Të kuqtë e Partizanit nxorën nga kriza dy klube, Flamurtari si Tirana dhe Bylisi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2025 | 22:26

Të kuqtë e Partizanit nxorën nga kriza dy klube, Flamurtari si Tirana dhe Bylisi

Flamurtarit i mungon fitorja e parë në këtë edicion. “Flota” ka vetëm dy pikë të grumbulluara në gjashtë javë të luajtura. Ndaj Partizanit kërkon vetëm 3 pikët e para, ndërsa i gjen “demat” në gjendje mjaft të vështirë.

partizani

Nga Partizani janë larguar drejtori sportiv Arbër Abilaliaj dhe trajneri Mladen Milinkoviç. Ky i fundit u zëvendësua nga Oltijon Kërnaja.

SHEMBULLI- Flamurtari ka dy klube, të cilat mund t’i marrë si shembull. Fillimisht ishte Bylisi, i cili mori fitoren e parë të sezonit ndaj Partizanit. Ishte fitorja 3 me 1 e ballshiotëve në stadiumin “Adush Muçaj”, pikërisht në javën e pestë, që riktheu entuziazmin te skuadra e Mirel Josës.

Jo vetëm kaq, pasi tronditja për Partizanin erdhi në javën e fundit të luajtur. Derbi me Tiranën e pa të pësonte disfatë me rezultatin 0-3. Bardheblutë, njëjtë si Bylisi, dolën nga kriza. Kjo pasi për skuadrën e Roberto Bordin ishte fitorja e parë e këtij edicioni.

JO VETËM FLAMURTARI- Fakt është se në javën e gjashtë të Superiore, jo vetëm Flamurtari ndodhet në krizë. Partizanit i mungon fitorja, që u regjistrua në javën e parë ndaj Vorës. Nëse Flamurtari kërkon fitoren e parë, e njëjta gjë atmosferë mbizotëron edhe te Partizani. Të kuqtë kanë vetëm dy pikë më tepër në klasifikim. Duke qenë se ndodhen në dy vendet e fundit, pikët aktualisht janë jetike. Për këtë fakt, sfidës në Vlorë me shumë gjasa nuk do i mungojë tensioni.

Moriero ndodhet tashmë në krye të vlonjatëve, ndërsa drejtimin e Partizanit e ka Oltijon Kërnaja. Të dy do të debutojnë me ekipet respektive këtë fundjavë. Sfida e së dielës, që nis në orën 17:00, ka rëndësi të veçantë dhe kjo bie në sy për çdo fakt të përmendur. Ndeshja është e vlefshme për javën e shtatë, dhe nëse një prej klubeve qëndron në kuotën e aq pikëve sa ka aktualisht, përkthehet me kaos. Merkato dhe objektivat ishin plotësisht të tjerë, nga realiteti që të dyja skuadrat kanë krijuar në kampionat.

PANORAMASPORT.AL