Titullari bëhet i padëshiruar, vendimi i fundit i Vllaznisë “vulos” ndryshimin e madh të shkodranëve
Ndeshja e turit të dytë të Ligës së Konferencës të Vllaznisë ndaj Vikingur të Islandës, ka “vulosur” një ndryshim të madh te kuqeblutë. Klubi shkodran duket se i ka dhënë lamtumirën ai që ishte portieri titullar i turit të parë, Kristi Qarri.

Portieri e niste si zgjedhje e parë sezonin dhe mendohej se do të vazhdonte të ishte titullar afatgjatë te kuqeblutë. Por gjithçka ndryshoi pas dy ndeshjeve me Daugavpils. Portieri u vendos në epiqendër të kritikave të tifozëve dhe klubi duket se ia vuri menjëherë veshin atyre.
Kësisoj, u ndërhy shpejt në merkato me afrimin e gjermanit Pohls pak ditë pas kalimit të turit të parë. Ndërsa Qarri, u shmang plotësisht në ndeshjen e sotme, ku u zgjodh titullar Jukaj, ndërsa 24-vjeçari përfundoi në tribunë.
Një mesazh i qartë që ditët për të te Vllaznia kanë përfunduar dhe që ai duhet të nisë kërkimin për një sistemim të ri për sezonin e ardhshëm.
PANORAMASPORT.AL













