Trajneri Ndreu: Ndaj Besës na penalizoi fusha dhe golat e pësuar shpejt, Kastrioti do të reagojë
Kastrioti ka pësuar një humbje të papritur në shtëpi, duke u mposhtur 3-2 nga Besa në një ndeshje ku krutanët nuk arritën të shfaqnin lojën e tyre më të mirë. Disfata erdhi në një moment kur pritej që skuadra të merrte maksimumin, sidomos duke luajtur në fushën e saj. Takimi nisi keq për vendasit, pasi Besa arriti të shënojë shpejt dhe të krijojë një avantazh të trefishtë. 
Edhe pse në një situatë të vështirë, Kastrioti gjeti forca për të reaguar në pjesën e dytë, duke ngushtuar rezultatin në 3-2 dhe duke rikthyer emocionet në ndeshje. Megjithatë, reagimi i krutanëve erdhi disi vonë dhe nuk mjaftoi për të shmangur humbjen. Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu, në një prononcim për “Panorama Sport” analizoi shkaqet e kësaj disfate. Sipas tij, mungesat e shumta në skuadër nuk ishin arsyeja kryesore e humbjes, por ndikim të madh pati terreni i vështirë i fushës dhe golat e shpejtë të shënuar nga kundërshtari. “Mund të them se në këtë humbje problemi kryesor nuk ishin mungesat, edhe pse kishim disa lojtarë jashtë. Ajo që ndikoi shumë ishte fusha, e cila e bëri të vështirë zhvillimin normal të lojës sonë. Lojtarët tanë nuk arritën të dilnin në lojën e tyre dhe të zbatonin siç duhet detyrat taktike. Po ashtu na penalizuan edhe dy golat e shpejtë të Besës. Kundërshtari shkoi dy herë në portë dhe me dy gjuajtje arriti të shënojë, gjë që na çorientoi skemën e lojës dhe na detyroi të luanim më të sforcuar”, u shpreh Ndreu.
DËMTIMET
Tekniku krutan shtoi se edhe dëmtimi i një lojtari gjatë ndeshjes e komplikoi më tej situatën, duke e vështirësuar menaxhimin e formacionit dhe mbulimin e hapësirave në fushë. “Edhe dëmtimi i një lojtari na ndërlikoi në zgjedhjen e elementëve për të plotësuar boshllëqet në formacion. Kjo na vuri në vështirësi dhe nuk arritëm të reagojmë siç duhet, megjithëse skuadra bëri përpjekje për t’u rikthyer në lojë. Gjithsesi kampionati vazhdon dhe kemi ende ndeshje përpara. Madje kemi edhe tre ndeshje në fushën tonë dhe do të përpiqemi të marrim maksimumin prej tyre”, theksoi trajneri i Kastriotit.
DERBI ME ILIRINË
Ndreu u ndal edhe te sfida e radhës në kampionat, ku Kastrioti do të përballet në derbi me Ilirinë, një ndeshje që pritet të jetë shumë e luftuar. “Parashikohet një ndeshje shumë e fortë, ashtu siç kanë qenë edhe dy përballjet e tjera që kemi zhvilluar me Ilirinë këtë sezon. Derbet kanë gjithmonë një rëndësi të veçantë dhe vlerësohen maksimalisht nga të dyja skuadrat. Iliria ka treguar se është një ekip shumë i fortë dhe për këtë arsye edhe kjo përballje merr një peshë të madhe”, përfundoi trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













