Teuta gati për Vorën, synon çerekfinalen e Kupës mes largimeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2026 | 19:44

Teuta gati për Vorën, synon çerekfinalen e Kupës mes largimeve

Teuta e Durrësit do të zbresë në fushë e përgatitur maksimalisht për sfidën e Kupës së Shqipërisë ndaj Vorës, me objektivin e qartë për të siguruar kualifikimin në çerekfinale.

teuta

Të besuarit e trajnerit Enkeleid Dobi i kanë idetë e qartë, duke pasur synime në të dy kompeticionet Pavarësisht lëvizjeve të fundit në merkato, grupi i “Djemve të Detit” paraqitet i plotë, i qetë dhe i motivuar për këtë përballje të rëndësishme. Stafi teknik ka pasur në dispozicion të gjithë futbollistët e mbetur në organikë, ndërsa largimet e regjistruara nuk kanë ndikuar në përgatitjen e ekipit.

Teuta synon të shfrytëzojë eksperiencën dhe cilësinë që zotëron për të kaluar më tej në këtë kompeticion, i cili mbetet një nga objektivat sezonalë të klubit durrsak.

MERKATO DHE LARGIMET

Gjatë kësaj periudhe merkatoje, Teuta ka kryer disa largime nga skuadra. I vetmi transferim i realizuar ishte ai i Gomes, i cili u shit drejt kampionatit japonez. Futbollistët e tjerë që janë larguar nuk ishin më pjesë e planeve të stafit drejtues dhe teknik, pasi nuk përmbushnin pritshmëritë e vendosura në fillim të sezonit. Këto lëvizje kanë ardhur në kuadër të riorganizimit të skuadrës dhe ndërtimit të një grupi më konkurrues për fazën e dytë të kampionatit dhe Kupën e Shqipërisë.

AFRIME TË REJA NË HORIZONT

Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit po punojnë intensivisht për të përforcuar ekipin. Në ditët në vijim pritet që Teuta të zyrtarizojë afrime të reja, të cilat do të rrisin konkurrencën brenda grupit dhe do t’i ofrojnë trajnerit më shumë alternativa në repartet ku nevojiten përforcime. Teuta synon të jetë konkurruese si në Kupë ashtu edhe në kampionat, ndërsa përballja ndaj Vorës shihet si një hap i rëndësishëm drejt realizimit të objektivave sezonalë.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL