Trajneri Ndreu anashkalon mungesat: Kastrioti është gati për betejë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2026 | 11:18

Trajneri Ndreu anashkalon mungesat: Kastrioti është gati për betejë

Me seancën stërvitore të ditës së djeshme, skuadra e Kastriotit mbylli përgatitjet për përballjen e sotme, ku në kuadër të javës së 29-të do të luajë në transfertë ndaj Pogradecit, në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”.ramadan ndreuDy përballjet e mëparshme të këtij sezoni janë fituar nga skuadra liqenore, çka e bën sfidën e sotme edhe më delikate për krutanët. Duke parë formën e mirë dhe objektivat e qarta të Pogradecit, kjo ndeshje pritet të jetë e fortë dhe mjaft e vështirë.

Megjithatë, pavarësisht shkallës së lartë të vështirësisë, trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu, shprehet optimist dhe beson se skuadra e tij është përgatitur maksimalisht për të dhënë më të mirën në fushë: “Ndeshja me Pogradecin do të jetë e vështirë. Jemi përgatitur për të dhënë maksimumin në fushën e lojës. Periudha e pushimit të kampionatit na ka shërbyer për të korrigjuar disa mangësi. Pavarësisht hapit fals në ndeshjen e fundit, gjendja e skuadrës është shumë e mirë dhe jemi gati për këtë sfidë”, u shpreh Ndreu.

Për këtë takim, Kastrioti do të ketë disa mungesa të rëndësishme. Tomas Oliver mungon për shkak pezullimi, pasi ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë, ndërsa Kacbufi dhe Hodo janë jashtë për shkak dëmtimesh. Nga ana tjetër, në formacionin titullar pritet të startojnë që nga minuta e parë Flavio Meçja dhe Kevin Meça, të cilët do të kenë një rol të rëndësishëm në këtë transfertë të vështirë. Pas 28 javësh kampionat, Kastrioti numëron 36 pikë dhe renditet në vendin e pestë, duke mbetur në garë për objektivat e sezonit.

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL