“Talenti i Vitit” në Shqipëri, Përndreca: Ky vlerësim më motivon për sfidat e ardhshme me Bylisin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2025 | 19:54

“Talenti i Vitit” në Shqipëri, Përndreca: Ky vlerësim më motivon për sfidat e ardhshme me Bylisin

Fabjan Përndreca, anësori i majtë i Bylisit mori çmimin prestigjioz “Talenti i Vitit”, ndërsa ai mes emocioneve për “Panorama Sport”, ka folur për këtë trofe.

PERNDRECA

“Pas aktivizimit si titullar apo dhe grumbullimi e aktivizimi me Shpresat, ky vit u mbyll me një çmim prestigjioz për ua dhe jam shumë i vlerësuar, si nga organizatorët, por u shpreh mirënjohje të gjithë atyre që kanë investuar dhe më kanë mbështetur shumë.

Ishte një event me yjet e sportit shqiptar dhe personalitete nga fusha të ndryshme, por edhe me lojtar që kanë spikatur në Europë. Dua ta nis nga klubi i Bylisit ku unë aderoj, presidentin Besnik Kapllanaj që më ka afruar dhe ka besuar shumë tek unë para tri viteve, por edhe trajnerin aktual dhe te gjithë timonierët që kam punuar në Ballsh, ku jam shpallur kampion me moshat dhe luajta në Europë.

Por edhe trajnerët e moshave të Shënkolli, si dhe të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare deri te Alban Bushi i U-21. Ishte një event i organizuar më së miri nga FSHF dhe një vlerësim që na motivon të punojmë edhe më ne të rinjtë. Personalisht dua që të realizoj ambicie edhe më të mëdha me Bylisin, por edhe të jem titullar me Shpresat U-21. Në Ballsh karriera ime ka njohur vetëm rritje dhe unë synoj që me aktivizimin këtu, të ndihmoj skuadrën në realizimin e synimeve në kampionat dhe Kupën e Shqipërisë.

Jemi një grup me elementë cilësor dhe premtues, madje kam besim se në dy ndeshjet e radhës do të marrim maksimumin. Jemi në formë dhe në dy takimet e fundit jemi shfaqur solidë dhe kemi merituar më shumë se pika”, tha Fabjan Përndreca, 19- vjeçari i Bylisit.

ANTI-ELBASANI – Bylisi tashmë është fokusuar te sfida që do të zhvillojë pas tri ditësh në “Adush Muçaj”, me kryesuesit e Elbasanit. Mallakastriotët luajnë një duel delikat, e megjithatë, trajneri Mirel Josa bashkë edhe me stafin e tij kanë vendosur që tërë skuadra të jetë e grumbulluar dhe mjaft e fokusuar te ndeshja me verdheblutë. Ballshiotët duan që të rikthehen te fitorja, e cila u mungon prej afro një muaj e gjysmë, aq më tepër që luajnë në shtëpinë e tyre, pa thënë se kjo është sfida e fundit zyrtare për vitin 2025 në “Adush Muçaj”, aty ku pritet edhe mbështetja maksimale duke qenë se është duel shtëpie dhe skuadra ka nevojë për fitore.

Skuadra mallakastriote do të jetë me grup të plotë në sfidën ndaj Elbasanit ndonëse në Shkodër u ndëshkua Mustafa e Sanogo. Por duket se Josa bëri edhe një lëvizje taktike, duke parë ngjeshjen ne ndeshjeve, por edhe nevojën për lojtarë cilësor u mundua që të ruajë Malomon dhe Peraltën, pasi janë edhe dy sfida në një hark kohor shumë të shkurtër, ndaj Elbasanit dhe me Vorën në Vorë. Tërë lojtarët ndodhen në dispozicion, ndërsa atmosfera duket pozitive dhe optimistë edhe për ecurinë në dy javët e fundit, ku skuadra duket sikur po tregon stabilitet në lojë, por tashmë kërkojnë fitoren.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL