Tetova kërkon përforcime, por afrimet nuk duken në Rrogozhinë
Mendohej që afrimet e Egnatias në merkato do të ishin thjesht një formalitet, duke qenë se financat nuk i mungojnë dhe mbi të gjitha tani është e aftë të joshë këdo, duke qenë kampione dhe pjesëmarrëse në kupat e Europës.

Mirëpo, duket se nuk po ndodh kështu, sepse rrogozhinasit nuk kanë bërë ende asnjë afrim në merkato, përpos emrave të shumtë që përfliten. Së paku, kampionët duan që të mos jenë më një nivel më të ulët se sezoni që lamë pas, sepse dihet që objektivat do të jenë sërish për të fituar kampionatin dhe gjithçka të mundshme në futbollin shqiptar.
KËRKESA E TETOVËS – Shumë shpejt rrogozhinasit do të dalin në fushë për të nisur përgatitjet, për të qenë gati për kupat e Europës, ku dihet që do të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve dhe nuk i pret një sipërmarrje e lehtë përpara. Mësohet se tekniku Edlir Tetova ka kërkuar që afrimet të cilat janë në plan të bëhen të ndodhin sa më parë, sepse çdo lojtar i ri do kohën e vet për t’u përshtatur.
Nga ana tjetër, lojtarët e merkatos duhen më shumë për t’i dhënë një dorë ekipit në Europë, aty ku duan që këtë sezon të ecin sa më gjatë dhe pse jo të shkojnë në grupet e Konferencë Ligë. Nuk dihet sesa do të jetë në gjendje klubi t’i plotësojë kërkesën për t’i dhënë teknikut një ekip të plotë para Europës, por sigurisht që do të tentohet që kjo dëshirë të kthehet në realitet.
PASUESI I ZEJNULLAIT – Mosarritja e dakordësisë me Arbin Zejnullain që largohet pas tri vitesh si protagonist me kampionët, lind një detyrë të re në Rrogozhinë. Së paku, duhet zëvendësuar me një lojtar që ka karakteristikat e tij. Në fakt, Edlir Tetova i pat bërë llogaritë me të në skuadër, së paku në Europë, por tani situata ka ndryshuar.
Edhe pse te kampionët nuk mungojnë lojtarët e repartit ofensiv, nuk është e lehtë të zëvendësohet apo përshtatet një lojtar që ka qenë titullar prej tri vitesh. Për momentin mungojnë pistat e mundshme se kë mund të afrojë Egnatia, por i sigurt është fakti që drejtuesit janë vënë në kërkim të një pasuesi sa më adapt për shqiptarin e Maqedonisë së Veriut. Merkato sapo ka nisur dhe deri në mbyllje të saj do shihet se cili do të jetë pasuesi i fantazistit. Në të kundërt, rrogozhinasit do ta gjejnë zgjidhjen brenda shtëpisë.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













