadium. Sekretari i përgjithshëm i klubit, Alfred Ferko vlerëson projektin e rikonstruksionit të impiantit që sipas tij i bënë krenarë vlonjatët. “Përfundimisht mbas një periudhë të gjatë kthehemi në shtëpi.
Ditën e të dielën në orën 19:00, do të luajmë në Vlorë, kundër Egnatias. Kemi një stadium thuajse të ri. Çdo gjë do të jetë në vendin e vetë. Me kaq investime, mundime, përkushtime, natyrisht i dhuruam qytetit të Vlorës diçka dinjitoze. Gjithçka këtu është e re dhe moderne. Është një stadium bashkëkohor dhe ku qytetarët e Vlorës do të kënaqen dhe do të ndihen krenarë për këtë investim që është bërë këtu”, përfundon Ferko.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













