Transferta e Egnatias, trajneri Tetova: Respekt për Josën, por në Ballsh dominojmë
Trajneri Edlir Tetova ka folur para ndeshjes së rëndësishme të Egnatias ndaj Bylisit, duke bërë një analizë të situatës së skuadrës pas një pauze dyjavore dhe duke shprehur pritshmëritë e tij për sfidën në Ballsh. Ai ka komentuar për formën e ekipit, afrimet e reja, mungesat dhe objektivat për këtë kampionat, duke treguar qartë fokusin e tij tek performanca e skuadrës.

Ai e shpreh hapur se synojnë vetëm tri pikë, edhe pse vështirësia rritet, për shkak se në krye të pankinës mallakatriote është një emër i madh si Mirel Josa.
Sa ju ka vlejtur pauza prej dy javësh për kolaudimin e skuadrës? Sigurisht që ishte një pauzë në momentin e duhur, si për të marrë veten nga ndeshjet e Europës edhe nga dy ndeshjet e kampionatit. Duke qenë se kemi bërë edhe afrime të reja në merkato, na vlejti edhe për këtë motiv.
Çfarë prisni nga dueli me Bylisin? Është një transfertë e vështirë, sepse Bylisi ka qenë një kundërshtar i vështirë, ndonëse nuk ka pasur rezultate të mira ndeshjet e fundit. Kjo nuk do të thotë asgjë, sepse është një kampionat i ri dhe ne shohim vetëm për tri pikët në Ballsh.
Kundërshtari ka ndryshuar shumë, me tetë lojtarë të huaj në formacion. Sa të vështirë e keni ta lexoni? Më shumë sesa te Bylisi, përqendrimi duhet të jetë tek skuadra jonë, tek ajo që ne duam për të zhvilluar futbollin e Egnatias. Ky është pikësynimi i parë. Kjo që thashë ju vlen, sepse skuadra ka ndryshuar, me shumë lojtarë të huaj dhe ka vështirësitë e saj.
Një pikë në dy ndeshjet, a ka ardhur momenti që Egnatia të marrë fitoren e parë në kampionat? Kemi pasur luhatje dhe nuk kemi bërë shumë mirë në rezultat. Një ndeshje e parë me një lojë jo shumë të mirë, tek e dyta kemi shkuar më afër asaj që kërkoj unë. Rezultati do të vijë ndeshje pas ndeshje.
Si është gjendja e skuadrës dhe sa jeni gati për këtë transfertë? Skuadra nuk është e plotë, sepse siç e dini janë dy kartonë të kuq. Fernandon e kemi pasur të dëmtuar një javë, ka vetëm katër ditë me skuadrën, por mendoj se do të jetë i gatshëm.
Sezonin e kaluar i keni fituar të katër ndeshjet me Bylisin. Mendoni se do e ruani këtë trend, apo i druheni një kolegu me eksperiencë si Mirel Josa? Bylisi vjet ishte një skuadër tjetër me trajner tjetër. Tani është kampionat i ri, me skuadrat që kanë objektivat e tyre. Njëkohësisht kanë një emblemë të trajningut dhe është një sfidë për t’u vlerësuar më shumë se zakonisht.
A ju shqetëson starti i golave, me vetëm një të shënuar? Kemi qenë para portës, rastet i kemi pasur, por ne do të shohim ndeshje pas ndeshjeje që të kolaudojmë ekipin, sepse reparti sulmues është ndërruar i gjithë.
Cilat shihni pretendentët kryesorë për titullin? Fokusi im është tek Egnatia. Ekipet kanë bërë lëvizjet e tyre, me objektivat e tyre.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













