Toli u shtohet mungesave, Dinamo ka disa dilema kundër të kuqve
Dinamo vjen me disa mungesa titullarësh në derbin e sotëm me Partizanin.
Portieri Edmir Sali, i cili nuk ka luajtur asnjë ndeshje në 2025-ës për shkak të një dëmtimi muskulor, ka nisur të stërvitet individualisht dhe për këtë ndeshje nuk do të jetë i gatshëm, kështu që kuadratin do ta mbrojë sërish Aldo Teqja.
Mungesë tjetër në prapavijë është ajo e Bruno Ditës. Kapiteni i bluve u dëmtua në nxemje para ndeshjes me Elbasanin dhe të dielën do të udhëtojë drejt Serbisë për një rikuperim më të shpejtë. Mbrojtja e Dinamos në derbin e sotëm do të përbëhet nga dyshja Hoxha-Aliji në qendër dhe të zakonshmit Meksi e Lorran nga krahët. Një tjetër mungesë e rëndësishme për këtë sfidë është ajo e Ardit Tolit, i cili ka pësuar një dëmtim që u duk i lehtë në fillim por do ta lërë mesfushorin titullar jashtë këtë javë.
Rikthehet në formacion Bakari Gudiabi, që në Elbasan u aktivizua nga stoli për arsye shëndetësore. Në krah të tij do të jetë Qefalija dhe njëri mes Karambës dhe Bregut, por alternativë është edhe Jonuzi. Sulmi i Dinamos pritet që edhe sot të përbëhet nga treshja Zabërgja-Nani-Mandela.
Ka një dyshim në fakt për portugezin, që ka pasur një gjendje gripale ditët e fundit, por gjasat janë që ai ta nisë nga minuta e parë. Në të kundërt, do të jetë njëri mes Bregut dhe Vilës që do të plotësojë repartin e avancuar të 18 herë kampionëve të vendit.
Në dispozicion të trajnerit Ilir Daja është rikthyer mbrojtësi Agron Rufati, i cili mungoi në ndeshjen e javës së kaluar për shkak të virozës. Stafi teknik ka kryer dje seancën e fundit stërvitore dhe ka dhënë udhëzimet e fundit para derbit. Dilemat që kanë pasur blutë për formacionin anti-Partizan do të marrin përgjigje sot nga trajneri Daja.
PANORAMASPORT.AL













