Toli: Ndaj Bylisit rikthehemi te fitorja, Teuta nuk fal më në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2026 | 10:00

Toli: Ndaj Bylisit rikthehemi te fitorja, Teuta nuk fal më në shtëpi

Teuta ka mbyllur përgatitjet anti-Bylis nën drejtimin e trajnerit Edi Dobi dhe stafit të tij.toliEkipi zhvilloi një seancë tekniko-taktike të fokusuar te detajet e lojës, ndërsa grupi është i plotë dhe pa mungesa për këtë përballje. Në prag të sfidës që do të luhet në Durrës, mesfushori Ardit Toli flet për gjendjen e skuadrës, pritshmëritë ndaj kundërshtarit dhe momentin personal në këtë fazë të sezonit. Për “Panorama Sport”, Toli thekson se ndaj Bylisit objektivi është i qartë: rikthimi te fitorja.

Ardit, si është gjendja e ekipit para ndeshjes ndaj Bylisit?

Ekipi është në gjendje shumë të mirë, si fizikisht ashtu edhe moralisht. Kemi punuar fort gjatë javës dhe jemi maksimalisht të përqendruar për këtë ndeshje të rëndësishme.

Çfarë përballje prisni kundër Bylisit?

Presim një përballje të vështirë. Është një skuadër që lufton shumë dhe kërkon vëmendje maksimale në çdo moment. Ne do të mundohemi të imponojmë lojën tonë dhe të shfrytëzojmë në maksimum faktorin fushë.

Sa i rëndësishëm është fakti se luani në Durrës?

Është një avantazh i madh për ne. Fusha dhe tifozët na japin siguri dhe motivim. Kur luajmë në shtëpi, ndjejmë edhe më shumë përgjegjësi për të dhënë maksimumin dhe për të marrë rezultatin pozitiv.

Nga ana personale, si po e përjeton këtë periudhë me Teutën?

Personalisht ndihem shumë mirë. Kam besim te vetja dhe te skuadra. Mundohem të jap më të mirën në çdo ndeshje dhe në çdo stërvitje. Jam i fokusuar të ndihmoj ekipin, qoftë me paraqitje të mira apo me eksperiencën time në fushë.

A të motivon më shumë përgjegjësia që ke brenda grupit?

Patjetër. Kur ndjen besimin e trajnerit dhe të shokëve të skuadrës, përgjegjësia rritet. Kjo më shtyn të punoj edhe më fort dhe të jem gjithmonë gati kur ekipi ka nevojë për mua.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL