U fut nga stoli dhe i shënoi Teutës, kapiteni Tabaku: Mezi prisja debutimin, Vora do jetë surpriza e Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2025 | 20:54

U fut nga stoli dhe i shënoi Teutës, kapiteni Tabaku: Mezi prisja debutimin, Vora do jetë surpriza e Superiores

Vora po tregon se nuk është thjesht një skuadër kalimtare në elitën e futbollit shqiptar. Në tri javët e para të kampionatit, ekipi debutues ka grumbulluar 4 pikë, ka shënuar 4 gola dhe ndodhet në vendin e tretë të renditjes, mes më të mirave të Superiores.

TABAKU

Starti i mbarë, i shoqëruar me grintë dhe lojë të pjekur, ka sjellë bindjen se Vora do të jetë një nga surprizat e këtij sezoni.

GOLI I PARË – Në ndeshjen e fundit ndaj Teutës, vorakët arritën të barazonin me anë të kapitenit Tabaku, i cili shënoi në debutimin e tij në këtë kategori. Për të, ky ishte një gol historik, jo vetëm si i pari në Superiore, por edhe si debutim në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar. Tabaku kishte munguar në dy takimet e para për shkak të problemeve muskulare në këmbën e djathtë, por rikthimi i tij rezultoi vendimtar. Me një goditje të saktë me kokë, ai i dha skuadrës së tij një pikë të vlefshme në transfertën e Durrësit.

“Mezi prisja të futesha në lojë, edhe pse nuk jam ende plotësisht i rikuperuar. I thashë trajnerit të më aktivizonte në minutat e fundit dhe ai nuk ma prishi dëshirën. Fati ishte me mua, sepse arrita të shënoja golin e barazimit. Nuk e prisja një surprizë të tillë nga vetja ime”, u shpreh Tabaku pas ndeshjes.

FESTA – Festimi i golit mori një tjetër kuptim, pasi kapiteni e dedikoi atë për shokun e skuadrës, Francesco Hasaj, i cili po kalon një periudhë të vështirë pas një operacioni. “E kishim programuar që kushdo të shënonte, do t’ia dedikonim Francesco-s. Ai ka nevojë për mbështetjen tonë”, shtoi Tabaku. Duke folur për ndeshjen ndaj durrsakëve, Tabaku theksoi se skuadra vuajti në pjesën e parë, por reagoi më fuqishëm në fraksionin e dytë.

“Teuta luajti më mirë në fillim, mbajti topin dhe shfrytëzoi hapësirat. Ne ende nuk ishim përshtatur. Por në pjesën e dytë ndryshimet e trajnerit Bellai e freskuan skuadrën dhe na motivuan për të ndryshuar filozofinë e lojës. Edhe pse mbetëm me 10 lojtarë, treguam karakter.

Flamurtari është një skuadër e vështirë për t’u mundur dhe na ka rivalizuar edhe sezonin e shkuar. Megjithatë, mendoj se Vora do të jetë një surprizë e vërtetë e Superiores. Në çdo ndeshje kemi treguar se nuk jemi më pak se skuadrat elitare. Tani synimi ynë është fitorja në Laç ndaj Flamurtarit”, përfundoi Tabaku.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL